Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ A po e shet Rama Veliajn?

Fishekzjarret në 12 të natës, strategji shpopullimi apo gomarllëk shqiptar

Fishekzjarret në 12 të natës, strategji shpopullimi apo gomarllëk shqiptar

Nga Avni Nezaj - 22/08/2022

Kjo është një pyetje për të cilën e kam përgjigjen të plotë dhe pa asnjë pikë dyshimi. Por me vjen çudi që askush, ose shumë pak njerëz reagojnë ndaj një sjellje brutalisht të ndyrë, aspak njerëzore, një trapllëk me brirë të gjatë, një sjellje që tregon se akoma jemi larg qytetërimeve që u përkasim dhe që duam tu bashkohemi.

Nëse nuk e keni dëgjuar asnjëherë, çka nuk jam i bindur, secilit nga ne i ka ndodhur që në 12 të natës të zgjohet i trembur, fëmijët duke bërtitur, pensionistët që shajnë e mallkojnë se dikush paska ditëlindjen e ata duhet të festojnë fiks në 12 të natës edhe me fishekzjarre. Me krisma se ndryshe nuk ka lezet!!!!!

Ata të festojnë e qindra të tjera të tmerrohen. Fiks në 12 të natës shpërthejnë pa kurrfarë paralajmërimi, pa ndonjë lajm në media, pa ndonjë njoftim paraprak tek dera e pallatit, tek hyrja e lagjes, se sonte ka ditëlindjen ndonjë kaposh apo kaposhe nëpër lagje. E të gjithë duhet të rrimë gatitu në 12 të natës. Fiks në 12 të natës që të përshëndesim ditëlindjen e secilit që i ka hipur delli të festojë me krisma, e të tjerët të shpresojnë që shpërthimet të mbarojnë sa më shpejt. Se ka njerëz që flenë se shkojnë në punë në mëngjes herët, se ka të sëmurë që mezi i zë gjumi, se ka fëmijë që janë duke parë ëndrra kjo nuk është në llogaritë e ditëlindjefestuesve të orës 12 të natës.

Shtet e polici nuk ka gjëkundi. Sepse nuk kam dëgjuar ndonjë procedim apo ndonjë gjobë, sidomos nga hajdutët e policisë bashkiake, për këta soj njerëzish që shqetësojnë banorët e tjerë. Që trembin fëmijët e të moshuarit, që shkatërrojnë jetën sociale të secilit prej nesh.

Po kur qëllon që ditëlindje nuk ka vetëm një, por dy, tre. Atëherë lufta në Ukrainë të dukët si një lojë zbavitëse në internet. Të gjithë familjet zgjuar. Dyer që hapen, dritare që kërcasin dhe ata që presin urimet për ditëlindje, marrin mallkime dhe sharje. Dhe kjo është e vërtetë. Për të qenë i sinqertë. Sa herë i dëgjoj zgjohem frikshëm dhe i uroj përzemërsisht për një jetë të lumtur dhe të qetë në....

Nuk kam mundur të kuptoj se çfarë gëzimi mund të ketë secila familje që ka një ditëlindje të anëtarit të saj, të ndezë fishekzjarre në 12 të natës e të shkatërrosh qetësinë e gjithë banorëve të pallatit, lagjes. Të nxish një qytet të tërë.

Jam i sigurte se edhe pas këtij reagimi ata që festojnë lindjet, do hedhin fishekzjarre por jam po aq i bindur se në vend të urimeve, secili prej tyre do të marrë mallkime dhe sharje.

Dhe një mesazh për banorët që shqetësohen. Nëse keni frikë të reagoni bëni si ata, fishekzjarre çdo natë aty poshtë dritares të secilit që e bën një gjë të tillë. Postoni fotot dhe videot ne rrjetet sociale ndoshta i vret ndërgjegjja se për shtet, ai ka ikur për lesh.

Dhe një sqarim për shpopullimin që e kam përdorur në titull. Ndoshta nuk ka asnjë kuptim për dikë. Por për disa të tjera ka një domethënie te caktuar. Duke mos qenë të aftë të përballojnë gomarllëqet edhe qeveritare edhe qytetare, shqiptarët do vijojnë ta kërkojnë qetësinë, diku tjetër. Larg prej këtu.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

fitim23/08/2022 09:10

Dihet prej shekujsh qe ekzisteca e shqiptareve ka per qellim t'i beje keq te tjereve. Kete e kane ne gen.

Gj22/08/2022 17:36

Sa herë i dëgjoj dhe është e shpeshtë, kështu si ju mendoj!
Duket si punë vogëlsire në këto kohra, por jo! Është shumë shqetësuese !

?22/08/2022 17:05

Kjo puna e fishekzjarreve në 12 të natës po bën vite tashmë. Shpejt qënke kujtuar o Avni!

Shto koment

Denonco