Narko-eurot pompohen në ekonomi duke fshehur dramën e vërtetë

Narko-eurot pompohen në ekonomi duke fshehur dramën e vërtetë

Nga Klodian Tomorri - 29/06/2022

Raporti i OKB për drogërat ka një të dhënë shumë interesante. Shqiptarët kanë arritur të bëjnë integrim të plotë vertikal në tregun e narkotikëve duke vënë nën kontroll të gjitha hallkat e tregtimit nga importi, transporti, shitja me shumicë e deri te shpërndarja me pakicë. Tani kanë jashtë zinxhirit vetëm prodhimin.

Përgjithësisht në ekonominë reale një produkt kalon përmes disa hallkave me furnizues të ndryshëm. Një kompani prodhon lëndën e parë, një tjetër produktin gjysmë të gatshëm, kompania e radhës prodhon produktin e gatshëm e kështu me radhë. Kështu funksionon dhe tregu i narkotikëve. Por këta e paskan ndryshuar.

Integrimi vertikal ka shumë avantazhe. Së pari ul kostot. Së dyti të jep më shumë kontroll mbi ofertën dhe çmimet. Së treti, të jep mundësi të shpartallosh konkurrencën. Dhe së fundmi, për shkak të këtyre më sipër, të mundëson më shumë fitime.

Tani llogariteni pak çfarë impakti ekonomik ka kjo. Nëse një kile kokainë shitet 80-85 mijë euro me pakicë, dikur kjo vlerë ndahej tek të gjitha hallkat e furnizimit. Një pjesë e merrnin prodhuesit, një pjesë importuesit, një pjesë tregtarët e shumicës dhe pjesën e fundit, shpërndarësit me pakicë. Tani thuajse e gjithë vlera, përveç prodhimit, merret nga e njëjta dorë. Ky është revolucion në treg.

Çfarë do të thotë kjo? Në Shqipëri do ketë më shumë importe Toyotash, më shumë kompani betoni, më shumë kulla, më shumë hotele dhe madje edhe më shumë investitorë strategjikë. Narko-eurot pompohen në ekonomi duke fshehur dramën që ndodh në krahun tjetër. Sa më shumë euro, aq më pak lopë, dele dhe njerëz do i dalin INSTAT-it vit pas viti.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

krasasi tp29/06/2022 16:06

Konspektim i ' Narkonovelës së gazetarit Klodian Tomorri ,botim i shtëpisë botuese Syri .net'.
Së pari : Kemi një lajm të 'minutës së fundit'. "Shqiptarët kanë arritur të bëjnë integrimin e plotë vertikal në tregun e narkotikëve..."."Tani kanë jashtë zinxhirit vetëm prodhimin". E ka fjalën për kokainën . Ajo e bekuar nuk rritet këtu.
Së dyri: Shqiptarët kanë ulur kostot, pra janë kthyer si "dorë e parë". Rusët,Serbët,Madrilenasit, Roterdamasit ,Bullgarët,Turqit etj ,kanë ulur kokën, dhe presin në radhë të marin 'mallin' nga padronët e rinj shqiptar.
Së treti: Më parë konstaton gazetari, hanin të gjithë.E ka fjalën për kohën kur qeveriste opozita. Hante'Kali,Gomari,Delja,Dhija,Derrat,Pulat, ngelëshin edhe për të ngrënë edhe minjtë.
Së katërti:" Tani thuajse e gjithë vlera, përveç prodhimit, meret nga e njëjta dorë". Nga nomeklatura e mazhorancës.
Së pesti: Tani që kemi përcaktuar shkakun ,na duhet të përcaktojmë pasojat". "Kompani betoni, Kulla.Tojota, Hotele,dhe më shumë Investitor Strategjik".
Ideja kryesore e veprës është dilema 'hamletjane' e elitës politike 32 vjeçare: ti qepemi e ta realizojmë integrimin vertikal të tregëtisë së narkotikëve dhe të përfitojmë beneficet sipas radhës që zëmë në nomeklaturë, apo të zgjedhim zhvillimin e bujqësisë, blegtorisë, fasonerisë, mineralogjisë,industrisë lehtë agro përpunuese etj.etj. 'Sot të gjithë janë krenarë që zgjodhën rrugën e duhur'.

Beni29/06/2022 13:18

Ka ardhur koha qe thjesht te pranohet fakti qe jemi kriminalizuar si shoqeri dhe droga te kthehet ne simbol te Shqiperise.

Shto koment

Denonco