Rama dhe uzina e ëndrrave

Rama dhe uzina e ëndrrave

Nga Doan Gjyzeli - 24/02/2020

Një nga kërkesat ndoshta më paradoksale që i bëhet sot kryeministrit Rama është shkëputja e tij nga krimi. Një kërkesë e tillë është paradoks i madh pasi pas shtatë vitesh në pushtet ai nuk është në marrëveshje me ta, por është përfaqësuesi i tyre. Ata nuk janë thjesht më të nevojshëm, por të domosdoshëm për pushtetin e tij, pasi përmes “të fortëve” ai ka garanci se do arrijë të dekurajojë këdo që dëshiron të shohë ndryshime politike në këtë vend. Për ta vërtetuar këtë lidhje mes qeverisjes së tij dhe krimit mjafton të bësh një sondazh duke pyetur nëse është e mundur të bësh një biznes në qytetet e Shqipërisë pa marrë një “ok” të qartë nga të fortët e çdo qyteti.

Strukturat lokale, apo edhe ato partiake që varen prej Ramës, janë thjesht një miratim pa zë i dëshirave të të fortëve. (Do të mjaftonte vetëm Durrësi si eksperiment, për të parë nëse bën apo jo biznes pa kaluar nga të fortët, të cilët prej kohësh e njihnin dhe njohin zyrës e Vangjush Dakos në bashki më mirë se ç’e njohin edhe vetë nëpunësit e bashkisë).

Ndërkohë, për publikun, Rama e bëri të qartë se “Dako është mik i tij edhe kur shpallet i padëshiruar nga amerikanët”. Pra, kush ka besuar se do hetohen dosje ku përmenden miqtë e tij, si “184” apo “339”, as mos t’i shkojë ndërmend se do hetohen nga organet e reja të drejtësisë. Pra, kush ka besuar se organet e drejtësisë janë për hetimin e krimit, duhet të pyesin veten më parë se çfarë është krim për qeverisjen e sotme, pasi këtë nuk e vendos më ligji apo gjykatat, por vetëm Rama e askush tjetër. Dhe Rama e ka të nevojshme t’ua çojë “niçeve” këtë mesazh, që ata të vijojnë të qetë të mbështesin dekurajimin e plotë të qytetarëve se mund të kenë një ditë shtetin ligjor, ku mund të ndëshkohen të korruptuarit apo të fortët.

Por, a po përdor Rama një dhunë të drejtpërdrejtë?

E vërteta është se mbikëqyrja dhe dhuna më e madhe e pushtetit sot bazohet te fjalët, jo te dhuna e drejtpërdrejtë. Ndaj, një nga metodat që përdoret sot rëndom nuk është më as burgosja e as dhuna fizike, por poshtërimi dhe delegjitimimi i gjithkujt që nuk përshëndet lëvizjet e pushtetit. Për të arritur në këtë poshtërimin të hapur, madje jo vetëm atyre që janë kundër, por edhe të familjes së tij politike, PS-së, Rama e ka nisur nga mbështetja e gjykimit pa arsye, e pastaj me radhë- te manipulimi i të dhënave, përhapja e gjysmë të vërtetave, krijimi dhe forcimi i dikotomisë i fortë-i dobët, nxitja e shijeve dhe nevojave të turmës, e sidomos përgatitja e shoqërisë për një marrëdhënie tërësisht konformiste dhe varësie nga të tjerët. Këto hapa të rreshtuara nga një propagandë intensive, në televizione, gazeta e rrjete sociale që drejtohen nga ushtarët e zyrës së tij, janë padyshim pengesa kryesore për shoqërinë e sotme për të menduar në liri dhe me dinjitet. Konformizmi dhe oportunizmi i ka zënë vendin dinjitetit dhe logjikës, duke krijuar përfundimisht idenë se “të jesh i ndershëm dhe i drejtë është e kotë dhe e pavlerë”. Për të garantuar që kjo propagandë dhe ky poshtërim të ketë sukses, qeveria investon vetëm në një industri: në prodhimin e shëndetit ideor sipas ideve të saj.

Një nga sociologët më të njohur në botë, Niklas Luhman, shprehet në librin e tij “Teoritë e shoqërisë” se, “realitetin e prodhojnë sot më shumë ata që kanë pushtetin dhe jo ata që e njohin”. Pikërisht përmes këtij pushteti Rama prej shtatë vitesh ka ndërtuar uzinën e ëndrrave, ku mbi gjithçka mbretëron ideja se “reforma në drejtësi është në interes të vendit, për t’i dhënë qytetarëve drejtësinë e munguar!!!”.

Madje, ka këmbëngulur se vetëm opozita ka frikë nga drejtësia e re, edhe pse prej shtatë vitesh opozita nuk është në pushtet dhe prej një viti nuk ka më asnjë pushtet ekzekutiv, as në rang qendror e as në rang lokal. Mirëpo kjo nuk e ndalon uzinën e ëndrrave të Ramës që të funksionojë në çdo televizion, duke bërë që njerëzit të mos e dallojnë dot përditshmërinë e tyre të varfër e të padrejtë, pasi propaganda jep një tjetër Shqipëri. Është e vërtetë, që një industri e tillë ëndrrash është e vështirë në përballje, të paktën për aq kohë sa televizionet, opinionistët dhe intelektualët të mos guxojnë të ngrenë zërin e të nxjerrin në pah se, ajo që po bën sot Rama është një diktaturë e rrezikshme, pasi i skllavëron qytetarët përmes poshtërimit. Madje, duke i lënë në mënyrë të hapur pa gjykata, Rama ka firmosur postin e tij si kryegjykatës, ku në jo pak raste shpall se cili ka të drejtë e cili jo.

Ndërkohë, lidhur me komunikimin, mjafton të shohësh disa nga debatet televizive ku del Rama, dhe brenda pak minutave dallohet qartë se, argumenti i vetëm i tij është fyerja, pa pasur asnjë sqarim. Po kështu ai nuk nguron të sulmojë çdo media që nuk mban ison e propagandës së tij, ndërkohë që çdo të akuzuar të qeverisë së tij për shkelje ligji apo korrupsion e konsideron imagjinatë të kundërshtarëve apo medias që nuk i bindet.

Gandi, që drejtoi një komb në fitoren e mëvetësisë përmes mosbindjes, thoshte se “shoqëritë e nisin degradimin e plotë kur në vend të dinjitetit, në vend të kundërshtimit ndaj padrejtësive, përdorin vetëm bindjen”. Fatkeqësisht, e gjithë uzina e ëndrrave që ka ngritur Rama ka në themel të saj një shoqëri që vetëm bindet dhe që ka harruar të ngrejë zërin kur e skllavërojnë, kur e çnderojnë dhe, sidomos, kur zhvlerësojnë dijen dhe ndershmërinë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Askushi24/02/2020 19:24

Horri Rama eshte koka e mafjes. Ai drejton mafjen. Nuk jane vetem 7 vite ne pushtet, por dhe 11 vite ne bashki dhe ne ministri. Pra atij i behen 20 vite. Nuk ka nevoj per asnje analiz. Mjafton te kuptosh dhe besosh qe ai perfaqson mafjen. Gjitheshka eshte e qarte. Veprojne ligjet e mafjes, te gortit, te dhunes nga keta te gort qe dhe te vrasin, dhune shtetrore ndaj bizneseve qe nuk jane me ramen, me tatimoret etj. Ky eshte opinioni ime per krye horrin.

Shto koment

Denonco