Paradoksi i tregut të vajit të ullirit dhe roli i një qeverie të përgjegjshme

Paradoksi i tregut të vajit të ullirit dhe roli i një qeverie të përgjegjshme

Nga Klodian Tomorri - 28/12/2022

Subvencionimi i mbjelljes së ullinjve ka qenë një nga politikat më të suksesshme bujqësore në historinë e Shqipërisë. Ky është fakt i pakontestueshëm. Deklarata e ministres së Bujqësisë se Shqipëria gaboi që mbolli ullinj pa plan, dhe tani vuan mbiprodhimin, është e pavend dhe e gabuar.

Jo shumë kohë më parë, shqiptarët ushqeheshin me mbeturinat vajore të botës. Të gjithë ata me moshë mbi 35 vjeç, besoj e mbajnë mend atë vajin e tmerrshëm që vinte era peshk.

Sot shqiptarët konsumojnë masivisht vajin e ullirit që prodhohet në vend. Dhe e blejnë me një çmim që është gati njësoj me vajin komercial të lulediellit. Megjithatë, prapë ka një paradoks në treg.

Shqipëria importon mesatarisht 80 milionë dollarë në vit vaj gatimi komercial. Nëse bën matematikën, i bie diku tek 10-15 litra vaj në vit për fryme.

Ne nuk e dimë se si konsumohet ky vaj. Janë familjet që vazhdojnë përdorin vaj vegjetal apo përdoret në restorante dhe industrinë ushqimore. Këto të dhëna duhet të na i jepte Ministria e Bujqësisë me INSTAT-in, por ata nuk i bëjnë. Por përtej kësaj, ka akoma më shumë vend për të zëvendësuar.

Dy janë politikat që mund të bëhen për të zgjidhur hallin e fermerëve që prodhojnë vaj ulliri. E para është subvencionimi i produktit. Politika e dyte është taksimi i zëvendësuesve. Ose një kombinim i të dyjave.

Një qeveri e përgjegjshme do të duhet të mendonte ose të subvenciononte drejtpërdrejt fermat që prodhojnë vaj ulliri, ose të taksonte më shumë vajin komercial të lulediellit, misrit, kikirikut, apo ku di unë, për ta bërë më të shtrenjtë.

Në fakt, çmimi i ulët i vajit të ullirit është një problem global. Në Spanjë, prodhuesi më i madh i vajit të ullirit në botë, fermerët janë prej disa vitesh në grevë. Ata e shesin me 2 euro e gjysmë litrin.

Të dhënat në shkalle globale tregojnë se aktualisht, vetëm 3 për qind e vajit që konsumohet është vaj ulliri. Pjesa tjetër, 97 për qind është konsum i këtyre vajrave komerciale të gatimit.

Bota nuk e konsumon sa duhet vajin e ullirit. Ndaj është ky problemi i çmimit kudo. Qeveritë nuk i dëgjojnë këshillat e mjekëve. Se normalisht duhet të kishin bërë më shumë politika.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco