Sulmi i Ukrainës në Krime shënon një fazë të re të luftës

Sulmi i Ukrainës në Krime shënon një fazë të re të luftës

Nga Mark Galeotti - 11/08/2022

Nga Mark Galeotti, SPECTATOR

Për shumicën e rusëve, realitetet brutale të ‘operacionit special ushtarak’ të Vladimir Putinit nuk janë ndjerë vërtet në shtëpi. Por sulmi i Ukrainës në bazën ajrore Saki në Krimenë Perëndimore të martën fillon të ndryshojë gjithçka, duke shënuar një fazë të re të luftës, një fazë me rreziqe dhe mundësi për Kievin.

Mjeshtrit e propagandës së Kremlinit u përpoqën që të pretendojnë se shpërthimet e filmuara nga pushuesit e tmerruar rusë ishin shkaktuar nga një zjarr municionesh. Megjithatë, teksa videot nisën të bëhen virale në mediat sociale ruse, nuk kishte asnjë dyshim në mendjet e postuesve se ky ishte një sulm. Ata votuan me këmbët e tyre, ose të paktën me rrotat e tyre, dhe Ura e Kerçit që lidh Krimenë me kontinentin u bë një varg i gjatë trafiku, teksa pushuesit në panik largoheshin nga gadishulli.

Disa pretendojnë se sulmi ishte rezultat i një operacioni sabotazhi, të tjerët thonë se ishte sulm me raketa me rreze të gjatë. Nëse është e para, ajo tregon dobësi serioze në sigurinë e zonës së pasme ruse, nisur nga fakti se Krimea është përforcuar shumë nën kontrollin e tyre që nga viti 2014. Nëse është e dyta, atëherë Ukraina ka disa aftësi të reja, ose të prodhuara në shtëpi, ose të furnizuara nga Perëndimi, pasi deri më tani nuk besohej se kishte armë të afta për të kryer goditje precize kundër objektivave më shumë se 200 kilometra nga vija e frontit.

Kievi mohoi çdo përgjegjësi, por me atë shkelje syri që ka qenë tipari i zakonshëm i Putinit në të shkuarën. Duke folur më vonë atë ditë, presidenti Volodymyr Zelensky nuk iu referua shpërthimeve në fjalimin e tij, por u ndal në fatin e gadishullit. Duke vënë në dukje se lufta ruse kundër Ukrainës nisi me pushtimin e Krimesë, ai theksoi se lufta duhet të përfundojë me çlirimin e saj.

Në mënyrën e saj, kjo ishte po aq e rëndësishme sa goditjet në bazën Saki. Shumë qeveri perëndimore kanë inkurajuar prej kohësh privatisht Zelensky-n që të pranojë se ai përfundimisht mund të duhet të dorëzojë Krimenë si çmim për paqen, ose së paku duke këshilluar një paqartësi strategjike- duke i lënë rusët të hamendësojnë dhe duke mbajtur një hapësirë përçarje diplomatike në të ardhmen. Zelensky e ka treguar veten herë pas herë jashtëzakonisht të painteresuar për rregullat e zakonshme diplomatike.

Ushtarakisht, sulmi përfaqëson një kërcënim të zgjeruar për objektet ushtarake ruse. Kjo do të thotë se Rusia do të duhet të shpërndajë më tej depot e saj të furnizimit- gjë që e bën logjistikën edhe më të vështirë- dhe të krijojë një nevojë të re për mbrojtjen e zonës së pasme edhe më larg nga vija e frontit. Mbrojtja e Urës së Kerçit, e vetmja rrugë e mundshme e furnizimit për në gadishulli, bëhet edhe më prioritet.

Për më tepër, sulmi është një goditje e fuqishme politike. Zelensky ka sinjalizuar në mënyrë të vazhdueshme se Putini nuk duhet të supozojë se kjo është një luftë që mund të kufizohet në tokën ukrainase. Ka pasur sulme sporadike ndërkufitare përpara kësaj, por goditja e Sakit është edhe simbolike dhe po luhet në mediat sociale ruse.

Sipas një sondazhi të fundit të raportuar në gazetën Kommersant, vetëm pak më shumë se gjysma e rusëve, 52 përqind, mbështesin vazhdimin e luftë. Më shumë se një e treta, 38 përqind, favorizojnë bisedimet e paqes. Më e rëndësishme, pothuajse dy të treta, ose 62 përqind, besojnë se operacioni special i Rusisë është padyshim i suksesshëm.

Toleranca e rusëve për luftën është në një masë të madhe rezultat i breshërisë së propagandës toksike të pompuar në TV, goditjes së pamëshirshme ndaj medieve të pavarura dhe opinioneve kundërshtuese, dhe përpjekjeve për të fshehur shkallën e humbjeve ruse.

Përballë incidenteve si Saki, bëhet gjithnjë e më e vështirë për Kremlinin të mbajë pretendimin se kjo është një ‘luftë e vogël fitimtare’ (siç pretendonte dikur një zyrtar carist për luftën katastrofike ruso-japoneze në vitet 1904-1905).

Instinktet e menjëhershme ka të ngjarë që të jenë përshkallëzuese. Ish-presidenti Dmitry Medvedev është qesharak, sidomos kur përpiqet që të rikrijojë veten si skifter, por kërcënimi i tij muajin e kaluar se ‘Dita e Gjykimit do të presë menjëherë nëse Ukraina godet Krimenë’ ndoshta pasqyron pikëpamjen e rrethit të brendshëm të linjës së ashpër të Putinit. Në fund të fundit, për ta kjo është diçka si një luftë politike ekzistenciale. Nëse humbasin në Ukrainë, mund të humbasin edhe Moskën.

Por kjo luftë është ekzistenciale edhe për Ukrainën, dhe sulmin në Saki është një shenjë e qartë se Kievi gjithashtu mund ta përshkallëzojë këtë konflikt.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco