Urrejtje dhe plaçkitje apo përndryshe, historia jonë…

Urrejtje dhe plaçkitje apo përndryshe, historia jonë…

Nga Nga Artur Zheji - 08/08/2019

Presim Shtatorin dhe Tetorin që do vijë… Kështu pëshpëritet vesh më vesh, në bregdet apo në gryka mali e shtrate lumenjsh… Do ndodhë diçka e do të plasë shumëçka…

Por, për vitet që kam dhe për kqyrjet e gjata që me dëshirë apo me pahir kam bërë, shumë pak gjëra vërtetësisht thelbësore do të ndodhin ndryshe, nga ato çfarë kemi parë. Vetëm se “Urrejtja” e panginjur mes nesh, do të marrë forma të reja dhe etja për para, për shumë para, do të gjarpërojë në përplasjen politike me një vrull dhe me një afsh të ri.

Pakica, qoftë kjo elitare, qëndrestare apo vulgare, do të shkelet dhe do të mënjanohet, sepse “Protokolli i mbrojtjes së Pakicës”, në një vend si Shqipëria, ka mbi 100 vjet që nuk ka hapësirë jetike, nuk ka të drejtë qytetarie, e nuk ka përfillje.

Një vend që ska bërë asnjë luftë me të tjerët, është dreqosur nga lufta e pamëshirshme dhe pa kufi me vetveten, si një grryerje, si një acid vrasës, si një ligësi për të parë të dërmuar më të dobtin, më të pafuqishmin dhe këmbërrëshqiturin në humnerë.

Kemi qenë dhe mbetemi një vend bejlerësh dhe Shqipëria ka qenë dhe mbeti një çiflig për tu rrjepur dhe zhvatur pa dhimbje dhe deri në pikën e fundit të palcës së qënies së saj të brishtë.

Presim Shtatorin dhe Tetorin që do të vijë…

Pak gjëra ndryshe do të sjellë Vjeshta, kryeministri do ta çojë me sa duket, deri në fund sfidën e tij. Sepse ai nuk jeton dot ndryshe, nuk jeton dot pa adrenalinën që bart sfida, pavarsisht Kahjes. Nuk jeton dot pa rreshtuar ushtarakisht puthadorët e tij të mirëushqyer, për të hovur sërish mbi kundërshtarët. Kundërshtarët do tendosen, do të bëhen gardh e do shtrëngojnë rradhët dhe do të mundohen ti bëjnë pritë hovit sulmues, me aq sa munden dhe me gjithshka munden.

Dhe Urrejtja e Gojëligësia, do të jetë përsëri në fronin e vet Mbretëror, në Shtator dhe në Tetorin që vjen, e kështu me rradhë. Kështu kanë bërë përgjithësisht kryeministrat tanë, që nga koha e Ahmet Zogut të Parë (dhe të fundit). Një malësor dinak e bukurosh prej Mati, një shqiptarnjohës i pagabueshëm, që u vetëshpall nga puthadorët e tij të dikurshëm, edhe mbret i shqiptarëve, me motrat princesha të dashuruara nëpër Europë… dhe me plot Poema të rrejshme si stërnip i Skënderbeut, ky Matjani ambicioz e dorëhekurt, që e bënte dhe vetë Gjergjin e Kastriotëve, të lëvizte e të rrotullohej në varr nga sikleti e bezdia, e këtyre emërpërmendjeve krejt të pavend!…. Po dikur iku plot “valigje”, me motra e oborrtarë, e nuk u kthye më ay ndë Dheun që e lindi, mbeti mbret pa Mbretëri e mbet pa Atdhe…

Por emri ju përmend për dhjetëra vite, si më i keqi i të këqinjve, nga ata që përgatisnin një të Keqe edhe më të madhe, të kuqe si ngjyra e gjakut…
Kështu, në këtë gjarpërim urrejtje, Internacionalja na solli këngë e frymë të reja, e kështu përmbysëm bejlerët e vjetër me bejlereshat e tyre, ca fshatarka injorante me shpenzime të pacipa, gjithmonë të pikëlluara, të pikëlluara pangushëllim, se gabimisht kishin lindur ndër katunde ku të kafshonte gjarpëri, ku të përdhunonte çobani apo ku të pinin gjakun mushkonjat dhe kërkonin streha luksoze në Paris apo Romë, e së fundi në London.

Dhe ngritëm me kazëm e pushkë, me drapër e çekan, bejelerët e rinj, të kuq kësaj rradhe, me kasketa bolshevike e jaka të bardha këmishash mbi xhaketa, por të dashuruar me Mercedes Benzat e zinj, më së shumti jashtë serie, sidomos ato që vinin për KryeBeun apo udhëheqësin dhe që i sillte në Shqipëri Sigurimi i Shtetit, pacipërisht të shtrenjta e në mënyrë sekrete…

Me shtëpi të mëdha në kryeqytet e me vila verimi në mal e në Det, e më këngë partizane në gojë (partizanët mbetën një prapavijë morale përherë e më e largët…), por me plot urrejtje për armikun e “kllasës”, që veç duhej shtypur e përdhosur, edhe pas përmbysjes…
Dhe vrisnim armiqtë me toga pushkatimi në emër të Popullit, (të një populli që nuk ishte kërkund), ose i kalbnim burgjeve, si qënie pa të drejta, si jonjerëz, si vemje, si kufoma të pakallura apo si insekte të neveritshme.

Ishim gjithmonë po ne, apo njerëzit para apo rrotull nesh, që na trashëguan ligjërimin e padrejtësive në emër të Popullit, popullit gojëkyçur, kokëulur, bejtexhi dhe qejfli njëkohësisht dhe ngritëm e gdhendëm Maleve tona të larta, vetë kryefjalën e Urrejtjes së Kuqe… dhe emrin e KryeUrrejtësuesit të Ri, “Mësuesit largpamës” bujk i përkushtuar i urrejtjes brez pas brez, të shqiptarëve kundër shqiptarëve…

Presim Shtatorin dhe Tetorin 2019 që do të vijë…

Me plot Urrejtje mes nesh, që do ta përplasim shesheve e sfidave gjygjësore, në emër të një Populli në ikje nga sytë këmbët, dhe të një Drejtësie, që Zoti na ruajt prej padrejtësive të saj.

Asgjë e re pra, përveç fijeve te kalendarit që thinjet vit pas viti dhe emrave të ndryshëm të “Urrejtjebartësve” të rinj, të gjatë apo të shkurtër, të hollë apo të trashë, të gdhendur apo me plot qoshe, por kurdoherë me helm të ntrashur nën gushë dhe me plot urrejtje të ndezur e të zjarrtë, në shpirt dhe në zemër…

Dhjetra e viteve ikin dhe këtë Urrejtje e mbajmë midis Sheshit, si lëndë djegëse, për të çuar përpara, apo drejt Askundit, makinerinë e zymtë të Pushtetit apo të të gjitha Pushteteve…

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

"bejlert"08/08/2019 17:39

Nuk po e mar vesh se pse qenka i papranueshëm për redaksinë e Syrit komenti që nisa për "bejlerët" ?
Mesa duket paska në këtë redaksi ndonjë me mendësi të majtë që vazhdon të quaj "bejlerët" si e keqja e madhe e Shqipërisë.
Po e përsëris se bejlerë ishin gjithë elita patriotike e figurat më të shquara të Rilindjes e të kombit shqiptar,, që nga Gjergj Kastrioti (Skënder-beu) e deri tek Ahmet bej Zogu..

Kuti08/08/2019 17:09

Ne vazhdim te frazes se fundit te kasapit. .."fat tjeter ne s'kerkojme"

Kuti08/08/2019 16:07

Jepi zgjidhje or mik: Mos u merakosni me mbretit Zog qe eshte me atdhetari e themeluesi i Shiperise qe per here te pare u njeh nga bota.. nuk ka njohur vendi y ne qeveri me patriotike

krasasi tp08/08/2019 15:08

Artur, shikoje te ardhmen e afert me pozitivitet dhe bej durim.Tetori nje vrap kali eshte.Sa hap e mbyll syte.Djali im, erdhi mbas dy vajzave dhe domosdo ja plotesonim te gjitha tekat.Ai ga, e ime shoqe na.Kur u pa qe nga "konfidencat " po kalonte ne "kopetenca",ime shoqe e linte te qante dhe ja linte manget tekat.Le te qaj thosh, se do pushoj.Qaj e mos pusho, derisa motra pak me e madhe se ai i tha:"mos qaj o vella, nuk e shikon qe s'po ta var njeri".Me kohe, djali ju neneshtrua nje regjimi te ri.Kur nderkombetaret refuzuan te benin ndermjetesin ne "sherrnajen"e parise se Tiranes,apo ndryshe te krereve te partitokracise per fatin e tepsise,parija thone ,u mblodh ne nje takim informal ne nje lokal larg syve te botes.U kendua dhe u kercye dhe u hakerrye per nderkombetaret qe nuk nderhyjne per ti ndare.Cakerqejf njeri nga kreret ja mori kenges,
eshte e jona Shqiperija,
nuk leshojme asnje pellemb,
ja do ta gezojme vete,
ja do shuhemi te tere.
Kenga eshte pjese e arsenalit patriotik te polifonise labe.Ore ja priti tjetri,vrafsha veten qe nuk mora çifteline me vete.Patriotizmi jone shquhet mbi tuajin.Ore meqe permende vrasjen,"gjuha vete ku dhemb dhembi", mos na bej ndonji budallallik ky i "madhi" dhe vret veten.Jo mor jahu,e tha per te alarmuar te huajt, e tha per te vene ne prove dhe pikasur miqte dhe armiqrte e tij.Askush nuk iken nga kjo bote ,po nuk pa me syte e tij, frytet e para te Revolucionit qe po pregatit Z.Basha, me ish n/kryetaren e bashkise ,shkaterrimin e oligarkise dhe numurimin, tëk, e tëk, e tëk nga i "madhi" fare, per keta te huajt qe si "shume kakerdhi" po bejne ne kete vend.
Ne bejme pjesen tone, çdo vend ben pjesen e tij.Ja keshtu deri ne fitoren e revolucionit proletar boteror.Takimi i radhes ne muajin Tetor, do jete me i larmishem.Veç filmit Koncert 36 do çfaqet edhe filmi Kinez "Lindja eshte e kuqe" njoftoji moderatori i takimit.Poshte kulaket, poshte oligarket.Ne fund te takimit u propozua ngritja e nje parlamenti te ri opozitar, ku si pike te pare do kete nje rezolucion kunder pagave te larta te komisionerve te BE dhe nje rezolucion tjeter per nje Reforme tjeter ne Drejtesi.Kete e kapen nderkombetaret, por Ne nuk jemi koloni.Fikni telefonat porositi moderatori i takimit..Poshte Ambasadoret buçiti salla.Ndizni telefonat, vijoj porosija e fundit e moderatorit .Rrofshin Ambasadoret buçiti salla. "Nga lufta vijme ne lufte shkojme".

Shto koment

Denonco