Vuçiçi e ka më të lehtë të negociojë me një shqiptar të korruptuar

Vuçiçi e ka më të lehtë të negociojë me një shqiptar të korruptuar

Nga Arbër Zaimi - 07/11/2022

1 - Vuçiçi e ka më të lehtë të negociojë me një shqiptar të kapur apo të korruptuar dhe këtë e ka thënë disa herë. Nga ana tjetër edhe Kurti do ta kishte më të lehtë të negocionte me një serb të lirë prej interesave mafioze dhe mentalitetit shovinist.

2 - Vuçiçi nuk dëshiron dialog për sa kohë ka përballë Kurtin. Prandaj bën eskalime dhe provokime ushtarake në kufi, si dhe urdhëron rrjetin e vet kriminal të djegin veturat e serbëve të Kosovës, e t’i detyrojë ata të dalin nga institucionet. Nga ana tjetër ftesat dhe politikat e Kurtit janë që serbët e Kosovës të përfitojnë prej të drejtave ligjore, të zbatojnë ligjet dhe të integrohen në institucione.

3 - Qytetarët serbë të Kosovës janë lodhur nga politikat e Vuçiçit, prandaj ata nuk i janë përgjigjur masivisht thirrjeve të tij për protesta e barrikada as në vitin 2021 e as tash. Pjesëmarrja e ulët në protesta tregon se masa e serbëve të Kosovës dëshiron paqe. Por Vuçiçit kjo nuk i intereson, prandaj i mban nën tension e kërcënim. Mospjesëmarrja e qytetarëve serbë në protesta e barrikada është arsyeja se pse Vuçiçi urdhëroi zyrtarët e Listës Serbe që të dorëhiqen nga institucionet.

4 - Tensioni, djegiet e veturave të qytetarëve serbë nga kriminelët serbë, urdhri që serbët të tërhiqen nga institucionet, janë strategji e Ballkanit të Hapur për të sabotuar Procesin e Berlinit. Tash që Procesi i Berlinit u rikthye me sukses e marrëveshje rajonale, komandanti i Ballkanit të Hapur, Vuçiçi, i cili nuk shkoi në Berlin, po bën çmos të tregojë se çelësat e Ballkanit i ka vetëm ai.

5 - Urdhri i Vuçiçit për tensionim të serbëve në Kosovë vjen në kohën kur janë shtuar përpjekjet e SHBA dhe BE për të gjetur zgjidhje e marrëveshje mes Kosovës e Serbisë. Zgjidhja e marrëveshja i intereson popullit të Serbisë dhe popullit të Kosovës. Por nuk i intereson klasës politike shoviniste në Beograd, Vuçiçit, e sidomos nuk i intereson shefit të vet, Putinit.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco