Tërheqja e Bidenit nga Afganistani mbetet katastrofë e dobësisë amerikane edhe pas një viti

Tërheqja e Bidenit nga Afganistani mbetet katastrofë e dobësisë amerikane edhe pas një viti

Nga Mike Pompeo - 30/08/2022

Nga Mike Pompeo*, FOX NEWS

Më 30 gusht 2021, Gjenerali Christopher Donahue hipi në një avion ushtarak amerikan C-17, që pas pak minutash do të linte Kabulin. Gjeneral Donahue ishte anëtari i fundit i ushtrisë amerikane që la pas Afganistanin dhe largimi i tij mbylli librin e një dështimi të plotë që pa se si talibanët, që më parë ishin detyruar të tërhiqeshin në rajonet kodrinore në jug të vendit, morën gjithë Afganistanin brenda pak ditëve. Tragjikisht, pa edhe vdekjen e 13 anëtarëve të shërbimit amerikan të vrarë në një sulm terrorist në aeroportin e Kabulit.

Një vit pas këtyre ngjarjeve, është e rëndësishme të kujtojmë se asnjë nga këto nuk ishte një përfundim i parashikuar. Administrata Trump negocioi një tërheqje të bazuar në kushte që do t’i mbante të sigurtë ushtarët dhe civilët tanë, si dhe aleatët e partnerët tanë afganë. Kjo marrëveshje u bazua në tërheqjen e rregullt të forcave tona, ndërsa talibanët ranë dakord që të mos kërcënonin Amerikën apo interesat e saj teksa ne tërhiqeshim.

Plani funksionoi, personeli u ul nga rreth 15 mijë në vetëm 2500 kur Trump la postin. Gjatë tërheqjes, i shkurajuam talibanët duke e mbështetur marrëveshjen me akte. Sa herë që talibanët e shkelën marrëveshjen, i goditëm. Fort! Nuk i besuam kurrë e as nuk e fjetëm mendjen nga premtimet e tyre. Si rezultat, asnjë anëtar i vetëm i shërbimit amerikan nuk u vra.

Për fat të keq, administrata Biden e hodhi në kosh planin e tërheqjes të bazuar në kushte dhe vendosi të largohej pa kushte, duke besuar se talibanët nuk do të përfitonin nga boshllëku i lënë. Kjo u shndërrua në një nxitim kaotik për t’u larguar, pa habitur askënd, përveç Presidentit Biden. Administrata e tij mbajti kursin, duke i pasuar gabimet me më tepër gafa e dobësi.

Administrata tërhoqi personelin ushtarak para evakuimit të civilëve amerikanë, duke i lënë ata në mëshirën e talibanëve. Dështoi t’u imponohej talibanëve, duke i lejuar të nxitonin përmes vendit drejt Kabulit pa rezistencë. Lejoi miliarda dollarë materiale e pajisje ushtarake amerikane të binin në duart e talibanëve teksa trupat tona u urdhëruan t’i linin pas. Duke ditur përkrahjen e fortë të Kinës për talibanët që nga marrja e vendit, mund të merret lehtë me mend se ku mund të kenë përfunduar ato pajisje.

Tani, pas një viti, sundimi brutal i talibanëve po jep rezultatet e pritshme. Afganistani përballet me borxhe dhe krizë urie. Ata rimbyllën shkollat për vajzat dhe detyruan gratë të vënë perçe. Të gjitha të drejtat elementare të njeriut u dhunuan.

Në mënyrë absurde, talibanët po kërkojnë ndihmë edhe nga komuniteti ndërkombëtar. Asnjë qindarkë nuk duhet t’u japim këtyre maskarenjve e terroristëve! Ata vazhdojnë të strehojnë terroristë mes tyre dhe bashkëpunojnë me ta. Al Qaeda vazhdon të hedhë rrënjë të qëndrueshme në Afganistan e Iran dhe ndërsa komuniteti ynë i inteligjencës e ka aftësinë për t eliminuar kërcënime specifike nga larg – si në rastin e pasuesit të Osama Bin Ladenit, Ayman al-Zawahiri – do të ishte budallallëk nga ana jonë të mendonim se një vend tërë mund të ndalohet së bëri strehë terroristësh përmes goditjeve të objektivave.

Cila është pasoja e tërheqjes së dështuar të administratës Biden nga Afganistani? Jemi duke e përjetuar.

Debakli i ekipit Biden në Afganistan paralajmëroi ardhjen e dobësisë amerikane. Vladimir Putin e vuri re këtë dobësi dhe e dinte që kishte dritë të gjelbër për të sulmuar Ukrainën. Xi Jinping e vuri re këtë dobësi dhe e dinte që mund ta kërcënonte sipas qejfit Tajvanin. Regjimi në Iran e vuri re dhe e dinte se mund të vinte shpërblime për kokat e amerikanëve, të financonte terrorin nga Bregu Perëndimor në Jemen e t’u jepte strehë liderëve të Al Qaeda-s teksa bënte sikur “negocionte” një marrëveshje të re bërthamore me zyrtarët e Bidenit.

Edhe diktatorë më pak të fuqishëm janë hedhur në aksion. Në Venezuela, Nicolas Maduro pret grupe ushtarake nga Kina, Rusia e Irani për manovra të përbashkëta ushtarake, në një sfidë të qartë ndaj SHBA në hemisferën tonë. Djemtë e këqij të botës sot ndihen “të lirë të lëvizin nëpër kabinë” dhe kjo nisi me paaftësinë dhe dobësinë e Joe Biden një vit më parë në Afganistan.

Megjithatë, duhet të jemi të kujdesshëm për të bërë dallimin midis tërheqjes së dështuar të Bidenit dhe trashëgimisë që lanë pas burrat e gratë që shërbyen në Afganistan. Shumë nga këta veteranë sot vrasin mendjen nëse dështuan apo edhe nëse ia vlejti që shkuan atje, duke parë se si u larguam.

Duam të jem i qartë: Ju nuk dështuat! Shërbimi juaj ia vlejti!

E kam parë vetë si drejtor i CIA-s dhe Sekretari i Shtetit: Ushtria amerikane arriti rezultate të mira për amerikanët në Afganistan. Puna juaj i mbajti amerikanët të sigurt. Ju nuk dështuat në mision; ishin liderët e Amerikës që dështuan me ju.

Joe Biden e injoroi marrëveshjen që negociuam dhe zgjodhi të lante duart me Afganistanin. Për pasojë, ua la pa kushte në duar talibanëve dhe vuri në rrezik amerikanët. Neglizhenca e tij dhe e administratës së tij, si dhe mungesa e plotë a kapacitetit udhëheqës ishte tradhti e sakrificave tuaja. Por ajo nuk do ta ndryshojë kurrë trashëgiminë e vërtetë të heroizmit dhe sakrificës që ju latë pas.

*Mike Pompeo është ish-Sekretar Shteti i SHBA dhe ish-Drejtor i CIA-s, tani kontribues për Fox News.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco