Mesazhet e Ramës për SPAK, arka me peshk dhe ekuilibri i korrupsionit

Mesazhet e Ramës për SPAK, arka me peshk dhe ekuilibri i korrupsionit

Nga Enton Palushi - 14/07/2021

Pas një serie arrestimesh nga SPAK, i pari që ka nxituar të flasë publikisht dhe të dërgojë mesazhet e tij jo vetëm te njerëzit e tij, por mbi të gjitha te struktura antikorrupsion, ishte kryeministri Edi Rama.

Duke pranuar se miliarda euro abuzime me tenderat janë një realitet, ai sinjalizoi së pari SPAK-un se është ai që e vendos se kush duhet të ndiqet penalisht ose jo, sepse do jetë ai që do i dërgojë në SPAK zyrtarët që kanë abuzuar me detyrën.

Ndërsa publikun u përpiq ta mashtrojë duke u thënë se do ketë një paketë të re për prokurimet, pa thënë se përse paska qenë e keqe paketa e vjetër, apo sepse ajo paska zbuluar se qeverisja është e korruptuar në palcë?

Mbi të gjitha, Rama u përpoq që të bëjë atë që kanë bërë vazhdimisht liderët e stofit të tij: të distancojë veten nga qeverisja e tij, duke thënë se nuk ka lidhje me atë masakrën korruptive që ka ndodhur në tetë vite. Sipas studiuesve të politikës, kjo është një praktikë e aplikuar që nga Hitleri në Gjermani e deri te çdo autokratuc në botë. Nuk është tashmë e re që në sistemet e keqqeverisjes, makineria propagandistike përpiqet që të ndajë autokratin nga sistemi që ka ndërtuar. Simon Kuper thotë se kështu ndodhte edhe me Hosni Mubarak në Egjipt. Shumë egjiptianë mendonin se vendi është i zhytur në korrupsion, por lideri nuk di gjë sepse të gjithë të këqijat i sjellin ‘krimbat’ poshtë tij.

Megjithatë, dashje pa dashje, duke zbuluar se mbi 70 përqind e tenderave dhe prokurimeve qenkan me probleme, Rama po na tregon se realisht shifra mund të jetë më e madhe pasi aty nuk ka hyrë tamam bisturia e prokurorisë. Që do të thotë se thuajse gjithçka në qeverisje është e zhytur në korrupsion. Fiks siç e thonë edhe studimet dhe anketat që tregojnë se jemi vendi më i korruptuar në Europë dhe në disa aspekte edhe më i korruptuari në botë.

Mirëpo nuk është aspak rastësi një korrupsion kaq kapilar. Ekonomisti i sjelljes, një nga emrat më të famshëm në botë, izraeliti Dan Ariely thotë se një lider i korruptuar krijon një popull të korruptuar. Ky nuk është konstatim bosh i profesorit të njohur, por rezultat i studimeve rigoroze që arrijnë në përfundimin se vetëm kur lideri është i korruptuar, ndodh që të korruptohet e gjithë shoqëria në masë. “Rreziku më i madh i korrupsionit është se ai përhapet si murtajë. Ai riprodhohet me shpejtësi dhe sa më shumë kalon koha, aq më e vështirë është që të rifitosh kontrollin,” thotë ai.

Ndaj nuk është aspak çudi që korrupsioni është kaq galopant sa një zëvendësministre korruptohet edhe me një arkë me peshk apo një kryebashkiak nuk lë asgjë pa i zhvatur shtetit, deri edhe te pikat e fundit të karburantit.

Por sado të duket dëshpëruese situata, fakt është se kur korrupsioni është kaq i përhapur, ka edhe një të mirë.

Raymond Fisman, profesor i ekonomisë së sjelljes në Universitetin e Bostonit, që studion korrupsionin sistematik, thotë se në momentin kur korrupsioni endemik fiton pushtet, infekton të gjithë sistemin, duke inkurajuar e madje përforcuar sjelljen e keqe. Fiesman thotë se mënyra më e mirë për të menduar për korrupsionin është që ta shohim atë si një ‘ekuilibër’.

Dhe lajmi i mirë është se ekuilibri, ashtu siç e ka emrin, është i brishtë. Në këtë rast, Christoph Stefes, profesor i shkencave politike në Universitetin e Kolorados, thotë se ekuilibri mund të thyhet nga disa ‘ishuj ndershmërie’.

SPAK është krijuar me idenë e një ishulli ndershmërie. Por që të nisë thyerja e ekuilibrit, duhet goditur aty ku duhet. Arrestimi i ushtarëve të republikës së korrupsionit nuk është një gjë e re. Por pa u goditur maja, lideri që ka krijuar një shoqëri të korruptuar, çdo përpjekje është e pavlerë. Deri atëherë, të paktën mos abuzoni me fjalinë ‘fundi i pandëshkueshmërisë’.

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco