Nuk ka proces zgjedhor pa dekret, pikë!

Nuk ka proces zgjedhor pa dekret, pikë!

Nga Bujar Nishani - 07/09/2019

Raporti më i fundit i OSBE/ODIHR mbi 30 Qershorin në Shqipëri nuk solli në fakt asgjë të re për opinionin publik në vend, përveçse ripërsëriti dhe rikonfirmoi atë që aktorë të tjerë ndërkombëtar e veçanërisht media serioze dhe e pavarur ndërkombëtare kishte demonstruar disa herë me prova e fakte dramatike. Atë të Shqipërisë nën një regjim !

Kjo ishte dhe panorama e shpalosur edhe në raportin e OSBE adresuar kjo në këtë rast nga këndvështrimi mbi një dimension të sajin, atë të proceseve elektorale si mekanizma ku starton klima dhe arkitektura e jetësimit të politikave qeverisëse e funksionuese të shtetit e shoqërisë.
Nëse do të ndërtonim një identikit të shprehur mbi një grafit bardh e zi të regjimit duke përdorur si gdhendës, karbonin që përmban raporti i OSBE mbi farsën elektorale të 30 Qershorit, do të shihnim thjesht e qartë rrënojën katastrofale të shtetit tonë, të shembur mbi dhé.

Themeli - Kolona - Çatia - janë elementët fondamental të ekzistencës, mbi të cilën mundësohet qëndrimi dhe funksionimi i çdo arkitekture dhe ngrehine funksionale.

Në raportin e OSBE prezantohet qartazi (megjithëse dhimbshëm për ne) imazhi i shembjes të të gjithë këtyre elementëve të shtetit dhe sistemit tonë politik.

Në një proces elektoral, themeli prej nga ku ngrihet gjithshka më pas është Ligjshmëria! Ligjshmëria e një procesi elektoral, vendoset, përfaqësohet, jetësohet vetëm dhe vetëm nga Dekreti i Presidenti të Republikës!

Nuk ka proces zgjedhor pa një dekret, pikë!

OSBE tregoi se procesi i 30 qershorit nuk kishte Ligjshmëri që të ndodhte. Më pas mbi këtë themel ngrihet Kolona e ngrehinës së Procesit.
Standardi i Ligjshmërisë, përbën këtë Kolonë !

Por, asgjesimi i pluralitetit të mundësisë së zgjedhjes dhe paraqitja në shumicën dërrmuese të njësive zgjedhor të fletëve të votimit vetëm me një emër ishte jo vetëm rilindja e modelit monist por dhe nisja e rrëzimit të kësaj kolone që u eksplodua tërësisht nga vendimin banditesk i moslejimit të pjesëmarrjes së komisionerëve të opozitës në komisionet zgjedhore për të kontrolluar proçesin.

Raporti i OSBE konfirmoi këtë akt prej talebanësh, i cili rrëzoi edhe Kolonën e ngrehinës.

Mbi Kolonën e ngrehinës qëndrojnë Trarët, si ndërlidhës dhe lehtësues të saj me vetë çatinë.

Në një ngrehinë politike, ato janë mekanizmi për zbatimin e ligjit dhe rregullave të barabarta për të gjithë në proces.

KQZ përfaqëson këtë mekanizëm, i cili u kthye në brerësin e helmatisur nga ideologjia partiake, ndaj gjithçkaje kishte mbi supe, duke e lënë kështu ngrehinën fasadë, të ngrihej mbi trarë të kalbur !

Këtë na e thotë qartë Raporti i OSBE.

Mbrojtja e Ligjit nga abuzimi dhe Korrektimi i Shkeljeve, përbën në rastin e një procesi elektoral, ÇATINE që i vihet mbi krye gjithë ngrehinës.

Këto duhet të ishin pikërisht roli dhe detyra e Kolegjit Zgjedhor.

Kolegji Zgjedhor e mohoi ekzistencën e mekanizmit gjyqësor mbështetur mbi ligj, përmes akteve në kundërshtim të hapur edhe me vetë praktikën gjyqësore të interpretuar nga Gjykata Kushtetuese në rastin e paraqitur në 2017, e cila ngarkon vetëm Gjykatën Administrative, për shqyrtimin e lëndës ku Kolegji “përleu” veten burracakërisht, siç ja thotë Raporti i OSBE.

Raporti ka lënë pa treguar veç aktin e fundit, në fakt atë që nuk ka ndodhur ende.

Dënimin e regjimit, që është e drejta ekskluzive e shqiptarëve, në vijim !

Por që ky verdikt i shqiptarëve të jetë sa më i drejtë e i plotë, nuk do të mjaftonte vetëm grafiti me karbonin e Raportit të OSBE.

Ky identikit do të duhej të bëhej me tërë kolorin që ka.

Krimin e organizuar si partner bashkëjetues, hajdutërinë përmes dhunimit të më të pamundurve, injorancën proverbiale ku profili i qytetarisë dhe mençurisë u zëvendësua si “fashion” nga “të fortët e barit”, etj., etj.

Për të dizenjuar këtë identikit me tërë koloritin e vetë, do të duhej një kanavacë sa i gjithë sheshi Skënderbej (ashtu siç është i deformuar sot), ku do të rezultonte të shfaqej një monstër e përçudnuar, ku bojërat e kolori kacafyten me njëri-tjetrin, mu ashtu siç e ka kontraktuar një shoqëri të tërë ky regjim që tashmë na e tregoi edhe Raporti i OSBE!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco