Si e humbi Amerika dashurinë me Evropën

Si e humbi Amerika dashurinë me Evropën

Nga Bruno Maçaes - 12/07/2021

Kërcënimi më i madh për Perëndimin nuk vjen nga autonomia e Evropës por nga dobësia e saj.

Koncepti i autonomisë strategjike evropiane po prezantohet përherë e më tepër si rrezik për Perëndimin si komunitet politik-me idenë se një Evropë që nuk varet nga SHBA do të largohet gradualisht nga aleanca transatlantike, madje edhe teksa Washingtoni përgatitet për t’u konfrontuar me Pekinin.

E vërteta është pikërisht e kundërta: Perëndimi nuk mund të mbijetojë pa një Evropë të fortë.

E ardhmja e kontinentit reduktohet shpesh në njërin nga dy skenarë: Në të parin, aleanca transatlantike vazhdon të lulëzojë dhe është në gjendje të largojë kërcënimet nga Kina e Rusia. Në tjetrin, partneriteti perëndimor tkurret, duke e lënë Evropën tepër të dobët për të shmangur shndërrimin në një gadishull të Eurazisë, nën një farë kontrolli nga gjigantët e Lindjes.

Por ka edhe një skenar të tretë, më pak të diskutuar që është po aq i tmerrshëm për Evropën – skenari për të cilin ish-Sekretari i Shtetit dhe dhelpra plakë transatlantike Henry Kissinger paralajmëroi në një esé profetike: Po sikur Evropa ta humbasë pavarësinë jo te Moska apo Pekini, por te Washingtoni? Në këtë skenar, komuniteti transatlantik përçahet, por SHBA mbetet në Evropë si një lloj fuqie e huaj, vetëm për të ndaluar futjen e rivalëve të saj të mëdhenj.

Disa besojnë se kjo mund të ketë nisur tashmë. Historiani dhe filozofi politik Luuk van Middelaar e mbylli një leksion të kohëve të fundit në Paris me fjalët: ‘Në marrëdhëniet tona me Amerikën, ne mund të shkojmë nga statusi i partnerit tek ai i vasalit. Trump na e dha një tablo të hershme të kësaj’.

Siç më tha këtë javë Pierre Vimont, sekretari i parë i përgjithshëm i Shërbimit të Jashtëm evropian, evropianët ishin në gjendje të thoshin ‘jo’ kur duhej. Mungesa e investimeve në mbrojtje dhe goditjet e rënda teknologjike e financiare megjithatë i kanë bërë të ngurrojnë apo të jenë të paaftë për të ndikuar në llogaritë e Amerikës. Vimont druhet se ‘koncepti i Evropës si vasale është gjithmonë e më tepër i mundshëm’.

Vërtet, duket se qëndrimi i SHBA karshi aleatëve është bërë pikërisht i kundërti i atij që ka qenë. Azia dhe Evropa kanë shkëmbyer vendet. Gjatë Luftës së Ftohtë, Washington nuk druhej ta shfaqte fuqinë lakuriq kur bëhej fjalë për Japoninë, Indonezinë apo Filipinet. Ia vlente të tregoje pak muskujt nëse kjo do të parandalonte ndonjë puç komunist në Xhakarta apo Manila.

Sot, është Evropa që duket më tepër si shesh loje se sa lojtar. Siç e bëri të qartë Sekretari i Shtetit në atë kohë, Mike Pompeo, gjatë vizitës në Paris në nëntor, gjithçka për të cilën shqetësohet Washingtoni është parandalimi i versionit të sotëm të një puçi komunist: Marrja nën kontroll nga Kina i kompanive teknologjike evropiane.

Në një bisedë telefonike të kohëve të fundit, Richard Grenell, ish-ambasadori amerikan në Berlin, më tha se SHBA rrezikon ‘të lejojë Evropën të largohet nga aleanca perëndimore’.

Një numër faktorësh shpjegon pse Washingtoni nuk e ndjen më nevojën t’u kushtojë vëmendje dëshirave apo opinioneve evropiane. Justin Vaïsse, në atë kohë drejtor i planifikimit politik në Ministrinë e Jashtme franceze, më kujtoi se këta faktorë ishin të dukshëm që më 2013 me Barack Obamën.

Së pari, Kina zëvendësoi Rusinë si rivalin kryesor të SHBA dhe Evropa tashmë është larg nga qendra e veprimit. Në të kundërt, Japonia dhe India kanë fituar terren për nga rëndësia.

Së dyti, siç do ta vinte në dukje Vimont, Evropa i ka humbur kapacitetet ushtarake dhe ekonomike. Nëse Evropa rrezikon të merret nga Rusia apo Kina, kush do t’i ndalojë? Jo evropianët.

Së treti, Washingtoni ndihet më i brishtë sot nga sa ndihej gjatë Luftës së Ftohtë. Bashkimi Sovjetik kurrë nuk e kaloi 40% të prodhimit ekonomik të Amerikës. Kina ka shkuar tashmë në 70% dhe hendeku mund të zhduket krejt në më pak se dy dekada.

Në muajt e saj të fundit në detyrë, kancelaria gjermane Angela Merkel është shfaqur dukshëm e konsumuar nga çështja e dobësisë evropiane dhe duket e përkushtuar që ky të jetë paralajmërimi i lamtumirës për kolegët e saj evropianë. Kur Presidenti Joe Biden u takua me Vladimir Putin në Gjenevë, ajo nxitoi të argumentonte se Evropa duhet të flasë me zërin e vet kur në lojë janë çështjet e sigurisë e begatisë së saj.

Sipas një personi të pranishëm në samitin e Këshillit të Evropës ku u diskutua kjo gjë, ajo tingëllonte veçanërisht emocionale për këtë çështje. E megjithatë, kur ajo iu bashkua presidentit francez Emmanuel Macron në përkrahjen e një samiti midis Bashkimit Evropian e Rusisë, propozimi franko-gjerman u zhyt në një det akuzash të ndërsjella midis liderëve të tjerë evropianë.

Siç më kanë thënë një numër diplomatësh evropianolindorë e qendrorë, Biden mund të takohet me Putin nga pozita fuqie. Bashkimi Evropian do të ishte në pozita dobësie.

Me këtë lloj disfatizmi që po fiton terren, BE duhet të dorëzohet para faktit që po bëhet vartës politik dhe ekonomik i një perandorie të re amerikane. Dhe sikur të shkojë vërtet deri aty, edhe unë do të bashkohesha me ata diplomatë të ndrojtur në zgjedhjen e padronit amerikan në vend të alternativave në dispozicion.

Por nuk duhet të kemi iluzione: Ky rezultat nuk do të ishte thotë ri-farkëtim i Perëndimit; do të ishte vdekja e tij. Dhe si shumë në Paris e Berlin, as unë nuk mundem ta largoj ndjesinë se skenari i ndaluar i Kissinger po vjen rrotull.

Në çdo martesë në krizë problemet nisin kur dy palët ecin në rrugë të ndryshme. SHBA duket se është drejtuar nga një Luftë e Ftohtë e re, eksituese. Evropa mund të kalojë ngadalë në perëndimin e saj gjeopolitik.

Marrë nga Politico.eu-Përgatiti: SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco