Pesë vende që tregojnë se Biden është një ‘evropian i fshehtë’

Pesë vende që tregojnë se Biden është një ‘evropian i fshehtë’

Nga Matthew Karnitschnig - 15/06/2021

Pak presidentë amerikanë kanë ardhur në detyrë me aq shumë udhëtime ndërkombëtare sa Joe Biden.

Vetëm gjatë kohës si zëvendëspresident, Biden ka bërë më tepër se 1 milion milje udhëtime në 57 vende. Shtoni edhe qindra udhëtime si Senator i SHBA në Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë, duke filluar që nga 1970-a, dhe mund të thuhet se Biden ka emetimet më të mëdha të karbonit se çdokush tjetër që ka jetuar në Shtëpinë e Bardhë.

Shumë nga ato udhëtime kanë qenë në Evropë, e cila ka pasur gjithmonë një vend të veçantë në zemrën e Bidenit. Ndaj nuk është rastësi që udhëtimin e parë jashtë vendit si President e bëri pikërisht në kontinentin e vjetër. Synimi zyrtar i udhëtimit të Bidenit mund të jetë për t’u treguar aleatëve dashuri pas goditjeve që morën nga paraardhësi i tij, por Biden edhe e pëlqen vërtet Evropën.

‘Kanë qenë gëzimi i jetës sime’, thoshte pak vite më parë Biden për udhëtimet e tij, duke u shprehur i mahnitur se ‘sa të ngjashëm jemi’.

Ja pesë vende që e bënë Biden një evropian të fshehtë.

Irlanda

Shumë politikanë amerikanë kanë prejardhje irlandeze, por vetëm pak duket se e kuptojnë vendin si Biden, prindërit e të cilit ishin prej stofi irlandez.

Kjo mund të jetë për shkak se paraardhësit i përcollën historitë e rreziqeve që kapërcyen teksa iknin nga zia e bukës e shekullit të 19-të në Irlandë. Ose mund të jetë ngaqë, ndryshe nga John F. Kennedy, një tjetër president katolik irlandez, Biden u rrit në një familje të klasës punëtore që mezi e mbyllte muajin. Ai ua atribuon rrënjëve irlandeze mësimet e prindërve për qëndresë dhe për të mos u thyer kurrë. Gjatë një debati presidencial me Donald Trump vitin e kaluar, Biden, i cili e akuzoi kundërshtarin për racizëm, tha se njerëz i ai ‘i shohin me përbuzje njerëz si katolikët irlandezë dhe si unë, apo njerëzit që nuk kanë pará’.

Se sa personale është lidhje e Joe Biden me Irlandën u pa gjatë një vizite me familjen në County Mayo në Irlandën perëndimore më 2016. Që aty, në mes të viteve 1800, u nis një nga stërgjyshërit e tij për në Amerikë. Mijëra vendas dolën në rrugë për të parë zëvendëspresidentin e atëhershëm, i cili e kaloi pjesën më të madhe të kohës mes kushërinjve të largët.

‘Duket e çuditshme, por u ulëm dhe dukej sikur ishim të njohur gjatë gjithë jetës’, tha Biden.

Ballkani

Qoshja tjetër e Evropës ku profesionalja dhe politikja janë shkrirë në një për Biden është ish-Jugosllavia, një rajon plot ndasi historike jo të pangjashme me ato të Irlandës.

Ai reflektoi për ato paralele në fjalimin më 1999 pas fushatës ajrore të NATO-s kundër Jugosllavisë, e cila detyroi Beogradin të tërhiqej nga Kosova.

‘Bosnja dhe Kosova janë çliruar nga Beogradi, por, ashtu si dhe në Irlandë, njerëzit shpesh e përdorin lirinë për të vrarë njëri-tjetrin’, u ankua.

Në fillim të viteve ’90, ai ishte përkrahës i fortë i angazhimit të SHBA në rajon për të parandaluar vrasjen e të pafajshmëve në Bosnjë e Kosovë. Në një opinion në New York Times më 1993, ai paralajmëronte se embargoja e armëve e vendosur nga OKB për Bosnjën efektivisht ‘kodifikonte agresionin serb’ dhe i çonte njerëzit atje drejt kasaphanës.

Embargoja nuk u hoq kurrë, kryesisht për shkak të rezistencës evropiane, por siç do ta ilustronin më vonë genocidi në Srebrenicë dhe tmerre të tjera të luftës, Biden dhe kritikë të tjerë kishin të drejtë.

Biden kurrë nuk hoqi dorë nga Ballkani, duke u kthyer shpesh atje, shumë kohë pasi politikanët perëndimorë e kishin humbur interesin. ‘Ballkani nuk është ndonjë shfaqje strategjike’, tha në Senat pasi vizitoi rajonin më 2001. ‘Evropa Juglindore mbetet thelbësore për sigurinë e gjithë kontinentit, rrjedhimisht edhe për atë të Shteteve të Bashkuara’.

Pasi u bë zëvendëspresident më 2009, Biden e vizioi prapë rajonin, pjesërisht sepse shqetësohej se mos Washingtoni e kishte lënë në harresë pas 11 Shtatorit.

Më 2016, Biden vizitoi Kosovën me rastin e hapjes së një autostrade të re të pagëzuar me emrin e djalit të tij të ndjerë Beau, jurist që kishte punuar për ngritjen e sistemit të ri të drejtësisë atje në fillim të viteve 2000.

‘Beau e donte këtë vend ashtu si unë’, tha Joe për të birin, i cili vdiq nga kanceri në tru më 2015.

NATO

Si një transatlantik i bindur, Biden nuk ndihet gjëkundi si në shtëpinë e vet se sa në qendrën e aleancës perëndimore, selinë e NATO-s. Do të jetë atje të hënën për samitin e NATO-s. Ndryshe nga paraardhësi, i cili ankohej për koston e kompleksit të ri modern të NATO-s dhe e deklaronte aleancën si arkaike, Biden do të festojë partneritetin si një nga arritjet më të mëdha në historinë moderne.

Biden ka qenë i pranishëm në NATO që pa i hyrë shërbimit publik. Ai ka qenë bashkë-kryetar i Grupit Vëzhgues të NATO-s në Senat, i krijuar më 1997 për të përgatitur to zgjerimin e aleancës, gjë që e përkrahte. Kur Senati miratoi zgjerimin e NATO-s më 1998, Biden e quajti ‘fillimi i 50 viteve të tjera paqe’.

Për Biden, NATO është më tepër se thjesht një aleancë. Ajo përfaqëson fuqinë e idealeve amerikane dhe atë çka shumë nga brezi i tij e konsiderojnë si mision historik të SHBA për të përhapur lirinë e demokracinë në botë. Ftesa për ish-anëtarët e Traktatit të Varshavës nuk ishte vetëm për sigurinë e tyre, tha më 1998: ‘Ne do të korrigjojmë një padrejtësi historike të imponuar mbi polakët, çekët e hungarezët nga Josif Stalin’.

Munihu

Lidhja e Bidenit me kryeqytetin bavarez nuk ka të bëjë aq me sallonet e famshme të birrës se sa me konferencën e përvitshme të sigurisë që mbahet atje, të cilën disa e quajnë me dashuri ‘Davosi me armë’.

Biden ishte pjesëmarrës i rregullt i takimit të përvitshëm gjatë Luftës së Ftohtë kur ai ende njihej me emrin gjerman: Wehrkunde. Ndonëse i vështirë për t’u shqiptuar për shumicën e zyrtarëve amerikanë, Wehrkunde u bë ditë e përhershme në kalendarin e politikës së jashtme dhe të sigurisë të Amerikës që në vitet ’60.

Gjatë Luftës së Ftohtë, Biden dhe zyrtarë të tjerë të lartë të aleancës perëndimore bashkoheshin në tavernën e hotelit me pesë yje ku mbahej takimi, duke pirë birra e bërë plane kundër sovjetikëve. Marrëdhëniet personale të ndërtuara në Munih gjatë viteve ndihmuan në krijimin e zamkës që mbajti Perëndimin të bashkuar përmes sfidave të asaj periudhe e më tej.

Biden nuk reshti së shkuari atje. Në një fjalim në takimin më 2019, tashmë të njohur si Konferenca për Sigurinë, Biden tërhoqi projektorët nga ish-zëvendëspresidenti i atëhershëm Mike Pence, i cili ishte i pranishëm, duke deklaruar: ‘Ju premtoj, ne do të rikthehemi’. Mesazhi i Biden për Evropën: Trump nuk do të jetë edhe për shumë kohë rrotull. Në fillim të këtij viti ai u rikthye në Munih – virtualisht – për të bërë apelin tashmë të famshëm: ‘Amerika është kthyer’.

Hungaria

Vendimi i Biden për të kaluar muajin e mjaltit në liqenin e famshëm Balaton në Hungari nuk do të tërhiqte vëmendjen sikur të mos bëhej fjalë për vitin: 1977.

Ndonëse Lufta e Ftohtë ishte më pak e acartë atë vit, Hungaria nuk ishte destinacioni i ëndërruar për të sapomartuarit. Kjo nuk e ndaloi Biden, në atë kohë në mandatin e parë si Senator, të merrte gruan e të kalonin Perden e Hekurt. Ishte udhëtimi i parë në rajon dhe përveçse shijoi bukurinë e Balatonit, ai kaloi kohë edhe në Budapest, ku u takua me zyrtarë komunistë, gazetarë e disidentë. Udhëtimi, i organizuar nga Tom Lantos, një i mbijetuar i Holokaustit i lindur në Hungari që kishte punuar si këshilltar i Bidenit para se të bëhej Kongresmen, i la mbresa të forta presidentit të ardhshëm.

‘Deri atëherë, nuk e kisha idenë që i vetmi vend në botë ku ia vlen të hash peshk është Balatoni’, tha vite më pas. Udhëtimi i dha formë edhe botëkuptimit të tij se çfarë ishte vërtet në lojë në Luftën e Ftohtë. Biden fitoi një vend në zemrën e Hungarisë kur premtoi atë vit se SHBA do të rikthente kurorën hungareze, të cilën vendi e kishte zbuluar në Austri më 1945.

Pavarësisht këtyre kujtimeve të bukura, nuk ka gjasa që Biden të kthehet së afërmi në Hungari. Ai nuk e ka mbajtur të fshehtë pakënaqësinë për kthesën autoritare të vendit nën kryeministrin Viktor Orbán në vitet e fundit. Më 2020, ai e përmendi Hungarinë si në të njëjtën frymë me Bjellorusinë e drejtuar në mënyrë autokratike, duke dënuar ‘ngritjen e regjimeve totalitare nëpër botë’.

/Marrë nga Politico.eu-Përgatiti: SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Maloku i ardhur ne Tirane15/06/2021 16:08

Irandezet iken ne Amerike jo nga zia bukes por nga semundja e Vrugut te Patates (Peranospora shakti). Njihen si konsumatore te saj. Zia e bukes eshte ne vitet 1929-1933. Irlandezet kane ikur ne Amerike 50-60 vjet me perpara. Ciao te diturit e Tiranes.

Shto koment

Denonco