‘Mos iu afro Çomes!’

‘Mos iu afro Çomes!’

Nga Agim Xhafka - 20/04/2020

Në mbarim të gjimnazit, nga mesi i korrikut, na çuan në aksion për ndërtimin e hekurudhës Prrenjas-Pogradec. U vendosëm në sektorin Buqezë, gati në buzë të liqenit, pranë Linit piktoresk.

Qysh sa mbërritëm, u krodhëm në gjol. Na dukej ëndërr që do kalonim një muaj në këtë vend përrallor. Por gëzimi zgjati dy ditë. Të tretën erdhi urdhri nga ministria që asnjë nxënës nuk lejohej të hynte në ujët e liqenit se në Lukovën e Sarandës ishte mbytur një student duke notuar në detin Jon.

U bëmë helm. Nuk kishim as dushe, ngaqë mendohej se aksionistëve do u mjaftonte gjoli.

Por një darkë, kur u rreshtuam për të hyrë në mensë, na doli para Niko, drejtori ynë.

-Ku është Çomja!- pyeti.

-Këtu!- u dëgjua zëri i Thomait, që në Korçë thirret Çome.

Doli në krye. Qe dy herë i gjatë se drejtori, basketbollist me Skënderbeun.

-Që nesër pas pune do hysh në liqen deri sa uji të të arrijë te zemra. Aty do rrish pa lëvizur gjysmë ore. Do notojnë të gjithë, por kujdes, mos iu afroni Çomes! Mos e prekni atë! Kush shkel këtë rregull, ta harrojë larjen në liqen për një javë.

Të nesërmen sikur hymë në parajsë. Notuam dhe lodruam. Çomja na provokonte, ejani më kapni. Po askush nuk e hëngri atë kokërr ulliri.

Jeta ka plot gjëra të ndaluara. Mos vidh është njësoj si, mos iu afro Çomes. Mos mashtro, sërish ngjet me, mos iu afro Çomes.

Edhe Covid-19 tani ka veç një “antibiotik”, distancën. Pra mos iu afro Çomes, shokut, kalimtarit, shitësit, shoferit. Rri dy metër larg,vendos maskë dhe jeto bashkë me virusin.

Nuk ka pse izolohemi si të burgosur të rrezikshëm. Tashmë ka rezultate pozitive distancimi. U provua. Thuaji vetes, mos iu afro Çomes e shko në punë, në shkollë, në udhëtime. Me gëzim e besim te e nesërmja... E djeshmja ia vlejti se na mësoi, Çomes mos iu afro!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco