Në çdo samit ku mblidhen krerët e BE protestohet, protestohet edhe për kot

Në çdo samit ku mblidhen krerët e BE protestohet, protestohet edhe për kot

Nga Hysni Gurra - 19/11/2022

Në kushtet kur BE-ja vazhdon prej 30 vjetësh akoma me raporte të tipit “Shqipëria ka bërë hapa para në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, Shqipëria ka përparime sa i përket lirisë së medies, Shqipëria ka drejtësi…”, raporte që përgatiten në Tiranë, shkojnë në Bruksel dhe nga atje vijnë prapë në Tiranë, pa ndryshime, pa analizë, po vijnë veç me peshën “Bruksel-BE” sipër, njëlloj siç ndodh me naftën.

Nxirret në Ballsh, ngarkohet në vaporë, shkon në BE dhe na vjen prej andej me një barrë taksash e peshë fitimi mbi të, është e rafinuar, po nafta jonë domethënë, edhe rafinuar gjysmë ujë, gjysmë naftë.

Në çdo samit ndërkombëtar qoftë i BE, si ky që do të bëhet në Tiranë, por qoftë edhe nga këto të NATO-s, ne shohim turma protestuesish në rrugët dhe përballë sallave ku mbahen samite të tilla.

Diku protestojnë ata të klimës, diku anarkistët, diku tjetër për ekonominë e me radhë, edhe këta të LGBT-së bile.

Pse na shitet si “turp” protesta e lajmëruar e opozitës më 6 dhjetor në Tiranë?

Ç’është ky kompleks idiot inferioriteti?

Po pse qenka turp?

A nuk janë turp përpjekjet e ambasadorokracisë për të asgjesuar opozitën në Shqipëri?

A nuk është turp heshtja për kanabizimin?

A nuk është turp reagimi me gjysmë zëri për mungesën e lirisë se medies, korrupsionin masiv, krimin, pastrimin e parave nga mafia…?

A i kemi ne partnerë ata? Po pse të kemi turp nga protesta kur në vendet e tyre është ushtrim normal qytetar protesta?

Ç’është kjo mendësi idiote, e qëllimshme?

Cilido që e trajton ”turp”, jo po nuk duhet se fëlliqemi me BE etj, ose është inferior në mendësi, ose është zift nga ligësia dhe do që të kompleksojë shqiptarët se, ja po bëjmë turp.

Shqiptarët nuk janë më në vitet ‘90 që kishin ëndje ta preknin me dorë një të huaj se i dukej si jashtëtokësor.

Po s’ka turp më të madh në botë se tolerimi dhe mbështetja që po i jepet një regjimi gjysmë mafioz në Shqipëri, i cili ka asgjesuar votën, ka veshur krimin me pushtet, ka bërë korrupsionin lajtmotiv të pushtetarëve.

Turpi mbuloftë ata që shkelin principet e demokracisë, mbyllin sytë kur shohin që vlerat që propagandojnë vetë nëpërkëmben e nuk respektohen fare në vende si Shqipëria.

Turpi mbuloftë këta që vjedhin pasuritë e popullit të tyre me skema mafioze si inceneratorët, rrugët, PPP në shëndetësi, portin etj.

Kisha menduar që opozita do ndihej e kompleksuar dhe nuk do të ndihej atë ditë. Por as që bëhet fjalë që vendimi për të protestuar (ta shohin edhe burokratët e Brukselit me sytë e tyre ç’ndodh këtu) është një vendim tepër i drejtë, në përputhshmëri të plotë me vlerat demokratike dhe tepër dinjitoz për ne si popull.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco