Amerika e Zelenskit nuk është Amerika e autokratëve ballkanikë

Amerika e Zelenskit nuk është Amerika e autokratëve ballkanikë

Nga Agim Nesho - 24/12/2022

Vizita e Presidentit Zelenski në Washington kishte simbolikën e madhe të njohjes së SHBA-së si fuqia e madhe e paqes dhe lirisë, fuqia që ruan vlerat dhe parimet e një shoqërie të lirë dhe demokratike dhe garantuesja e rendit liberal botëror të bazuar në ligj dhe institucione.

Kjo është Amerika që ka ngritur ëndrrën amerikane, vlerat e së cilës kanë kuptim të mbrohen si vlera të përbashkëta për këdo në botën e qytetëruar. Pas 75 viteve të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore po tentohet të rikalibrohet sistemi botëror, duke parë ambiciet dhe interesat e shumë fuqive botërore, të cilat kërkojnë rritjen e zonave të tyre të interesit. Dhe ky rregullim nuk vjen në bazë të rregullave dhe konsensusit të kërkuar, por nëpërmjet përdorimit të forcës në zbatimin e projekteve të tyre ekspansioniste.

Bota sot ka një forcë lëvizëse për zhvillim: kjo është lufta e demokracisë ndaj autokracisë. Por megjithëse gjithmonë e më shumë po kuptohet se autokracia është “vdekja e demokracisë”, Amerika vazhdon të mbetet pragmatiste dhe e gatshme për kompromiset e momentit. Kjo është vazhdimi i politikave pragmatiste të shtyra nga interesat burokratike të individëve, që e bazojnë rritjen e karrierës së tyre jo në vlera por në konjuktura të kohës. Ky është thelbi i perceptimit të SHBA-së në rajone problematike të botës si në Lindjen e Mesme apo Ballkanin Perëndimor, ku forcat autokratike vendosin rregullat e lojës.

Ky perceptim për rolin e SHBA-së zbehet gjithmonë e më tepër në popuj kur shikon se si përkrahen autokratët dhe kleptokratët si Rama dhe Vuçiç në Ballkan, apo teokratët dhe diktatorët e Lindjes së Mesme të Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe, Kuvajt për hir të konjukturave, klientelizmit, lobizmit politik etj.

Prandaj SHBA duhet ta shikojë me seriozitet zbatimin sa më shpejt të doktrinës Biden ‘Demokraci versus autokraci’, të investojë për institucionet demokratike dhe shtetin e së drejtës dhe të shkëputet nga autokratët e korruptuar dhe klientelistë të tipit Rama. Dhe kjo nuk është vetëm një dëshirë për ndryshim pushteti. Ky është një interes i sigurisë kombëtare të SHBA-së, kur shikohet se në vendin më pro-amerikan në botë, si Shqipëria, pëlqyeshmëria për politikën amerikane nga 99% përkrahje ka rënë pothuajse në gjysëm.

Sado fort të kenë lobuar dhe kompromentuar autokratët ballkanikë, është e papranueshme të shohim dy SHBA: Atë madhështore të vlerave dhe lirisë që shikon Zelenski, dhe atë të përbaltuar nga korrupsioni dhe shpërdorimi i autokratëve, të cilët e paraqesin veten si partnerë të SHBA-së. Autokratët e shikojnë SHBA-në jo si simbol dhe frymë të lirisë, por si mburojë për të demotivuar lëvizjet demokratike brenda vendit dhe mbajtur regjimet e tyre korruptive.

Lufta kundër autokracisë është një domosdoshmëri, se në fund të fundit autokratët e kanë strategjinë e tyre dalëse (exit strategy) për të ruajtur pushtetin dhe përfitimet e tyre abuzuese, që nuk përputhen me llogaridhënien dhe vlerat perëndimore. Rruga e tyre është drejt Lindjes, Anadollit apo drejt gjithkujt që i siguron pushtetin e pakufizuar. Por popujt kanë nevojë për simbolet e tyre. Dhe Amerika është simboli i lirisë dhe demokracisë. Dhe ky simbol nuk mund të zhvlerësohet nga lidhjet me regjimet e korruptuara dhe klienteliste. Për më tepër, që nuk jemi në periudhën e Luftës së Ftohtë.

Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor kanë nevojë për ndryshim të menjëhershëm. Shpresat se ndryshimi mund të vijë nga drejtësia e pavarur duket janë të pakta ose inekzistente, sepse pushteti ka kapur shtetin. Prandaj kërkohet forcimi i institucioneve demokratike dhe funksionimi i shtetit të së drejtës dhe besimi tek institucionet dhe jo në individë të veçantë.

Teza e promovimit të demokracisë në politikën e jashtme Amerikane është mëse e nevojshme të rikthehet.

Shoqëritë demokratike po presin. Diplomacia amerikane është e vonuar!  

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco