Lajmi i fundit

LIVE/ Protesta para bashkisë së Tiranës, qytetarët kërkojnë largimin e Veliajt

Pak më shumë përgjegjësi për mësuesit që po ikin nga kjo jetë

Pak më shumë përgjegjësi për mësuesit që po ikin nga kjo jetë

Nga Ndriçim Mehmeti - 13/11/2020

Në ditët e vështira që po jetojmë, mburrja, krenaria e dh…, deliri, dalldia dhe dalldisja, janë në kulmin e tyre, ankthi, terrori, frika, pasiguria kanë kapluar shoqërinë, nga i madhi te i vogli. Por ndërsa disa ngushëllohen se mund të mbarojnë disa punë nga shtëpia, të tjerët se janë në pension e do bëjnë si do bëjnë, mjekët dhe mësuesit janë të detyruar të përballen, t’i ruhen sa të munden, e në fund të përballen mes jetës dhe vdekjes. Mjekët kanë bërë betimin e Hipokratit për të sakrifikuar deri në limit me qëllimin e lartë për të shpëtuar jetë njerëzish, ndërsa mësuesit bëjnë ç’është e mundur që nxënësit e tyre të marrin dije, edukatë dhe vlerat e qytetarisë edhe kur ngjarje të tilla si pandemia, lufta apo terrori janë në prag të derës.

Por ndërsa kudo në botën e qytetëruar, ata marrin vlerësimin që duhet tek ne, kryeregjisori i situatës rozë, Edi Rama, na jep një pamje shumë më ndryshe: Ministrja e Arsimit zysh. Kushi, shkon në një shkollë dhe ngjarjen e mbulon media me e fuqishme në vend ERTV dhe fotografët e saj, është: Një nxënësi zogu i këndon në vesh, se sot ministrja e arsimit që viziton shkollën ka ditëlindjen. Vogëlushi vrik rrëmben xhupin gjysmë të arnuar dhe kruan xhepin që të mbledh të hollat që i kanë dhënë, për byrek e blen një tufë lule për zyshën ministre e ia dhuron në mënyrë të beftë e të ndrojtur sa pa zbritur shkallët në korridorin e fundmë të shkollës. E qan zysh Kushi me dënesë për këtë surprizë që vetë e kishte përgatitur e mendja nuk i shkonte që do të bëhej kaq reale e kaq bukur. Sigurisht që këtë lloj shtirje, diktaturat e kanë zili, ndërsa në Korenë e Veriut, nuk realizohet dot kaq bukur.

A të bën goja njëherë Komandant, që veç talljeve, sharjeve e mallkimeve kundër opozitës të thuash ndonjë fjalë ngushëllimi për mësuesit , që po humbin jetën prej papërgjegjshmërisë tënde?

Me çfarë do gjëje je marrë o Kryeministri ynë famëmadh, por njëherë nuk të pashë të flasësh e të motivosh mësuesit apo pedagogët. I urove fillim të mbarë të vitit të ri shkollor, me gjestin më të papërgjegjshëm të një qeverie në botë: Ndërrimin e ministrave në ditën e parë të shkollës. Përcolle Besën të lumturojë familjen në Kosovë dhe solle zysh Kushin të gëzojë Taulantin dhe zonat përreth Elbasanit, që vajza jonë u bë e madhe në qeveri. Sigurisht që nuk duhet të harrojmë dhe detyrën e madhe që ka Visi: Më shumë vota për Rilindjen, më pak dije për rininë shqiptare. Epo thamë iku edhe ky gabim e nuk ta vëmë re. Menduam se do vije mend e do të shikoje me vëmendje se çfarë ndodhte në shkolla: Pa dezinfekantë, pa ujë, pa ngrohje, pa kushtet minimale të zhvillimit të mësimit. Mendova se do ndiqje rrugën e homologut tënd në Kosovë, do të zgjidhje qesen e të rrije më pranë arsimit, si mësues i hershëm i vizatimit që je. Të paktën një sasi maskash, dezinfektantësh dhe një pagesë dinjitoze për orët e stërzgjatura të mësimit, për të shpërblyer sadopak punën e paçmueshme të mësuesit. Por edhe në këtë rast ndodhi ajo që presim përherë. Ti nuk zhgënjeve askënd. I le në mëshirë të fatit. Mësuesit, sanitaret dhe nxënësit.

Kur epidemia të doli jashtë kontrollit dhe mësuesit filluan të infektoheshin e madje për fat të keq të humbin edhe jetën, jo vetëm që nuk urdhërove asnjë masë shtesë, por së paku nuk iu gjende as në fatkeqësi. Nuk dëgjova prej teje që del 13 herë në ditë në, një fjalë ngushëllimi për jetë e humbura të mësuesve në krye të detyrës dhe për më tepër edhe për shkak të paaftësisë, papërgjegjshmërisë dhe menaxhimit të keq të masave në sistemin arsimor parauniversitar. Përkundrazi, ti kujdesesh të nxjerrësh veten tënde dhe të preferuarën më të fundit në Ministrinë e Arsimit, zysh Kushin sa më bukur, bëni vizitat tuaja, “të paplanifikuara” dhe gjeni sigurisht rastin të bëni humor të zi. Një nxënës merr vesh rastësisht ardhjen e saj në shkollën e varfër ku ai bën mësim dhe i dhuron një tufë me lule krejt rastësisht. Po për mësuesit që po humbasin çdo ditë jetën, në vijën e zjarrit sikundër thua zotrote, a do kesh kohë për një tufë me lule dhe ca mbrojtje që ju nevojitet në këto ditë të vështira, apo pret planin e inaugurimit të shkollave në Durrës e gjetiu që i rrëzove vetë, e ia veshe goditjeve të tërmetit.

Mësuesit të pambrojtur e pa mbështetje, Komandanti e Kushi në delir e ngërdheshje

Natyrisht që virusi dhe infektimi, nuk bën dallim mes atyre që janë mësues, punëtorë, inxhinierë, avokat, pensionistë a student. Kjo nuk është në dorën e askujt. Në detyrimin tonë d.m.th., të qeverisë, është të kujdeset, të marri masat, të bëjë ç`është e mundur të mbrojë jetën e atyre, që vetë i nxori në punë e u dha garancinë se janë të mbrojtur dhe nuk ka për t’ju ndodhur asnjë gjë. I dërgove mësuesit në shkollë dhe i bëre edhe matës temperature, edhe mjekë, edhe roje në korridore, shoqërues të nxënësve në tualet. Në këmbim të kësaj pune që zgjat minimalisht 5 deri në 10 orë në ditë, u dhe 7 orë plus duke përfshirë virusin falas në të njëjtën pagesë qesharake. Drejtues shkolle, mësues, sanitar, u prekën dhe preken çdo ditë, por numrin e saktë nuk e dimë dhe vështirë se kemi për ta marrë vesh ndonjëherë. Urdhërove me të shpejtë mbylljen e dyerve të shkollës, asnjë informacion për askënd dhe kërcënon me pushim nga puna, secilin prej mësuesve që guxojnë të nxjerrin ndonjë fjalë në publik.

Duke u marrë orë pas ore me fatin tënd personal e politik, nuk ke shpenzuar asnjë sekondë a minutë, për të marrë me mësuesit, për të qëndruar pranë familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre, për të urdhëruar e lëvruar fondet e nevojshme, për marrjen e masave shtesë, me ardhjen e dimrit, për të përballuar të ftohtin, kushtet higjieno-sanitare e padyshim një pagesë dinjitoze për heronjtë tanë mësues, që janë po kaq të rrezikuar e ndoshta edhe më shumë se mjekët në punën e tyre të përditshme. Po unë kot t’i them këto fjalë. Ti nuk ke për të bërë asgjë, pasi të dhimbset vetëm lëkura jote dhe askush tjetër. Për zysh Kushin ka lule, foto e plot surpriza, për mësuesit, as një fjalë të mirë, asnjë ngushëllim, për ata tek të cilët shoqëria jonë ka besuar jetën e fëmijëve të tyre dhe të ardhmen e vendit. Është pak të thuash jazëk të qoftë o Komandant.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Gazi 13/11/2020 17:52

Z. Mehmeti. Nuk pretendoj te vertetoj se: problemet dhe shqetesimet qe ju permendni ne kete artikull apo edhe ne prononcimet tuaja te mepareshme, jane te verteta. Menyra se si keta ministra apo ministre vijne dhe hikin nuk kan nevoje per koment. Keta jane te gjithe buratine te nje te vetshpalluri kryeminister dhe nuk do te kene asnjehere guxim te flasin per te verteten ne sektorin e arsimit. Mesuesit, pas mjekeve, jane me te rrezikuarit dhe te pa-vleresuarit te detyruar gjithashtu te pranojne vete-infektimin. Jemi koshient per presionin qe ushtrohet ndaj tyre ndaj, eshte detyre edhe jona si prinder te ngrejme zerin dhe perkrahim kerkesat dhe nevojaat e tyre. ERTV apo cilado forme propogande anti-kombetare nuk mundet ta mbuloje dote te verteten nese ne jemi ne unison me te verteten. Persa i perket shkrimit te parafolesit, versioni Edi Rama dhe kasta e tij, nuk kane asnje lloj lidhje me ndonje ideologji qofte kjo komuniste, socialiste apo edhe fashiste. Per ERTV Grup, arsimi, si edhe sektoret e tjere, trajtohet si prone e pusht-etit pra pa te drejta dhe vetem me detyrime.

Skrapari13/11/2020 14:59

Cimi te falenderoj per shkrimin. Por une mendoj qe ne radhet e mesuesve ka shume mesues pa dinjitet te paarsimuar me diploma fallco qe jane militante te Rilindjes, servile deri ne neveri ndaj mos prit te reagojne. Mesuesit dinjitoze jane me pikatore. Nje miku im mesues me tregonte se si nje kolegja e tij kur ai po kritikonte organet e arsimit per mosplotesim te kushteve te punes, ajo i tha "mire qe jemi ne pune". Kishte te drejte fakirja se mesuese ishte bere pas moshes 50 vjece. Me pare kishte qene pastruese shkolle. E kupton i dashur Cimi kush eshte niveli i mesuesve ne shkollat tona? Keshtu qe kumardar Edvini ka te drejte te tallet me ta.

elda13/11/2020 13:01

Te isha une si zysh Kushi do te isha terhequr nga posti qe me daljen e plagiatures se argumentuar shume mire me shembuj kinkrete e te dukshem. Si nuk i vjen turp asaj dhe qeverise qe ka ne levizje nje ministre te diskredituar.

2. Kjo parti e ashtuquajtura "socialiste" eshte ne fakt komuniste. Eshte kthyer ne origjine me ngjarjet e viteve te fundit. Dhe duhet te shpallet e paligjshme si kudo ne vendet me demokraci te vertete. Kjo parti i gezon te gjitha tiparet e partise komuniste qe jane: monizmi, lufta e klasave, klasat e privilegjuara, monopolizimi i pushteteve, korporatizimi i pronave. Eshte nje postkomunizem, me i rrezikshem se ai i kaluar. Duhet te shpallet jashte ligjit. Lenkat dhe Palet jane bere me tinzare, me te pasur dhe me te sofistikuar: Spiropali, T. Balla, Gjiknuri etj., etj.

krasasi tp13/11/2020 12:53

Jemi në prag dimri. Janë marë masa për ngrohjen apo jo?. I ftohti favorizon rrufën apo gripin. Sa të punësuar në kompani dhe biznese private janë me COVID-19?. Pak, për mos të thënë fare. Opozita shikon ta përmbys mazhorancën me protesta, mazhoranca përpiqet ti 'shtyp' protestat me ndalime. Ky është 'rregulli' pothuajse kudo në botë. Opozita u kënaq nga fitorja e z.Bajden. Të presë vaksinën sa të çertifikohet dhe sa të jap efektet. Ose të shpresojmë te ndonji zgjidhje që do vijë nga Amerika.Si psh "z.Bajden nuk është fitues". S'ka më COVID. COVID ishte loja.

Shto koment

Denonco