Kurti versus Rama; Asgjë personale, thjesht politikë!

Kurti versus Rama; Asgjë personale, thjesht politikë!

Nga Agim Nesho - 21/06/2022

Kurti dhe Osmani erdhën në pushtet me një përkrahje të gjerë popullore për ndryshim. Ata u përkrahën fuqimisht kur populli kuptoi që politika e vjetër ballkanike, e bazuar në korrupsion dhe klientelizëm, po përpiqej të instalonte regjimet autoritariste, kapjen e shtetit, degradimin e demokracisë në emër të stabilitetit dhe paqes rajonale. Këta të fundit propozonin projekte revizioniste, si ai i ndryshimit të kufijve, për të ridimensionuar vlerat perëndimore dhe çimentuar sundimin e tyre afatgjatë.

Ata erdhën në pushtet në kohën kur aventurierët politike të Ballkanit - një kombinim interesant interesash nga nacionalistët e rinj serbo-rusë, personalitetet nën presion si dhe liderët e dashuruar me vetveten - kishin kapur skenën politike ballkanike. Dhe këta aventurierë u besuan dhe përkrahën në misionin e tyre nën hijen e indiferencës dhe vëmendjes perëndimore nën besimin e Gjermanisë se investimet europiane do të ndryshonin orientimet e tyre lindore, si dhe me ndihmën e lobistëve dhe organizatave perëndimore, të cilat jo vetëm jepnin garanci për ta, por ju pastronin dhe rrugën duke u përpjekur të godisnin opozitën, si në Shqipëri.

Se si po qeverisin Kurti dhe Osmani në Kosovë këtë e vendosin qytetarët e Kosovës, por dicka është e qartë: - Ata po bllokojnë Vuçiç dhe politikanët revizionistë serbë për të mos njohur Kosovën dhe të shtrijnë dominimin e tyre në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Dhe kjo betejë nuk është e thjeshtë për tu luftuar. Vuçiç bashkëpunon me Ramën, kryeministrin e vendit mëmë, në një projekt që në thelb nuk është 'kundër shqiptarëve si komb', por që nuk njeh pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, e cila mbetet 'zemra e Serbisë'. Për këtë ai është betuar edhe përpara kushtetutës dhe Parlamentit serb që nuk do ta njohë kurrë.

Ky paradoks sigurisht i ka ndarë shqiptarët. Disa mendojnë që Rama nuk është idiot që ta bëjë këtë gabim, por është brenda skemave perëndimore që përkrahin këtë zgjidhje; disa të tjerë e konceptojnë Ramën si një lider klientelist, i cili fiton në të dy rastet: edhe pushtetin e tij edhe në shërbim të të tjerëve; dhe shumica e shqiptarëve në të dy anët e kombit, të cilët nuk janë të lidhur me interesa, si një veprim anti-kombëtar dhe të dëmshëm për të ardhmen e kombit.

Diferencat midis lidershipit të Kosovës dhe Shqipërisë qëndrojnë në çështjet konceptuale të perspektivës së tyre kombëtare. Rama beson se çështja Shqiptare kalon nga boshti Beograd-Tiranë dhe zgjidhja vjen nga marrëveshja me regjimin e Beogradit, ndërsa Kurti dhe Osmani janë të fokusuar në boshtin perëndimor Ëashington-Berlin-Prishtinë.

I pari ka marrë rolin e ideologut të Titos, Edvard Kardel, për Ballkanin e Hapur dhe i gëzohet projektit të tij për turizmin, ku serbët dhe rusët jo vetëm do të pushtojnë por të blejnë edhe pronat e ndërtuara nga projekti i famshem i kanabisit (është i vetmi lider shqiptar që ka përkrahur idenë e Hrushovit për ta zhvilluar Shqipërinë vetëm si vend turistik, ku shqiptarët të gjejnë punë si kamerierë, kuzhinierë, pastrues dhe shoqërues të të huajve).

Lidershipi i ri i Kosovës mendon që Republika e Kosovës ka kapacitetet e nevojshme intelektuale për tu bërë një vend me dinjitet, me investime të huaja në fushën e infrastrukturës, IT, një model të ngjashëm me Izraelin. Ata e shikojnë Serbinë si një vend fqinj që duan të bashkëpunojnë me të për të realizuar një Ballkan të qëndrueshëm dhe paqësor, të integruar në BE. Ata nuk mund të bëjnë kompromise me serbët duke mos respektuar historinë dhe zhvillimin e rendit ndërkombëtar.

Projekti i Ballkanit të Hapur e ka vënë Kosovën në një vështirësi momentale. Vetë projekti është i destinuar të vdesë në situatën e krijuar pas agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Serbia e ka të vështirë të lërë Rusinë dhe kërkon që ky projekt i Ballkanit të Hapur ti shërbejë fuqizimit dhe dominimit të saj në rajon. Me nacionalistin Vucic projekti i Ballkanit të Hapur minimalisht do të mbetet një zonë e paangazhuar dhe interesat e fuqive jo-europiane si Rusia dhe Kina të jenë prezente.

Por projekti i Ballkanit të Hapur nuk mund të përfundojë vetëm duke e kundërshtuar atë. Duhet një politikë e jashtme aktive, kreative, me orientim të qartë pro-perëndimore.

Në radhë të parë, lidershipi i Kosovës, duke u nisur nga orientimi i zotit Eskobar që Ballkani i Hapur është një nga iniciativat e bashkëpunimit dhe jo e vetmja, të mundësojë një iniciativë të re bashkëpunimi ballkanik me boshtin Zagreb - Prishtinë - Athinë - Sofje për ta relativizuar Ballkanin e Hapur. Inistiativa të jetë brenda kuadrit të Procesit të Berlinit dhe me synim të vetëm të integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Kjo inisiativë do t'i shërbejë Kosovës për njohjen e mëtejshme të saj nga vendet e BE-së.

Së dyti, Kosova të bashkëpunojë me iniciativën 3+1 (Izrael - Greqi - Qipro + SHBA) në mënyrë që furnizimi i Europës nga gazi i Mesdheut Lindor të bëhet realitet. Kjo pasi Greqia është e preferuara e SHBA-së sot në rajon, ndërsa Serbia e Rusisë e detyron Uashingtonin të shikojë me sy më realist se çfarë përfaqëson tashmë iniciativa e Shoqërisë së Hapur. Gjithashtu Kosova të kërkojë partneritet strategjik me Izraelin, Greqinë, Gjermaninë dhe SHBA-në me prioritet në investime dhe infrastrukturë. Të shikojë mundësinë e vendosjes së bazave logjistike të NATO-s për të qenë një nga vendet e rëndësishme të forcës së NATO-s në rajon.

Së treti, Kryeministri Kurti, si lider jo i korruptuar të udhëheqë lëvizjen për rivendosjen e demokracisë në rajonin e Ballkanit. Demokracia duhet të mbizotërojë mbi stabilitetin. Kjo iniciativë do të konkretizonte idetë e Samitit të Uashingtonit për Demokraci.

Së katërti, Presidentja Osmani së bashku me Presidentin Meta të marrin iniciativën e përbashkimit të elementit Shqiptar në gjithë hapësirat ballkanike, ku liderët Shqiptarë me axhendë patriotike të mblidhen në një forum për të treguar se shqiptarët nuk i përfaqësojnë individë me axhendë personale, por Lidhja e re e Prizrenit.

Pasi të funksionojë kjo politikë aktive e Republikës së Kosovës, hapi i fundit do të jetë kërkesa e Kurtit dhe Osmanit për politik-bërjen perëndimore: Na hiqni qafe këta individë që po i zënë frymën integrimit perëndimor të Ballkanit Perëndimor.

Asgjë personale, thjesht politikë!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco