“Lufta” dhe “Zadruga”/ Loja e nervave e autokratit serb Vuçiç

“Lufta” dhe “Zadruga”/ Loja e nervave e autokratit serb Vuçiç

Nga Enver Robelli - 27/12/2022

Televizioni “Pink” i cili kontrollohet nga autokrati serb A. Vučić mbrëmë inskenoi një dramë. Në studio qëndronin 4 veta, më vonë 5 – të gjithë luanin rolin e alarmuesit. Fjala më e shpeshtë që përdornin ishte “rat”, luftë. Luftë në Kosovë! Nga Topçideri i Beogradit me lehtësi sakrifikoheshin jetë të të tjerëve për interesa të propagandës shtetërore serbe. Pas zhurmës e propagandës luftënxitëse në “Pink”, nisi seria “Zadruga”, një Realityshow sipas mentalitetit serb të opingës, shlivovicës, botoksit dhe vasharit.

Ditë më parë mediat propagandistike të pushtetit serb njoftuan se sipas një ankete mbi 90 për qind e pjesëtarëve të një njësie speciale qenkan treguar të gatshëm të luftojnë në Kosovë. Serbia duhet të jetë i vetmi vend në botë që i pyet ushtarët nëse duan të luftojnë. Kjo është komedi e nivelit të “Zadrugës”. Për Instagram ishin edhe fotografitë e topave grykëgjatë të armatës serbe që po i afroheshin Kosovës. Pastaj topat u kthyen në kazerma.

Megjithatë, krejt ky shou i pushtetit serb nuk mund të kundrohet vetëm si episod humoristik. Fakt është se në veri ka grupe të armatosura të serbëve. Ka paramilitarë. Ka ish-policë të Kosovës që tani pa uniforma kosovare i shërbejnë padronëve të tyre përtej kufijve të Kosovës. Ka elemente të krimit të organizuar që në të kaluarën janë marrë me allishverishe fitimprurëse bashkë me grupet shqiptare. Loja e përhershme me zjarr e Serbisë mund të eskalojë edhe pa dashje. Shou me armë të rënda mund të ketë papritmas pasoja të rënda. Për këtë duhet të jetë e vetëdijshme edhe pala kosovare.

Loja e nervave pas së cilës qëndron presidenti serb ka të bëjë me presionin perëndimor ndaj Beogradit për të pranuar planin gjermano-francez, i cili nuk kërkon njohjen eksplicite të Kosovës nga Serbia. Loja e nervave ka të bëjë edhe me zemërimin e shtuar perëndimor ndaj refuzimit të Serbisë për t’i vendosur sanksione Rusisë. Loja e nervave ka të bëjë edhe me faktin se A. Vučići, autokrati serb, bartësi i birrave të Sheshelit dhe adhuruesi i kriminelit të luftës R. Mladić, nuk është më i përkëdheluri i Berlinit siç ka qenë nën kancelaren Angela Merkel, e cila pothuaj çdo problem e ka ngrirë në vend se ta zgjidh. Loja me nerva kundër Kosovës është një rast i mirëseardhur për autokratin serb për të larguar vëmendjen nga katastrofa ekologjike në Pirot, ku pas daljes nga shinat të një treni transportues ka rrjedhur amoniak dhe tashmë dhjetëra njerëz ndodhen në spital. Loja me nerva vjen edhe për shkak se po i vjen fundi politikës së jashtme serbe që vetë A. Vučić e ka quajtur “vërtitje”, pra herë me Rusinë e Kinën, herë (si simulim) me BE-në dhe Perëndimin në përgjithësi.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco