Në kërkim të rrugës që bëri vija e kokainës, deri te hunda e Allës së Ramës!

Në kërkim të rrugës që bëri vija e kokainës, deri te hunda e Allës së Ramës!

Nga Poli Hoxha - 23/01/2020

Denoncohen me fakte e dokumente, bëhen lajme e meme, shndërrohen në brumë për kërleshjen politike e pastaj harrohen sepse del tjetri.

E kështu po na bëhet normalitet që deputetë të përfshirë në organizata kriminale ‘dënohen’ me heqje të mandatit, por vazhdojnë të qetë `bizneset` e madje edhe rolin e shefit në parti dhe të shefit të kuadrit në zonën që mbulojnë, për hesap të Rilindjes.

E njëjta gjë po ndodh me varganin e kryebashkiakëve të Ramës, të cilët po bien si poturet që iu këputet papritur llastiku, duke na treguar pisllëkun dhe sëmundjen reale në trupin e atij që i vesh.

Por nëse do të funksiononin organet ligj-zbatuese njësoj, edhe për zyrtarët e lartë të përzgjedhur nga vetë Edi Rama, policia dhe prokuroria do të duhej që për të gjithë rastet të niste ‘kryesisht’ një hetim të gjerë. Bëhet fjalë për zyrtarë të lartë të shtetit dhe në sitë iu kalon automatikisht jo vetëm ‘mëkati’ me të cilin kapen, por edhe veprimtaria e tyre në `biznes`, pasuria, lidhjet politike dhe veçanërisht rrethi me të cilin `shoqërohen` e bëjnë punë.

Mohimi dhe politizimi i ‘preshit kriminal’ që iu kapet në dorë eksponentëve të Rilindjes në pushtet, tashmë është bërë bajat për opinionin publik. Historia përsëritet me justifikime politike, kurse organi i akuzës nxiton që të mbyllë kapakun e pusit nga del duhma e qelbur që i përplaset publikut herë nga opozita, e herë nga media.

Edhe në skandalin e fundit, ndërkohë që opinion publik vazhdon që të jetë i shokuar nga pamjet që publikoi gazetari, Artan Hoxha, në të cilat shfaqet kryetari i Bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla duke përgatitur dhe më pas konsumuar lëndë narkotike të fortë të llojit kokainë, ka nisur një fushatë për të relativizuar këtë akt, i cili përveç anës morale dhe politike, ka brenda edhe elementë të fortë penalë, të cilët mund të çojnë deri në zbulimin e një organizate kriminale.

SPAK njoftoi pas 24 orësh, se ka nisur një hetim për këtë çështje dhe ky është lajm i mirë. Sepse në mjaft media ‘të dërguarit’ e Rilindjes, gazetarë apo ‘opinionistë’, po përpiqen që ta nxjerrin edhe këtë rast si një ‘mëkat vetjak’, se ai ndodhka në gjithë botën nga zyrtarë të lartë e madje edhe kryeministra, se maksimumi i përgjegjësisë është morale, etj, etj.

Kurse për sa i përket `gjyqit politik`, sipas të gjitha gjasave, në fund fare ‘babloku’ do ta lëshojë edhe këtë duke u distancuar nga `individi`, kurse karvani do të ecë përpara, sa do që të ‘lehim’ ne. Do bjerë Alla si kryebashkiak, por jo `organizata` e tij nëse SPAK nuk vërteton se ajo nuk ekziston. Mbrëmë në ‘Opinion’ thashë se me shumë mundësi do të kemi një hetim, por vetëm për `montazhin` e videos së publikuar nga gazetari Hoxha.  Nëse fokusi i SPAK ngelet me kaq, apo vetëm te akti i përdorimit të lëndëve narkotike në publik nga një zyrtar i lartë shtetëror, atëherë asgjë nuk ka ndryshuar.

Tregojmë me gisht gërvishtjen, por mbulojmë plagën malinje që fshihet thellë në trup. Kështu ka ndodhur me të gjithë, nëse kthjelloheni dhe shihni se ku janë e me çfarë po merren sot e gjithë ditën, ish-deputetët e Ramës të kapur nga ligji i dekriminalizmit.

Po mbrëmë në emisionin ‘Opinion’, kryetari i degës së PD-së në Bulqizë nëpërmjet një mesazhi për Blendi Fevziun konfirmoi vërtetësinë e pamjeve, por shtoi se ka edhe `të tjera` që i di e gjithë Bulqiza. Ai saktësoi edhe se djali i Lefter Allës nuk është kapur nga policia e Tiranës me hashash për përdorim personal siç po manipulohet, por me 5 gramë kokainë.

Çfarë janë këto ‘të tjerat’ që i di gjithë Bulqiza duhet të hetojë SPAK pas kësaj indicie të fortë, që jep video në fjalë. Asgjë nuk është rastësi dhe e shkëputur.

Por le t'i mëshojmë rastit konkret, për të ndihmuar edhe zotërinjtë e SPAK që të mos lejojnë më që në Shqipëri të `tejkalohet` e vërteta me një `hetim për rastin`, i cili katandiset maksimumi në një gjyq publik në rrjet, apo edhe me një flakje distancuese prej prapanicës së vet, siç bënë rëndom kryeministri.

Nëse Edi Rama ka debulesë dhe kompleks për përdoruesit e kokainës dhe ende nuk po reagon me një shkarkim apo pezullim nga detyra të Allës, (të paktën deri në sqarimin e plotë të rrethanave), SPAK duhet që këtë hetim të na e kthejë në një shembull, për të kuptuar se ky institucion ku i kanë sytë e shpresat gjithë shqiptarët, do ti çojë gjërat deri në fund dhe përtej atyre që na sheh syri në TV.

Sepse në rastin më të mirë kemi të bëjmë me një zyrtar të lartë të shtetit, ‘krye-qytetarin’ që merr vendime të rëndësishme për Bulqizën, i cili konsumon drogë në ambient publik, kurse përtej kësaj kemi indicie të forta për një grup trafikantësh dhe shpërndarësish të kokainës.

Ajo kokainë që kryebashkiaku Lefter Alla e nxjerr nga qesja, e shtron në pjatë, e përgatit e më pas e konsumon, ka dalë nga një qese më e madhe. Ajo gjithashtu është shkëputur, nga një ngarkesë më e madhe droge. Për të mbërritur te pjata e Allës ka kaluar në një zinxhir kriminal, i cili ndoshta nuk mund të zbulohet që në fillesë (vendet e Amerikave), por këtu brenda Shqipërisë, apo të paktën në Bulqizë është e mundur, nëse ka vullnet për zbatimin e ligjit.

Një zyrtar i lartë i shtetit është i detyruar me ligj që të tregojë, se cila është hallka më afër tij që i serviri kokainën dhe kështu në vazhdim bëhet zbërthimi dhe hetimi. Si individ ai mban barrën morale, kurse si kryetar bashkie i ka të dyja duke përfshirë edhe atë penale.

Kryebashkiakun e Ramës, nuk e shpëtojnë dot alibitë mohuese. As ata që i mëshojnë ‘përdorimit vetjak’, as politizimi i kokaninës e cila nuk ka as ngjyrë rozë e as blu. Aq më pak lajmësit që i dërgojnë Artan Hoxhës, e kolegëve të tjerë.

Pas një konsultimi të shpejtë me Kodin Penal nëse thellohet hetimi, atë e kapin të paktën 10 nene, të cilat parashikojnë dënime të forta, nga gjoba deri në burg të rëndë, edhe si zyrtar, edhe si individ.

Duke mohuar ngjarjen, faktin e asaj që duket në video, Lefter Alla direkt kapet nga nenet 300 dhe 301 të Kodit Penal, të cilët parashikojnë penalizimet për moskallëzim krimi.

‘Moskallëzimi në organet e ndjekjes penale, në gjykatë, në organet e rendit publik, të pushtetit ose të administratës, i një krimi që është duke u kryer apo që është kryer, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet’, thuhet në nenin 300.

Nëse video është e vërtetë siç thotë autori i publikimit që e verifikoi për 4 muaj dhe si e konfirmon e gjithë Bulqiza, atëherë Alla me qëndrimet e deritanishme është duke konsumuar hapur krimin e moskallëzimit.

Kurse neni 301 e fundos edhe më shumë, nëse kryebashkiaku i Bulqizës vazhdon e këmbëngul në mosekzistencën e faktit që paraqitet në videon skandaloze; duke tentuar të shantazhojë e blejë njerëz që janë në dijeni të faktit; duke ndryshuar arredimin dhe rikonfiguruar ambientin që duket në pamjet e publikuara, veçanërisht duke marrë masat për zhdukjen e videos nga serverat që monitoronin lokalin me kamera, siç edhe janë të dhënat.

‘Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Kryerja e veprimeve për të ndryshuar vendin e kryerjes së veprës penale duke prishur, ndryshuar apo fshirë gjurmët e saj ose duke lëvizur, fshehur, asgjësuar, vjedhur, falsifikuar një send apo një dokument me qëllim për të vështirësuar dhe penguar zbulimin e veprës penale dhe të autorit të saj, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet’, shkruhet tekstualisht në Nenin 301 të Kodit Penal.

    Por sidomos aty ku duhen të përqendrohen prokurorët e SPAK janë nenet 283/284 dhe derivatet e tyre, të cilat trajtojnë pikërisht veprën që ka konsumuar kryebashkiaku dhe indiciet e forta që jep ajo për të zbuluar një grup trafikantësh dhe prodhuesish të kokainës.

    Si fillim le ta nisin nga neni 285/a, i cili thotë tekstualisht:

    ‘Përshtatja ose lejimi për përshtatjen e lokalit, banesës, mjeteve motorike dhe të çdo mjeti tjetër publik ose privat për grumbullimin e personave me qëllim që ata të konsumojnë substanca narkotike ose psikotrope, dënohet me burgim gjer në pesë vjet’.

    Pra Alla menjëherë pasi ka marrë mandatin e kryebashkiakut që më herët e mbante daja i vetë, i cili i jepte atij dhe të vëllait shumicën e  tenderave në qytet, ka grumbulluar shokët, ka përshtatur lokalin në fjalë, pastaj përshtat pjatën dhe sasinë e kokainës dhe nis e `feston` në grup.

    Të gjitha këto duken në viedon e publikuar dhe sipas nenit 285/a, mjaftojnë që dënimi të jetë deri në 5 vite burg për Allën dhe shokët e tij. Pastaj SPAK ka kohë boll që të thellohet, e të ndjekë zinxhirin e njerëzve e rrugën që bëri kokaina, për të mbërritur deri në pjatën e më pas hundën e kryebashkiakut të Rilindjes!

    © SYRI.net

    Lexo edhe

    Komentet

    Shqipo23/01/2020 21:01

    Rruga shume e kolljte per tu gjetur Americ e jugut Durres Surrel Bulqize ,dhe hopa te shoku palla ,dhe tak e fap te verra e hundës, eeee sa kenaqet minatori rilindes I Bulqizes ,atij te shkretit mir qe I erdhi kjo dite.E pse mos ta rrufi dhe ky surrat bajga ,kur k ,kreu I tije e rruf nga te dyja verrat njehersh.

    ai23/01/2020 20:46

    Nëse Rama me Manjën do të bëjnë çmos që ta shpëtojnë këtë Allën apo Pallën e kromit, do të tja gjejnë ndonjë "sozi" si Alizoti, që të luaj Geron Allën.
    Por nëse ky gjah ka rënë në ndonjë prokuror të guximshëm që do ta çojë punën deri në fund, ky do të zbulojë edhe fijet që e lidhin me masakrën e zgjedhjeve në Dibër.

    Skrapari23/01/2020 16:01

    I nderuar z. Hoxha! Te jesh ti dhe gjithe opinioni publik te bindur se asgje nuk do ti ndodh as sot as mot shokut Alla kryetarit aktual te komitetit ekzekutiv te keshillit popullor te rrethit Bulqize. Habitem si shpresoni qe kete problem do ta mare ne dore dhe do ti jape drejtim SPAK nje vegel qore ne duart e Edvin Taqi Sumqirit. Kurren e kurres ska per te ndodhur. Nderkohe te gjithe pranojme qe nga kreu i Shtetit e deri tek qytetari i fundit qe drejtesine e ka kapur Taqi.

    yllitopalli75@gmail.com23/01/2020 14:28

    E mira do ishte nje doreheqje dhe ndjesë publike nga Alla dhe te pirdhet se ka lek per dy jeten.

    Shto koment

    Denonco