BQE-BSH, kur bankat qendrore bëhen barrë për ekonominë

BQE-BSH, kur bankat qendrore bëhen barrë për ekonominë

Nga Klodian Tomorri - 17/03/2020

Ben Bernanke, ish shefi i Rezervës Federale thotë se politika monetare është 98 për qind komunikim dhe vetëm 2 për qind veprim. Për ta thënë më thjeshtë, arma më e fuqishme që kanë bankat qendrore për të ndikuar ekonominë është fjala.

Mekanizmi është shumë i thjeshtë. Përmes deklaratave publike, bankat qendrore kanë aftësinë për të ndikuar sjelljen e individëve dhe biznesit, por edhe për të orientuar pritshmëritë e tregjeve për të ardhmen.

Në vitin 2012, monedha e përbashkët ishte në prag të kolapsit teksa shumë vende të BE-së ishin përfshirë nga kriza e borxheve. Por teksa negociatat dhe marrëveshjet ndërkombëtare dështonin njera pas tjetrës duke i lënë qeveritë të dorëzuara, euro u shpëtua nga vetëm një fjali me tre fjalë. Kur të gjithë ishin duke vënë bast se euro tashmë kishte marrë fund, ish shefi i bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi deklaroi publikisht se BQE do të bënte gjithçka të ishte e nevojshme për të shpëtuar eurozonën dhe monedhën e përbashkët. Ishte shprehja e famshme ‘Whatever it takes’, ajo e cila qetësoi tregjet, shpetoi euron dhe ndoshta edhe Bashkimin Europian.

Komunikimi është një instrument jashtëzakonisht i fuqishëm në politikën monetare. Por pikërisht kjo fuqi e madhë e bën atë një armë shumë delikate. Nëse bankat qendrore, i përçojnë publikut mesazhin e gabuar, atëherë pasojat mund të jenë katastrofike.

Rasti më i fundit u vërtetua jo më larg se një javë më parë. Shefja aktuale e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde, fshiu qindra miliardë euro pasuri me një fjali të vetme; ‘Ne nuk jemi këtu për të ngushtuar spreadin, pra diferencën e normave të interesit mes borxhit gjerman dhe atij italian. Përkthimi i mesazhit: ‘Mos shikoni nga BQE për zgjidhjen e krizës që ka shkaktuar koronavirusi.’

Kaq mjaftoi që tregjet globale të aksioneve të fundoseshin dhe ekonomia europiane të merrte një nga goditjet më të rënda në dekadën e fundit. Edhe pse deklarata e Lagarde u kundërshtua nga të gjithë udhëheqësit e vendeve të Bashkimit Europian, përfshirë bashkëkombasin e saj, Presidentin Macron, dëmi ishte i jashtëzakonshëm. Shumë thonë se përmes kësaj deklarate të papërgjegjshme Lagarde mund të ketë thelluar në mënyrë të konsiderueshme intensitetin e rënies ekonomike që ka filluar sakaq të ndodhë në shkallë globale dhe veçanërisht në BE.

Banka e Shqipërisë është duke bërë një gabim të ngjashëm me mënyrën se si po menaxhon krizën e shkaktuar nga epidemia në ekonominë shqiptare. Fillimisht duke i përçuar tregut mesazhe të paqarta, e joshur nga dëshira për protagonizëm të pavend. Është e pafalshme për një bankë qendrore që të komunikojë pezullimin e kredive, pa sqaruar në mënyrë të qartë mekanizmin dhe detajet.

Teksa mediat citonin Guvernatorin në ligjëratë të drejtë për pezullimin e kredive për tre muaj, u deshën dy ditë të sqarohej se bëhej fjalë vetëm për bizneset e prekura nga karantina dhe vetëm në rast dakortësie me bankën kredituese.

Por bankat qendrore nuk përçojnë mesazhe të gabuara vetëm kur flasin. Ato mund të bëjnë po kaq dëm edhe kur heshtin. Këtë të martë sportelet e bankave në Shqipëri, ngjanin me radhët e dyqaneve në Venezuelë. Njerëzit e shqetësuar janë dyndur drejt bankave, edhe pse nuk ka asnjë arsye. Paratë janë dhe do të jenë aty pavarësisht se sa e rëndë mund të jetë kriza. Bankat janë aty dhe do të vazhdojnë të funksionojnë normalisht në çdo kohë.

Sistemi financiar është likuid dhe Banka e Shqipërisë ka të gjithë mekanizmat për të injektuar likuiditet në çdo kohë, që sistemi të funksionojë normalisht dhe pandërprerje. E vetmja gjë që mungon është fjala. ‘Whatever it takes’.

Ndërsa 2 për qindëshi tjetër i veprimit duhet të vijë sa më parë. Ndoshta sipas modelit anglez, ku një ulje normë me 0.5 për qind mund të qetësonte edhe më shumë tregun financiar dhe të përgatiste terrenin për impulsin e detyrueshëm fiskal që pritet të vijë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco