Haraçi i rëndë që do të paguajnë shqiptarët për Milot-Fier

Haraçi i rëndë që do të paguajnë shqiptarët për Milot-Fier

Nga Klodian Tomorri - 02/07/2020

Tarifa e 7.5 euro për 100 kilometër që do të paguhet në rrugën Milot-Fier është 2 herë më e rëndë se niveli maksimal që mund të përballojnë qytetarët shqiptarë. Ky është një nga sukseset më të mëdha të projektit, me të cilin qeveria po vetëlavderohet.

Në vitin 2015, qeveria shqiptare pajtoi kompani greke Egnatia Odos për të përpiluar strategjinë kombëtare të rrugëve me pagesë.

Në strategji, kompania greke studioi dhe nivelin maksimal të tarifës që mund të përballojnë qytetaret shqiptarë për të kaluar në rrugë.

Në fakt, metoda kryesore se si llogaritet tarifa maksimale e kalimit në rrugë që mund të përballojnë familjet është standard në të gjithë botën. Ajo bazohet në strukturën e shpenzimeve të buxheteve familjare.

Me konkretisht, tek shuma e të ashtuquajturave shpenzime të luksit, pra shpenzimet që familjet bëjnë për hotele, restorante, kulturë, rikrijim, alkool dhe cigare. Këto zëra shpenzimesh konsiderohen si me elastiket, një pjesë e të cilave mund të shkurtohen.

Sipas anketës së buxheteve familjare të vitit 2015, një familje shqiptare shpenzon mesatarisht 94 euro në muaj për kategoritë e sipërpërmendura. Mbi këtë bazë, Egnatia Odhos i këshilloi qeverisë se tarifa maksimale e kalimit që mund të përballojnë familjet shqiptare për kalimin në rrugë është 3.5 euro për 100 kilometër.

Por sipas studimit niveli optimal do të ishte 2 euro për 100 kilometëer, çka do të rriste shpenzimet ekstra të familjeve për transport me 22 për qind në muaj.

Por në rrugën Milot-Fier, tarifa e propozuar do të jetë 7.5 euro për 100 kilometer pa TVSH ose 9 euro për 100 kilometër me TVSH. Pra kjo tarife do të jetë 3 herë më e lartë se niveli optimal dhe 2 herë më e lartë se niveli maksimal i përballurshmërisë që ka sugjeruar konsulenti.

Meqenëse këto tarifa bazohen në anketën e buxheteve familjare të 2015-ës, do të duhej që në 5 vitet e fundit, buxheti i familjeve shqiptare të ishte dyfishuar për të përballuar tarifën 7.5 euro. Por, sipas INSTAT, krahasuar me vitin 2015, PBB nominale është rritur me vetëm 19 për qind, ndërsa ajo reale me vetëm 13 për qind.

Për ta thënë më shkurt tarifa e kalimit prej 7.5 euro për 100 kilometër është një haraç i rëndë dhe i papërballueshëm për familjet shqiptare. Kjo do e bëjë kalimin në rrugën Milot-Fier të papërballueshëm për shumicën e popullsisë.

Edhe pse qeveria premton se do të ketë rrugë alternative pa pagesë, ky është një film që shqiptaret e kanë parë njëherë me rrugën Durrës-Kukës.

Tarifa e lartë e kalimit në Milot-Fier është rezultat i fryrjes së kostos së rrugës. Në këtë pikë, sërish vlen e njëjta pyetje për qeverinë:

Kush e ka bërë studimin e fizibilitetit ekonomik të rrugës Milot-Fier, në çfarë procedure u përzgjodh konsulenti dhe kush e pagoi?

Këtu nis gjithçka.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shqiptari02/07/2020 14:32

Z. BASHA! BOLL ME DEKLARATA, ME THIRRJE DHE DENONCIME MEDIATIKE!!!
NGRINI PADI PENALE TEK SPAK, PROKURORI I PERGJITHSHEM, KLSH DHE TEK GJYKATA KUSHTETUESE!!!
SI PREMTIME QE PO BEN DHE DO TE BESH DERI NE ZGJEDHJET POLITIKE JANE TEPER BRILANTE, PATRIOTIKE DHE ME INTERES FINANCIAR MJAFT TE MADH KOMBETAR DHE POPULLOR. PRANDAJ EDHE PD ESHTE ANTARE E GRUPIMIT POLITIK TE PARTIVE POPULLORE EVROPIANE (PPE).
TE SHIKOJME MBAJTJEN E KETYRE PREMTIMEVE! SE MOS NA THUA NESER NE PUSHTET QE JO KESHTU E JO ASHTU, NUK NA LENE KETA E NUK NA LENE ATA!!!! JO NUK NA LE BE, NUK NA LE SHBA E NUK LE BOTA T'I ANULLOJME APO T'I RISHIKOJME SIPAS KOSTOVE TE TYRE REALE. INVESTIME TE TILLA DUHEN, POR PA I FRYRE KOSTOT DHE PA NA VJEDHUR GJAKUN DHE DJERSEN TONE!!! MENDOJE SHQIPERINE NJESOJ SI SHTEPINE TENDE!!! KONSIDEROJE BUXHETIN E SHQIPERISE NJESOJ SI XHEPI I FAMILJES TENDE!!! KESHTU MENDON NJE PATRIOT DHE LIDER I VERTETE ATDHETAR I KOMBIT!!!

Shto koment

Denonco