Pse Rama është i dënuar të ndajë pushtet me Veliajn!

Pse Rama është i dënuar të ndajë pushtet me Veliajn!

Nga Armand Maho - 26/12/2022

Erjon Veliaj nuk duhet të jetë ndjerë aspak komod mesditën e 6 dhjetorit, kur të gjithë liderët e Evropës zbarkuan në Tiranë për samitin e radhës së BE-së. Fokusi i kamerave drejtuar nga Rama, i cili nuk gjeti asnjë vend për kryetarin e bashkisë së qytetit pritës, do e ketë revoltuar jo pak. I vetmi ngushëllim do ketë qenë incidenti me kreun e opozitës Berisha, i cili  zhvendosi fokusin e lajmeve botërore atje.

Rama nuk u mjaftua me kaq, por vetëm një javë më pas kur në stadiumin ‘Air Albania’ do organizonte eventin për sportin me të gjitha shkollat e Shqipërisë, sërish Veliajn e la në hije. Kryebashkiaku, i cili sapo ka shpallur nismën e kryeqytetit sportiv, do jetë thartuar jo pak, kur në podium u ngjit dhe Fidel Ylli, por ai jo. Në ftesën e dërguar për këtë rast, Rama ishte kujdesur që të shkruante se eventi zhvillohej “nën kujdesin e kryeministrit”. Një tjetër goditje po aq e rëndë sa e 6 dhjetorit në një afat tepër të shkurtër. Për më shumë kur kanë mbetur as pesë muaj nga zgjedhjet e 14 majit.

I vetmi event ku Veliaj mori pjesë përkrah Ramës ishte kur prezantuan para një grushti njerëzish projektet për rindërtimin e teatrit sikur të ishin në një ceremoni mortore. E organizuar te rrënojat që dukeshin sikur akuzonin për atë mizori që ndodhi me atë objekt kulturor, Veliaj e dinte fort mirë se ai event më shumë se propagandë për të, ishte një akuzë dhe ai ishte aty për të marrë mbi vete mëkatet e Ramës, i cili inatin me teatrin e kishte të hershëm. Që atëherë kur tallej me Violeta Manushin dhe kundërshtar të fortë kishte vetë Luftar Pajën. Ajo ceremoni ishte sa groteske aq dhe tragjike, ku Rama ishte kujdesur jo pak që poturet e Erjon Veliajt të binin deri në fund të këmbëve.

Sjellja e çuditshme e kryeministrit me Erjon Veliajn nuk është pa shkak. Synimet e tij për të marrë Partinë Socialiste dhe më pas pushtetin, kanë xhelozuar pjesën kundërshtare, që është më afër Ramës. Nga ana tjetër Rama e di mirë se marrja e pushtetit nga Veliaj do ishte jo pa pasoja dhe për të dhe mund t’i rezervonin një fat si atij të Gruevskit, dhe ky një kryeministër absolut i shtetit fqinj, që sot ndodhet në ekzil. Rama e njeh mirë Veliajn, është prodhimi i tij dhe e di se çfarë është i aftë të bëjë.

Marrja e një mandati të tretë në Bashkinë e Tiranës, vetëm do forconte pozitat e Veliajt, do i shtronte tapetin e artë në rrugën drejt fronit, ndërsa Ramës nuk do i shërbente për asgjë. Vetë Veliaj i dha shenjat se synonte të godiste kryeministrin, kur ndihmoi Fatmir Xhafën në zgjedhjet e vitit 2021. Rama, i cili e kishte përzënë nga dera ish-ministrin e tij, duke e lënë nga fundi i listës, s’mund ta kapërdinte faktin që Erjon Veliaj ta fuste nga dritarja. Edhe karshillëkun e tij të padurueshëm pas zgjedhjeve, kur pas çdo zone që fitonte, kërcente si majmuni në shkop në konferencat për shtyp, ishte Rama që ia ndërpreu.

Veliaj jo më kot u investua tek Xhafaj. Ish-ministri është nga hartuesit e reformës në drejtësi dhe jo pak komisionerë të vetingut janë emëruar prej tij. Shumë prokurorë dhe gjykatës e kanë sot vendin si pasojë e ndërhyrjes së tij në sistem. Vetëm për teatrin, paditë penale ndaj Veliajt janë bërë mal në SPAK, por askush nuk nis hetim. Kohët e fundit, Veliaj është parë jo pak dhe në shoqërinë e Ulsi Manjës, i cili njihet për lidhjet e tij të ngushta me kreun e sapozgjedhur të SPAK.

Por Rama nuk ka zgjidhje. Ai është i dënuar të ndajë pushtetin me Veliajn, pavarësisht se ky i fundit nuk lë rast pa i futur shkëmbinj nën rrota që nga goditja sistematike e bashkëpunëtorëve të ngushtë të Ramës (rasti i Arben Ahmetajt është më i freskët-i kur nga zyrat e SPAK dolën emailet e Klodian Zotos) apo dhe deri tek analistët që kanë mbirë në çdo ekran duke sqaruar se lejet për kullat shumëkatëshe i jep Rama dhe jo Veliaj, duke sqaruar dhe ligjin me detaje. Më e bukura është se kjo ndodh në ato televizione që Ramën e kanë fshirë nga ekrani, por në prime-time në çdo rast aty shfaqet Veliaj.

Rama është i dënuar të ndajë pushtetin me Veliajn, se një zëvendësim i tij si kandidat për Bashkinë e Tiranës do ia ndante partinë në mes. Në këto tetë vite në krye të atij institucioni, Veliaj ka krijuar klanin e tij me anë të favoreve dhe lejeve të ndërtimit. Ka mbledhur rreth vetes oligarkë dhe eksponentë të krimit të organizuar duke i darovitur në vendet më të mira të Tiranës. Ata që punojnë në bashki e shohin çdo ditë se kush hyn e del në zyrën kryebashkikut çdo ditë.

Janë pikërisht ata, trafikantët e të gjitha llojeve që financojnë dhe funksionojnë si makineri elektorale e PS në Tiranë. Rama i ka duart e lidhura dhe me SPAK-un, e jo vetëm për arsyet që thamë më lart, se pas tij ka të gjithë enturazhin politik me të cilin u hartua dhe u zbatua reforma në drejtësi, por në ndryshim me Tahirin apo Kokën që i qëndruan besnikë pavarësisht burgut, Veliaj s’e ka atë karakter, mund të flasë shumë, por nuk është çudi që kjo mund ta kthente dhe në hero.

Si kapak floriri, jo pa kosto dhe për vetë Ramën do ishte një humbje e Veliajt në zgjedhje. Rama e di fort mirë se një humbësi i largohen të gjithë dhe pas kësaj ai mund ta degdisë e telendisë si të dojë atë. Mund t’ia faturojë atij të bëra e të pabëra në Tiranë dhe më shumë. Pse jo do e kishte dhe një justifikim jo të vogël para ndërkombëtarëve për akuzat që i bëhen për autokraci manipulim votash, apo vendosjen e një regjimi hibrid në vend. Dhe Rama nuk ka nevojë as të investohet në këtë drejtim sepse Veliaj nuk i ka aq mbroth punët sa përpiqet të thotë. Vetëm se Rama nuk është nga ata lloj shtetarësh sa të mbajë larg makinerinë e tij të manipulimit dhe të zhvillojë zgjedhje të lira, e megjithëse Tirana nuk i duhet më bashkë me Erjon Veliajn, ai sërish do luftojë deri në fund, si i dënuar të ndajë pushtetin.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco