Lajmi i fundit

SYRI DIGJITAL/ RAI 3 dhe skandalet e zbuluara të 'Organizatës Rama'

Veç Denisës ka shumë fëmijë që nuk shkojnë dot në shkollë për fajin tuaj zysh Kushi

Veç Denisës ka shumë fëmijë që nuk shkojnë dot në shkollë për fajin tuaj zysh Kushi

Nga Ndriçim Mehmeti - 22/09/2020

Zysh Kushi e mbajti fjalën që dha, se ia kish për nder partisë dhe kryeministrit për postin e ministrit të arsimit. Për të na konkretizuar, se mbi të gjitha është partia dhe më pas vinte Shqipëria, zysh Kushi zgjodhi Denisën nga qarku i Elbasanit, nxënësen që qante në ditën e parë të shkollës, se nuk mundej dot të paraqitej ditën e parë në klasë. Veç një çante dhuratë, shumë përkëdheljeve e ndukje faqesh, zysha u fut direkt në rolin e saj: “Qeveria po shpërndan libra falas; këtë vit ka përfshirë nxënësit e klasës së 7-të, vitin tjetër do të marrin më shumë libra falas; qeveria do të bëjë këtë e atë”.

A e di zysh Kushi, sa fëmijë nuk shkojnë dot në shkollë për faj të saj?

Me siguri që nuk e di dhe nuk ka për ta mësuar kurrë. Për ta ndihmuar po i kujtojmë një shifër, të dhënë nga Besa, megjithëse kjo e fundit vështirë se besohet në ato që thotë. “10 mijë nxënës nuk e ndoqën dot mësimin online”, deklaroi ish-ministrja Shahini. Ata kanë qenë 30 mijë nxënës e më shumë, por edhe sikur të ketë qenë 10 mijë apo 1 mijë, tregon qartësisht shkallën e lartë të varfërisë dhe pamundësisë së fëmijëve shqiptarë dhe familjeve të tyre, për të ndjekur shkollën. Pas tërmetit dhe epidemisë me siguri që kjo shifër është rritur.

Dikush mund të thotë: “Po kështu ka ndodhur edhe gjetiu në botë”. Sigurisht që situata që po përjetojmë nuk është më e mira dhe as normale, por nuk duhet të harrojmë se qeveritë, sikundër familja, njerëzit, vlerësohen nga vendimet që marrin në kohë të vështira. Shumica, ku zysh Kushi, është një personazh i rëndësishëm brenda saj, me politikat e hartuara nga kryeministri Rama dhe të zbatuara nga Nikolla e Shahini, kanë çuar në pikën zero, të gjitha përpjekjet dhe arritjet e arsimit ndër vite.

Rilindja premtoi 5% të PPB, do të shkonte për arsimin, por në vitin e 8-të të qeverisjes, e kanë vetëm 2.55 % financimin për arsimin. Shkollat e rrënuara u shtuan, varfëria kaploi vendi, rritja e çmimeve të teksteve, transportit, mbyllja e shkollave dhe rrugëtimi i fëmijëve dhe mësuesve për kilometra të tëra, nuk mund të bëheshin asnjëherë një realitet i dhimbshëm, pa kontributin e rëndësishëm të zysh Kushit dhe kolegeve e kolegëve të saj. Fëmijët u privuan nga e drejta kushtetuese për arsimim, vetëm se ishin të varfër, të pa veshur, me prindër që mendojnë nga mëngjesi në darkë, sesi ti ushqejnë me pak bukë, vaj, gjizë dhe çka mbetet nga ato pak lek që shteti ja jep si asistencë apo paga mjerane që marrin, shkojnë për pagesat ujë e drita. Këto familje janë të destinuara të jenë të varfra ndoshta për disa breza, sepse pa arsimimin e duhur fëmijët nesër burra apo gra, nuk kanë asnjë mundësi për të mbajtur veten pale më të jenë të suksesshëm.

Nuk është Denisa një rast i izoluar, i një fshati të Librazhdit janë shumë fëmijë në fshat e në qytete, që enden rrugëve, risin më të vegjlit e shtëpisë, gërmojnë kazanët, lypin, ndajnë facoleta, paketa, çakmakë e sende të tjera, në këmbim të pak të hollave, që të mund të mbushin barkun me bukë. Këto zysh Kushi, me siguri nuk i di dhe nuk ka për ti mësuar asnjëherë. Në situatën konkrete që ne kemi në arsimin shqiptar, a e ka bërë llogari zysh Kushi, sa maska, sa dezinfektantë i duhen një familje që ka qoftë edhe një fëmijë në shkollë? Sa do të kushtojnë në fund të muajit dhe kush do ti mbuloj këto shpenzime, në muajt në vijim? Me siguri që edhe këtë nuk e di. Për shembull dhe referencë, zysh Kushi, nuk duhet të shkoj larg për të mësuar ca gjëra të thjeshta për arsimin, mjafton të dëgjoj, shikoj dhe ndjek se çfarë bën homologu i saj në Kosovë Ram Likaj, sa buxhet ka marrë prej qeverisë, vetëm për të përballuar masat anti-Covid në vitin shkollor 2020-2021.  Por edhe këtë zysh Kushi nuk ka për ta bërë, sepse halli i saj është propaganda e shpërlarë për arritjet e qeverisë, e paketuar në çantën e librave të Denisës

A e zgjodhi zysh Kushi krejt rastësisht Denisën e vogël?

Si në të gjitha daljet e eksponentëve të shumicës, asgjë nuk i lihet në dorë rastësisë. Ajo që i ka shpëtuar Taulantit në zonën e tij në Librazhd, duhet ta kompensonte, patjetër numri 2 i Rilindjes në qarkun e Elbasanit zysh Kushi. Lotët e Denisës në një televizion, për pamundësinë që kishte për të shkuar ditën e parë në shkollë, si të tjerët, duhet të merrte një përgjigje të fortë propagandistike. Shqetësimi ishte pse Denisa ishte nga Elbasani, madje edhe më keq akoma nga Librazhdi dhe jo pse nuk shkoi dot në shkollë? Atëherë u mendua hollë kjo punë: Edhe në Elbasan mund të ngjasi që kemi harruar ndonjë të varfër, kështu që edhe këtë punë do ta rregullojmë. Madje gjejmë rastin, që zysh Kushi, të na shpalosi politikën e madhe të partisë për arsimin, sakrificat që ka bërë për popullin dhe ato që do të bëjë, edhe pse e dinë mirë që i kanë ditët e numëruara. Familja e Denisës i priti në oborr edhe kjo një zgjedhje ideale. Në natyrë, është vështirë të kuptohet varfëria, ndërsa në shtëpi brenda, ndryshon puna. Divanet, mungesa e një rafti për libra, tavolinës ku do mësojnë fëmijët, dhoma e tyre që është vetëm një ëndërr, flasin vetë, nuk kanë nevojë për bilance qeveritare.

Pra gjithçka, ishte e kuruar deri në detajin e fundit, madje edhe ndriçimi i diellit dhe cilësia e xhirimeve, duhet të ishin në atë nivel, që fytyrat e familjarëve të tregonin vetëm lumturi, gëzim dhe hare të papërshkueshme, me rastin e vizitës së ministres së arsimit, bash në shtëpinë më të varfër e më me halle të Librazhdit. Partia i di hallet e popullit, i qan bashkë me të dhe i je zgjidhje-ky ishte mesazhi për të cilën u zgjidh Denisa e Elbasanit. Ajo nuk u zgjodh se ju dogj barku Ramës, Ballës e aq më pak zysh Kushi. Ajo u përdor siç janë përdorur rëndom, qindra e mijëra fëmijë, përfshi edhe ata që sapo lindin, vetëm për një grusht vota më shumë, për pak më shumë propagandë, për paradën e arritjeve të mos arritjeve, për “dëshirën e madhe” për të bërë sa më shumë punë, tani që ju vjen fundi, e shohin që në 8 vite nuk bën asgjë. Kjo është e vërteta e thjeshtë përse zysh Kushi, e filloi ditën e parë të punës së saj me Denisën e vogël dhe me një çantë dhuratë, që në të vërtet është një lëmoshë e neveritshme e dhënë nga dora e një gruaje, që është nënë e ministre arsimi dhe kurrë nuk duhet ta kishte bërë atë shfaqje të shëmtuar. Kjo është logjika dhe arsyeja, e cila, nënvlerësohet tërësisht nga premtimi solemn i zysh Kushit: Ajo do të nderoj partinë dhe shokun Edi, jo shoqërinë që e paguan në atë post dhe diturinë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco