Shqipja standard dhe formalina e Odise Paskalit

Shqipja standard dhe formalina e Odise Paskalit

Nga Mehmet Elezi - 10/11/2022

Nuk është afrimi i pesëdhjetëvjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit që cyti debate. Është vendimi i dy akademive, në Tiranë e në Prishtinë, për “konferencë jubilare në nderim” të tij. Ngutja për “konferencë jubilare në nderim të”, në vend të një konferencë shkencore “ç’duhet të ndreqim në rrethanat e reja”, le shije të dyshimtë. A thua gjuha shqipe po përdoret si vang (pretekst) me i thurë lavde tërthorazi politikës së shkuar?

Akademia në Tiranë vazhdon me u rrëshqitë do të vërtetave, të cilat venë në pikëpyetje gjithë çka është thënë zyrtarisht për “gjuhën letrare të njësuar”. Përzgjedhja e fakteve “me syrin politik”(!), vështirë se është shkencë. Si për ta vërtetuar këtë, disa studiues flasin për Kongresin me terma propagande: “mbështetje mbarëpopullore”, “entuziazëm drithërues”.

Të tjerë, jo gjuhëtarë, tundin kryet: me gjuhën mos luani. Përmendin Çabejn si autoritet garant të standardit (!), kur dihet se dijetarin e madh e patën shmangur, pikërisht pse s’u pajtua me politikën gjuhësore, që u ndoq në vitet pesëdhjetë deri në Kongres. Siç patën shmangur edhe A. Xhuvanin e të tjerë. Për ata që duan të jenë seriozë, një pyetje: kush luan me gjuhën, disa që duan një standard të ndrydhur në ngurtësinë e njëanshme, duke u gërryer e duke u bjerrë, apo ata që kërkojnë t’i jepet më shumë hapësirë e ajër?

Të fundit janë gjithologët. Një pjesë e mirë, militantë partiakë bjerraditës. Ani pse herë-herë edhe me diplomë unversitare.  Mbajnë iso, duke mbushur median shoqërore me fjalor joetik. Duket se mbrojnë “gjuhën letrare”, por ndihet se duan të mbrojnë partinë. Kur shpërlahet truri, gjallërohet nënvetëdija, zgjohen instinktet.

Deri sot s’kanë dalë zëra të fortë që kërkojnë përmbysje, zëvendësim të bazës dialektore toske me bazë gege. Tjetërçka kërkohet: hapja në mënyre shkencore e standardit të 1972-shit, për ta bërë gjithëpërfshirës; një reformë që e afron me realitetin mbarëshqiptar, që e rimbush me energji përballë sfidave të integrimit e të globalizmit.

Me fjalë të tjera: standardi të reformohet dhe ky reformim të bëhet mbi shina gjuhësore, jo politike.

Siç del nga hulumtimet për historikun e tij, standardi u konceptua e u ligjësua me argumente politike. Piketat e para i pati hedhur Sejfulla Malëshova. Ai ra nga kali, por projekti gjuhësor mbeti. Pse? E thotë shpalimi i fakteve të lëna me dashje në terr: projekti ishte nxitur politikisht nga nalt. E ka pohuar edhe A. Kostallari, i njohur si “ideologu” i “gjuhës letrare të njësuar”: Enver Hoxha “ka përpunuar me një largpamësi shkencore politikën gjuhësore të partisë e të shtetit tonë”!

Gjuha është qenie e gjallë. Kam lexuar diku se skulptori Odise Paskali paskësh pasur një të dashur; ajo vdiq dhe për shumë kohë ai e ruajti zemrën e saj në formalinë. Gjuha shqipe nuk mund të përdoret për të ngjallur një dashuri të vdekur, duke e ruajtur standardin e saj në formalinë. Një nga mënyrat e shkatërrimit të standardit është trajtimi i tij si “lule mos më prek”.

Gjuha shqipe është dashuri në veprim. E përjetshme.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco