A po përgatitet Vladimir Putini për një sulm bërthamor?

A po përgatitet Vladimir Putini për një sulm bërthamor?

Nga Mark Galeotti - 26/10/2022

Presidenti rus, Vladimir Putin mbikëqyri sot një stërvitje të përvitshme të forcave strategjike bërthamore të Rusisë. Po sa i përgatitur është ai për një sulm bërthamor?

Nga Mark Galeotti, SPECTATOR

Rusia po shpërndan disa tregime të pabesueshme për ‘bombat e pista’ të Ukrainës. Kievi dhe Perëndimi kanë nisur një fushatë për t’iu kundërvënë kësaj propagande dhe sërish po flitet për rrezikun që Moska të përdorë armë të shkatërrimit në masë në Ukrainë. Dhe ky është thelbi.

Para së gjithash, ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu theu heshtjen relative me muaj të tërë- të paktën me Perëndimin- dhe telefonoi homologët e tij britanikë, amerikanë, francezë dhe turq. Mesazhi i tij kryesor ishte të pohonte, pa asnjë provë në mbështetje të pretendimeve të tij, se Kievi po përgatitet të përdorë një bombë të pistë. Ky është një municion konvencional, që është i mbushur me materiale radioaktive, të cilat shpërndahen kur bomba shpërthen. Një shpërthim i tillë do të ishte shumë më pak shkatërrues se pothuajse çdo shpërthim bërthamor, por do të konsiderohej sërish një armë e ndaluar e shkatërrimit në masë.

Homologët perëndimorë të Shoigu hodhën poshtë me shpejtësi akuza tdhe paralajmëruan se ato nuk mund të përdoren si pretekst për përshkallëzimin rus. Megjithatë, rusët kanë vazhduar sërish retorikën, duke thënë se Kievi po planifikon të shpërthejë një ‘bombë të pistë’ në tokën e tij si një provokim të rremë, duke pretenduar se ky ishte një sulm bërthamor me rendiment të ulët nga Rusia.

Një ‘bombë e pistë’ është një koncept i tmerrshëm, por një armë e dobët lufte. Rrjedhja e kësaj bombe do të kontaminonte zonën përreth, por njerëzit me shumë gjasë nuk do vuanin nga doza fatale apo edhe nga efekte seriozisht të dëmshme të rrezatimit. Për më tepër, nuk bëhet fjalë që të ngatërrohet me një shpërthim të vërtetë bërthamor, pasi profilet e shpërthimit dhe rrezatimit do të ishin krejtësisht të ndryshme.

Në çdo rast, Kievi po lëviz me shpejtësi për të adresuar pretendimet. Me kërkesën e tij, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore ka njoftuar se do të dërgojë inspektorë në dy vendet bërthamore të Ukrainës të përmendura nga burimet ruse, në Uzinën e Pasurimit të Mineraleve në Dnipropetrovsk dhe në Institutin e Kërkimeve Bërthamore në Kiev. Materialet bërthamore janë inventarizuar dhe gjurmuar me kujdes dhe nuk mund të bëhet fjalë që sasi të konsiderueshme të devijohen pa lënë gjurmë për të prodhuar një bombë të supozuar.

Atëherë, çfarë loje po luan Moska? Frika e pashmangshme është që ata po krijojnë skenën për përdorimin e një arme të tilë, për të cilën do të fajësojnë Kievin. Megjithatë, ky do të ishte një akt i terrorizmit bërthamor, për të cituar ambasadorin rus në OKB, Vassily Nebenzia. Është gjithashtu e vështirë që të shihet se çfarë vlere reale do kishte diçka e tillë. Një ‘bombë e pistë’ ndoshta mund të ketë një efekt të kufizuar në fushën e betejës, duke i bërë rrugët e hyrjes drejt Khersonit dhe Krimesë më të vështira për ukrainasit, por ky do ishte një avantazh i vogël dhe i përkohshëm.

Po kështu, megjithëse mund të përdoret si justifikim për ndonjë përshkallëzim tjetër, Moska nuk ka pasur nevojë për ndonjë justifikim të vërtetë në të kaluarën. Përveç kësaj, Kremlini ka një histori të shpikjes së pretendimeve të rreme. Në mars, ajo pretendoi se ekziston një program i përbashkët i luftës biologjike SHBA-Ukrainë, një mashtrim që u rrëzua shpejt nga OKB. Në prill ishte radha e një ‘bombe të pistë’ dhe më pas në qershor u tha se Kievi po përgatiste një sulm të rremë me armë kimike në Odesa, që më vonë u zhvendos në Donetsk dhe Mykolaiv. Asnjë prej tyre, e panevojshme të thuhet, nuk u materializua kurrë.

Mund të ndodhë që rusët po përgatisin terrenin për diçka tjetër, siç është hedhja në erë e digës Kakhovskaya për të mbrojtur tërheqjen e trupave të saj nga Khersoni. Megjithatë, ka më shumë të ngjarë që kjo është vetëm një fazë tjetër në përpjekjet e Moskës për të minuar mbështetjen e vazhdueshme të Perëndimit për Ukrainën.

Në fund të fundit, kjo pason sugjerimet e përsëritura të Vladimir Putinit se ai mund të përdorë armë bërthamore jostrategjike- sado e pamundur të duket kjo. Që tani ka zëra në Perëndim që argumentojnë se disa lloj lëshimesh janë të nevojshme për të shmangur një përshkallëzim apokaliptik, më së fundmi ishte një letër nga 30 anëtarë të Grupit Progresiv të Kongresit të SHBA, që i kërkojnë presidentit Biden të bëjë një nxitje diplomatike proaktive për t’i dhënë fund luftës. Ndonëse letra u tërhoq me shpejtësi, ajo përfaqëson shembullin më domethënëse të ndarjes mbi luftën në Partinë Demokratike dhe reflekton frikën e një përshkallëzimi.

Putini duket se e ka kuptuar se shpresa e tij e vetme e vërtetë për fitoren është që të mbajë këtë linjë aq gjatë sa Perëndimi të humbasë unitetin dhe angazhimin ndaj luftës. Për këtë qëllim, çdo gjë që përforcon mesazhin se ai është mjaftueshëm i hapur për të përshkallëzuar luftën në mënyra të reja katastrofike, ndihmon në mënyrë perverse çështjen e tij. Duke supozuar se asgjë nuk vjen nga kjo historia e fundit, mund të presim një rrjedhë të vazhdueshme pretendimesh të çuditshme dhe pa prova mbështetëse.

Gjithsesi, ka shenja shprese. Biseda e Shoigu me homologun e tij britanik, Ben Wallace, mund të ketë qenë vetëm për hir të propagandës, por mesa duket ishte profesionale dhe e respektueshme. Ajo gjithashtu pason një bisedë mes Shefit të Shtabit të Mbrojtjes, admiralit Sir Tony Radakin dhe homologut rus, gjeneralit Valery Gerasimov. Edhe nëse këto biseda nuk panë përputhje mendimesh, në kohë krize është e rëndësishme të mbahen të hapura të tilla linja komunikimi.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco