Një manual politik/ Gara për bashkinë e Vlorës dhe shembulli që vjen nga New York e Florida

Një manual politik/ Gara për bashkinë e Vlorës dhe shembulli që vjen nga New York e Florida

Nga Nikola Kedhi - 21/11/2022

Së pari, dhe shumë modestisht dua ta nis me një falënderim të përzemërt për të gjithë personat të cilët propozuan emrin tim për në primaret e Partisë Demokratike për Bashkinë Vlorë. Nuk kam mundur t’u shpreh mirënjohjen dhe vlerësimin personalisht, por mendoj se është një rast i mirë për ta bërë.

Shpesh në Shqipëri harrohet që Vlora ka një të djathtë të vërtetë, e cila është ndër më fisniket, më të vuajturat, por dhe më punëtoret që unë kam parë e njohur, dhe shpesh nuk merr vlerësimin e merituar. Jam besimplotë që dhe individët që kanë marrë përsipër t’i futen garës – pjesë e së cilës, për të mos lënë vend për keqkuptim, unë nuk do jem – do të dinë t’i adresohen kësaj të djathte të vërtetë, dhe Vlonjatëve në përgjithësi, me respektin që meritojnë.

Jo rrallë, qyteti i Vlorës nuk është trajtuar si duhet për sa i përket kandidatëve që janë caktuar për ta përfaqësuar në të gjithë nivelet e qeverisjes. Shpesh ka munguar vëmendja, e herë të tjera është parë si mundësi përfitimi, pa pyetur për qytetarët e banorët e Vlorës – përkundrazi, dhe duke marrë vendime të qëllimshme, në dëm të qytetit dhe atyre që e banojnë.

Sot, sipas Revistës Monitor, Vlora renditet një nga katër qarqet me rënien më të madhe të lindjeve ne vend, për shkak të emigrimit, por dhe kushteve ekonomike. Ndërkohë që sipas INSTAT, bashkia Vlorë ka papunësinë më të madhe në vend, me mbi 20%. Qyteti ka një jetë kulturore e sociale të vakët, sidomos në muajt e dimrit, dhe nuk ka mundur të kthehet në një atraksion gjithëvjetor turistik, kulturor por sidomos për sipërmarrësit e ata që mund të hapin vende pune.

Nëse shoqëritë perëndimore shkojnë drejt decentralizimit, duke pasur disa qendra të rëndësishme në fushë të caktuara, Shqipëria është një vend i centralizuar, ku gjithçka shkon drejt Tiranës, me një bashki kombëtare në nivel qendror dhe thjesht administrator lokal pa kompetenca. Sa më e largët distanca dhe marrëdhënia mes të zgjedhurit dhe zgjedhësit, aq më e keqe bëhet qeverisja, dhe aq më shumë rritet potenciali për abuzim.

Ndaj në Shtetet e Bashkuara për shembull bëhen zgjedhje që nga administratori i pallatit, i lagjes e komunës, deri te bordet e shkollave, kryetari i bashkisë, gjykatësi, prokurori e mandej në përfaqësimin më të lartë të Kongresmenit, Senatorit dhe Presidentit.

Ka një perceptimqë Vlora është një qytet i majtë, dhe kjo bën që në disa raste kandidatët e djathtë të nisin garat që marrin përsipër të dekurajuar, me bindje se do të humbasin, apo në rastin më të keq, me dëshirën për të përfituar nga kjo siguri humbje.

Ndoshta Vlora ka preferuar status quo-n, sepse nuk ka pasur një alternative të vërtetë? Ndoshta alternativa e vetme që u është afruar qytetarëve të Vlorës ka qenë thesi me miell, pasi për gati një dekadë banorët e qytetit janë lënë vetëm nga një forcë politike që do duhet të përfaqësonte qendrën e djathtë apo dhe konservatorët? Sigurisht, pa zbehurefektin që ka pasur deformimi i votës. Por, deformimi, vjedhjet e manipulimet minimizohen ne kutinë e votimit kur një kandidat bind një numër jashtëzakonisht të madh njerëzish për të dalë e votuar. Dhe njerëzit dalin kur binden nga një vizion, alternativë, program dhe një mënyrë e të bërit të gjërave ndryshe. Nëse e majta dhe e djathta konvergojnë dhe ofrojnë një model, thjesht individë të ndryshëm, është logjike që këtë betejë e fiton e majta gjithmonë.

Është e vërtetë që bashkia e Vlorës është e vështirë për t’u fituar nga një kandidat i djathtë, por jo e pamundur. Madje, kandidati që do të dalë nga primaret duhet të hyjë me bindjen se e fiton – përndryshe e ndërmerr këtë përpjekje së koti, thjesht për të rritur name recognition-in e vet. Duhet një punë e jashtëzakonshme në terren, me individët, me familjet, me sipërmarrësit, me njerëzit e administratës, me punëtorët e çdo grup interesi të mundshëm, për t’i bindur për një alternativë tjetër. Nëse kandidati nuk ka ide të vetat, një vizion bindës e shpresëdhënës dhe më e rëndësishmja nuk është i bindur për një fitore, nuk ka se si të bindë të tjerët, qoftë elektoratin gri, por sidomos të djathtët e dekurajuar.

Pas bindjes për të fituar, vizioni është elementi i dytë dhe ndër më kryesorët që një kandidat duhet të ketë. Edhe votuesi potencial më i pa-interesuar duhet të ketë një ide se për çfarë idesh qëndron kandidati, cilat janë vlerat e parimet e tij. Me këto ide duhet energjizuar votuesi i djathtë, dhe natyrisht, duhet të bindet votuesi gri dhe i majtë se me këto parime dhe me këtë botëkuptim të përkthyer në program politik, qyteti bëhet më mirë. Krijohet përshtypja, shpeshherë, se që të fitohet duhet afruar votuesi i majtë duke propozuar teza të majta. Një i djathtë i vërtetë beson se qyteti, apo vendi, përmirësohen me ide të djathta, dhe bën punën e vështirë por të domosdoshme për të bindur dhe të pavarurin dhe të majtin se këto ide janë ato që funksionojnë.

Së treti, duhet shkuar në çdo zonë të mundshme të bashkisë, nëpërmjet takimeve të hapura, për të diskutuar mbi problemet reale të zonës dhe duke dhënë zgjidhjen. Njerëzit e mirëpresin vizionin, por ai duket përkthyer në një ofertë konkrete, që reflekton parimet dhe idetë e kandidatit. Pra, duhet një zgjidhje e djathtë për rrugët e pashtruara, kanalizimet, tenderat publikë, administratën bashkiake, madhësinë dhe kompetencat e saj, për pastërtinë, për sigurinë në qytet, për gjobat, për policinë dhe sjelljen e saj në raport me qytetarin, për lehtësinë e të bërit biznes etj. Njerëzit duan konkretësi dhe mbi të gjitha zgjidhje, e jo fjalë të përgjithshme që si beson kush, për tema që s’i kupton njeri.

Ndaj, kandidati duhet të thotë se si do krijohen vende pune në qytet, si do binden biznese vendase e të huaja për të hapur filiale të tyret në Vlorë, si do rikthehet jeta kulturore e shoqërore, si do zvogëlohet burokracia, si do bëhet individi më pak i varur nga administrata lokale, si do përmirësohet sektori i turizmit, bujqësia e ndërtimit, si do ketë më shumë konkurrencë në treg e më pak ndërhyrje qeveritare, brenda kompetencave që ka qeveria lokale.

Së katërti, kandidati duhet të jetë i besueshëm e jo robotik. Suksesi i një kandidati si Donald Trump në zgjedhjet e vitit 2016 erdhi se foli me gjuhë të thjeshtë, për probleme e çështje që preknin të gjithë,pa kopjuar askënd,shpesh duke kritikuar dhe sistemin që e kishte bërë atë miliarder, e duke transmetuar zgjidhje të djathta – ndërkohë që gjithë rivalët e tij dhe paraardhësit në detyrë ishin një prerje, kopje të njëri tjetrit.Personi që dëgjon duhet të dalë nga takimi i bindur se kandidati e ka seriozisht, dhe kupton realisht problemet që i transmetohen.

Nga ana tjetër, është natyra njerëzore që i bën njerëzit të duan të ndihen si pjesë e diçkaje më të madhe se vetja e tyre. Për shembull, pjesë e një lëvizje reale që do bëjë histori duke kthyer Vlorën blu. Nëse njerëzit bëhen pjesë që në primare, dhe më pas idetë e tyre, propozimet dhe ata vetë kthehen në kryefjalë të fushatës, rriten gjasat për një fitore në zgjedhjet për qytetin. Kandidati vërtet del nga primaret e PD, por nuk duhet thjesht të krijoje një shumicë te djathtë, por një shumicë vlonjate, politike dhe të shoqërisë civile.

Aq më tepër nëse kësaj teze i shtohet ideja e balancimit të pushtetit. Kandidati i djathtë i dalë nga primaret nuk duhet të shihet si një pengesë për punët që mund të bëhen në Vlorë. Një kandidat i majtë do kishte tezën kryesore vazhdimin e punëve të nisura me argumentin se një kryetar i djathtë do pengonte zhvillimin e Vlorës dhe nuk do bënte asgjë – dhe e majta në përgjithësi është shumë më përpara për sa i përket PR-it. Sigurisht, nuk është qëllim i këtij shkrimi analiza e punëve dhe dëmit që i është bërë qytetit të Vlorës, që nga betonizimi i pa fre, te humbja e identitetit historik e kulturor të qytetit, apo ngushtimi i rrugëve. Gjithsesi, një kryebashkiak i djathtë duhet paraqitur – dhe do duhet të ishte – jo një pengues, por një kontrollues i pushtetit qendror në lidhje me Vlorën. Çdo qytetar do duhet të donte sigurinë e një institucioni që kontrollon se çfarë bëhet me taksat që paguan e si përdoren ato. Çdo qytetar do donte të kishte një zë për projektet madhore të qytetit, dhe mënyrën se si ato realizohen, ndoshta nëpërmjet një referendumi lokal.

Së fundmi, një kandidat i djathtë do duhet të kombinonte prezencën në terren (të tijën dhe të mbështetësve me takime, stenda, fletëpalosje e një network të madh mbështetësish e vullnetarësh), me një përpjekje, pse jo, edhe për të mbledhur fonde në mënyrë transparente, dhe me një prani të madhe në rrjetet sociale dhe në mediat lokale e qendrore. Është e pamundur të arrihet çdo individfizikisht. Por është e domosdoshme që idetë dhe vizioni të transmetohen te çdo banor e votues në bashkinë e Vlorës, edhe te ata që banojnë jashtë. Sidomos te ata që banojnë jashtë! Ky është komponenti i fundit dhe më i rëndësishëm. Në dhjetë vitet e fundit janë larguar mbi 700,000 shqiptarë, që më së shumti janë të pakënaqur me mënyrën e qeverisjes së vendit. Një pjesë e madhe i përkasin qytetit të Vlorës, dhe duhet gjetur mënyra për t’i bindur të kthehen e të votojnë, veçanërisht ata që janë ne vendet fqinje. Nëse kandidatët qëndrojnë te popullsia aktuale e Vlorës, do ngelen në të njëjtin rezultat të viteve të fundit. Ndryshimi vjen te dallga e njerëzve që binden për të votuar.

Dhe kjo na sjell te rasti i shtetit të New York, një shtet i majtë që nuk ka prodhuar një Guvernator republikan prej 20 vitesh. Lee Zeldin – kandidati i djathtë në zgjedhjet e fundit – ndonëse nuk fitoi, arriti rezultatin më të mirë që nga viti 2004, duke humbur me një diferencë prej 5 pikësh, dhe duke ndihmuar shumë kandidatë për në Dhomën e Përfaqësuesve të fitonin në zona të shtetit të New York historikisht të majta. Pra, një kandidat i mirë e i fortë për Bashkinë e Vlorës, bën që të ketë sukses dhe lista për këshilltarë bashkiakë.

Zeldin arriti të vinte në vështirësi kandidaten e majtë Kathy Hochul, duke vendosur theksin te problemet aktuale të shtetit, te kriminaliteti në rritje, taksat e larta, largimi i popullsisë drejt shteteve të djathta brenda SHBA. Në një shtet ku ka të regjistruar të majtë 65 përqind e popullsisë, dhe vetëm 35 përqind të djathtë e të pavarur, rezultati i tij me 47.1% ishte mbresëlënës. Nga shteti i New York në vitet e fundit janë larguar mbi 1 milionë njerëz. Nëse këta do të ishin kthyer për të votuar, ndoshta rezultati mund të ishte ndryshe.

Ndërsa në Florida ka ndodhur dhe një arritje më e madhe. Guvernatori DeSantis, i cili fitoi me 0.5% diference në vitin 2018, në zgjedhjet e këtij muaji fitoi me një diferencë prej gati 20%, duke kthyer shumë zona të majta në të djathta, dhe duke ndihmuar të zgjidheshin dhe Kongresmenë Republikanë në shumë rajone që kishin prodhuar veç të majtë për dekada. U shpërblye vizioni i djathtë i DeSantis, me politikat konkrete që ai ndoqi si nga ana ekonomike dhe nga ana kulturore. Tashmë Florida është kthyer nga një shtet fushëbetejë në një shtet qartësisht të djathtë, falë zvogëlimit të qeverisë vendore, uljes se taksave dhe tatimit zero për pagat, shpenzimeve të ulëta qeveritare, lehtësisë së të bërit biznes, konkurrencës dhe uljes së ndërhyrjeve qeveritare që kanë bërë që kompanitë të shkojnë në Florida nga mjedisi atraktiv ekonomik, dhe për rrjedhojë janë hapur më shumë vende pune. Gjithashtu,i është vendosur fokusi mbrojtjes së kulturës, traditës e historisë, dhe identitetit të shtetit e zonave të ndryshme.

Ndryshimi në Vlorë është i mundur. Thjesht kërkon një seriozitet në paraqitjen e ofertës politike, një mobilizim të jashtëzakonshëm, një artikulim të një vizioni të djathtë dhe politikave konkrete, duke u paraqitur njerëzve saktësisht se si do të impaktohet jeta e tyre në katër vitet e ardhshme. Jam i bindur se vlonjatët do dine të dëgjojnë dhe të përgjigjen me po aq seriozitet.

*Nikola Kedhi është ekspert ekonomik, konsulent financiar dhe kontribuues në media të ndryshme si Fox News, Daily Signal, Newsmax, Il Giornale, The Federalist, CapX, European Conservative, Contrepoints, El Español , dhe Mises Institute. Mendimet janë personale të autorit.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco