Ta zhvendosësh thelbin e Lëvizjes tek beteja Berisha-Basha, taktikë e djallëzorëve

Ta zhvendosësh thelbin e Lëvizjes tek beteja Berisha-Basha, taktikë e djallëzorëve

Nga Bujar Nishani - 30/11/2021

Lëvizja politike që ka nisur në Partinë Demokratike përmes Foltores së Z. Berisha dhe përfshirjes së shumicës dërrmuese të anëtarësisë së partisë ka filozofinë dhe qëllimin e saj politik ashtu siç ka dhe kundërshtarët e vet politik.

Askush i përfshirë në këtë Lëvizje nuk duhet të kompleksohet nga identifikimi dhe përballja politike me kundërshtarët, qofshin dhe këta në drejtimin aktual të partisë apo brenda grupit parlamentar.

Kjo është një betejë politike. Betejat politike nuk zhvillohen në ajër. Ato lindin e zhvillohen mes palëve, mes ideve, në mes modeleve. Sot për sot një fakt është i sigurt dhe publik.

Kjo betejë është mes një shumice dërrmuese dhe një pakice minore. Pakica flet nga institucionet zytare të partisë. Kryetari, kryesia, grupi parlamentar.

Kjo është edhe një prej arsyeve pse shumica zgjodhi të aktivizojë institucionin që i takon asaj, Kuvendin Kombëtar. Fakti nëse e drejta është me shumicën e partisë dhe terrenit apo me pakicën e zyrës së Kryetarit, mbetet për t’u provuar.

Personalisht nuk kam dyshim, por morali në politikë kërkon të konsumohen të gjitha fazat e lëvizjes. Pikërisht këtu qëndron avantazhi i shumicës, tek qëllimi dhe objektivi i Lëvizjes.

Pakica e zyrës së kryetarit po përpiqet me të gjitha mjetet në dispozicion ta fokusojë Lëvizjen tek debati Berisha-Basha.

Është e vërtetë që ka një relacion problematik midis z. Berisha dhe z. Basha, për shkak të një akti ilegal dhe amoral politik të Lulzim Bashës. Por ta zhvendosësh thelbin e Lëvizjes politike tek beteja Berisha-Basha është sipërfaqësore prej emocionantëve dhe, taktikë për të fshehur thelbin prej djallëzorëve.

Akti i Lulzim Bashës ndaj Dr. Berishës ishte një akt i mirëfilltë politik, i ideuar, planifikuar e lobuar prej kohësh pavarësisht se Sali Berisha ishte larguar nga vendimmarrja dhe drejtimi i PD. Por, shënjestrimi i z. Berisha ishte shënjestrimi për PD.

Aleanca e lidhur tashmë Rama-Basha e kalkulonte Sali Berishën si simbolin e unifikimit dhe energjizimit të forcës politike dhe elektorale të PD.

Kjo në fakt u provua se ishte e vërtetë, tashmë gjatë Foltores.

Situata në PD vijoi të degradonte vit pas viti deri sa në 2021, PD u kthye në një forcë politike pa kurrfarë rrezikshmërie elektorale ndaj të majtës që siguroi 12 vite në pushtet, ndërsa PD shkonte drejt zhvlerësimit total.

Denoncimi i paaftësisë dhe dembelizmit të Lulzim Bashës kishte vlerë veç pak kohë pas 25 Prillit, ku u konsolidua përfundimisht mendimi se me të PD nuk i fitonte kurrë zgjedhjet.

Zhvillimet politike dhe qëndrimet e Lulzim Bashës në javët dhe muajt që pasuan 25 Prillin flisnin për një dimension shumë më të rëndë.  Ato konfirmonin misionin e Lulzim Bashës, mbajtjen e PD nën kontrollin e tij, pavarësisht se ajo ishte drejt komës politike. Prej këtu lindi thelbi dhe qëllimi real i Lëvizjes politike.  Foltorja e materializoi atë.

Është e vërtetë që nga pjesëmarrësit masivë në Foltore ka edhe doza të larta nostalgjie ndaj Sali Berishës, por po aq i vërtetë është dhe fakti i motivimit të kësaj shumice dërrmuese në Lëvizje, si nevojë e energjizimit të papajtueshmërisë së tyre me opozitën fasadë, lodër e pushtetit.  Kjo teori ka vlerën e së vërtetës edhe anasjelltas.

Kundërshtarët e Foltores dhe Lëvizjes politike në PD kanë doza armiqësie personale ndaj Sali Berishës, por më së shumti ata janë në funksion të mbajtjes së PD, të gjunjëzuar, të vogël e opozitare e përjetshme.

Kjo e dyta është edhe një problem i rëndë moral, pasi individi i gjen të përmbushura interesat personale duke pranuar asgjesimin e një prej dimensioneve më universale publike, pluralizmin politik. Ndaj kjo është një betejë mes palëve që përfaqësojnë hapur idetë dhe vlerat ku qëndrojnë.

Ajo nuk është një betejë për përjashtime, siç bën kryetari në detyrë.

Por, është një përballje mes shumicës dërrmuese e pjesëtarëve të asaj familje politike që kërkojnë rivendosjen e vlerave, të drejtën e përfaqësimit përmes garës së barabartë dhe ekzistencën e alternativës politike - me pakicën e zyrës së Kryetarit që synon “status quo”në për pushtetin personal duke dhunuar sakrificën e mandatarëve të cilët kërkojnë t’ia heqin besimin e dhënë.

Kjo jo vetëm është një e drejtë universale dhe ekskluzive e mandatarëve por dhe thelbi i betejës mes shumicës dhe pakicës. Kjo është një betejë që duhet bërë. Nuk ka alternativë !

Një betejë që synon përmes reformave politike të rikthejë vendimmarrjen tek shumica që kërkon të vijë në qeverisje, përkundër pakicës komode në opozitë.

Shumica në PD, pa e bërë dhe fituar këtë betejë sot brenda vetes, nuk mundet të bëjë dhe të fitojë nesër betejën me kundërshtarët politikë në vend.

Tashmë është koha që çdokush në anëtarësi, në parlament apo në Kryesi të identifikohet me parimet që janë në përballje!

Të ringremë PD, për të shpëtuar Shqipërinë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco