Mesazhe të shkurtra nga Athina dhe Beogradi

Mesazhe të shkurtra nga Athina dhe Beogradi

Nga Bled Komini - 17/07/2019

Në vitin 2015 kur partia e ekstremit të majtë Syriza fitoi zgjedhjet e mbajtura në Greqi, situata politike dhe ekonomike nuk ishte kaq e qetë sa sot. Atëkohë pavarësisht fitores së arritur prej Syrizas-s të Aleksi Tsipras, asaj i munguan dy deputetë për të pasur një maxhorancë absolute.

Ajo arriti të marrë 149 deputetë nga 300 që ka parlamenti grek. Në bashkëpunim me disa parti më të vogla, si ANEL e Panos Kamenos, Syriza plotësoi numrin për të pasur një maxhorancë të qendrueshme dhe qeverisi deri para disa ditësh.

Përpara se Qirjako Mitsotakis të betohej si kryeministër më 8 korrik, ishin zgjedhjet parlamentare evropiane ato që sinjalizuan një ndryshim të mundshëm të kursit politik në Greqi nga e majta ekstreme e Syrizas drejt të djathtës së qendrës të Demokracisë së Re. Panorama e zgjedhjeve të 26 majit, tregoi se kryeministri Tsipras, kishte dalë i humbur: partia e tij ‘Syriza’ mori 6 vende me 23.85% të votave, ndërsa ‘Demokracia e re’ pati marrë 9 vende me 33.27% të votave. Mesazhet e këtyre zgjedhjeve kumbuan si sinjale alarmi për qeverinë e Athinës, por me çfarë u pa, reagimi për ta kthyer këtë humbje në fitore ishte i pamundur.

Kështu, zgjedhjet e fundit në Greqi na shfaqën një panoramë ndryshimesh që nuk prekin vetëm këtë vend, por ato kanë karakterizuar edhe Evropën kohët e fundit. Zgjimi i së djathtës evropiane ka sjellë një sërë ndryshimesh në pjesën më të mirë të qeverive evropiane.

Më 7 korrik, me një fitore triumfale (marrjen e 158 vendeve në parlament), partia opozitare Demokracia e Re, - e drejtuar prej Qiriakos Mitsotakis, - arriti të kthente në qeveri jo vetëm të djathtën greke, por edhe një nga familjet më të njohura politike të vendit fqinj. Fitorja e Mitsotakis është edhe më e rëndësishmë nëse merret parasysh se edhe kryeqyteti i vendit, Athina, u fitua gjatë zgjedhjeve të fundit vendore prej Demokracisë së Re dhe tashmë drejtohet prej Kostas Bakojanis, që është nip i kryeministrit të sapo zgjedhur të Greqisë dhe djali i Dora Bakojanisit.

Fitorja e së djathtës në zgjedhjet e fundit në Greqi, dhe kthimi i një prej familjeve më të njohura në politikën greke, sinjalizon një erë të re marrëdhëniesh edhe me Shqipërinë. I ati i kryeministrit aktual, Kostantin Mitsotakis ka qenë kryeministër i Greqisë gjatë viteve 1990-1993, vite në të cilat nuk munguan marrëdhëniet pozitive me Presidentin Berisha. Gjithashtu edhe Theodora (Dora) Bakojanis gjatë periudhës së saj si Ministre e Jashtme 2006-2009, ndërtoi marrëdhënie të mira me qeverinë e kryeministrit Berisha që atëkohë kishte fituar mandatin e vet të parë.

Kësisoj lëvizjet politike nga e majta në të djathtë në vendin fqinj jugor, mund të sjellin edhe një ndryshim kursi politik karshi Tiranës zyrtare. Për të thënë të vërtetën, marrëdhëniet e Tiranës zyrtare nuk është se ishin të shkëlqyera edhe me qeverinë e Tsiprasit. Sado që nisën të entuziazmuara dhe me një frymë bashkëpunimi, mes ministrave të jashtëm të të dy vendeve Kotzias-Bushati, ato përfunduan pa ndonjë arritje konkrete dhe pothuajse dështuan në pjesën më të madhe të projekt marrëveshjeve që kërkonin të realizonin.

Përmes një vendimi, ndër më të parët që qeveria dhe kryeministri i ri grek kanë marrë, ka qenë njohja e Z.J. Guaido si president i Venezuelës. Ky vendim shkon në të njëjtën linjë me atë që po ndjekin SHBA-të dhe Perëndimi. Marrja e këtij vendimi është sinjal se Greqia do të rreshtohet përkrah vendeve që nuk do tolerojnë asnjë lloj monopolizimi dhe aventure politike e ideologjike për përqendrimin e të gjitha pushteteve në një dorë të vetme; si në shtetet që aspirojnë të kenë marrëdhënie të mira me të, po ashtu dhe ato që synojnë të jenë pjesë e BE-së.

Nga ana tjetër, duke ndjekur zhvillimet rajonale në Ballkan, presidenti i Francës Emanuel Macron më 15 korrik nisi vizitën e tij të parë në Serbi. Një vizitë e munguar kjo prej tetëmbëdhjetë vjetësh nga një president francez në vendin ballkanik. Sidoqoftë kjo vizitë është një sinjal i qartë i rishikimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, të cilat edhe më herët kanë pasur një të shkuar me shumë pika takimi, sidomos në politikën e jashtme.

Vizita e presidentit Macron u prit me shumë interes. Një arsye e interesimit ndaj kësaj vizite ishte edhe çështja e Kosovës në të cilën Beogradi kishte pritshmëri të larta. Por mesa duket pritshmëritë e Beogradit nuk ishin në përputhje me ato që E. Macron deklaroi gjatë intervistës së përpashkët me presidentin Aleksandër Vuçiç. Në fjalën e tij Macron deklaroi hapur dhe shumë qartë se Franca dëshiron dhe mbështet hapur arritjen e një marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit. Pra, se Franca është e palëkundur që mes dy vendeve duhet të vazhdojë dialogu dhe se çështja e Kosovës si shtet i pavarur ka marrë fund. Por gjithashtu edhe dialogu duhet të mbërrijë në një pikë fundore, pra me realzimin e një marrëveshje mes dy vendeve. Ky mesazh u tha edhe më qartë në fjalën e tij, kur ai deklaroi se si Serbia ashtu dhe Kosova janë ‘shtete evropiane’ dhe se duhen fakte e punë që këto vende t’i bashkëngjiten Bashkimit Evropian.

Kjo deklaratë e tij sqaroi edhe njëherë pozicionin e Francës, si një pozicion që shkon përkrah aleatëve si Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe se si i tillë ai nuk mund të jetë në mbështetje të politikës serbe që kërkon me ngulm ta zvarrisë çështjen e Kosovës tryezave dhe korridoreve të Brukselit për ta zbehur atë dhe për t’i humbur çdo lloj kuptimi.

Njëherazi mesazhi i presidentit Macron shigjetonte edhe ata që kërkojnë me ngulm ndarjen e Kosovës. Duke e quajtur Kosovën një ‘shtet evropian’, presidenti Macron rrëzoi synimin dhe projektet e ndarjes, dhe njëherazi fuqizoi pikëpamjen e Berlinit se një ndryshim kufijsh në Ballkan do të sillte një reaksion zinxhir që do të ishte i pakontrollueshëm. Si një mbështetës i flaktë i forcimit të BE-së dhe më pas zgjerimit, Macron ishte në unison me idenë e tij se: Ballkani nuk mund të trazohet dhe se tashmë vendet e rajonit duhet të punonin fort për të marrë një ftesë anëtarësimi.

Goditja që i dha presidenti Macron projekteve për destabilizimin e Ballkanit, nuk mund të mos kalonte në heshtje edhe tek ata që kanë sponsorizuar dhe kanë mbështetur këtë politikë. Vizita e shpallur si një ngjarje e shumëpritur, qoftë për Beogradin, por edhe për mbështetësit e ndarjes së Kosovës, rezultoi të ishte një dështim në rrafshin e çështjes së Kosovës, diskutuar ethshëm kohët e fundit.

Teksa në Paris kremtohej Dita e Bastijës, festa kombëtare e Francës, që kujton mësymjen e kësaj fortese 14 korrikun e vitit 1789 gjatë revolucionit francez, ambasadorja franceze në Tiranë, Christina Vasak, gjatë një pritje të organizuar në Pallatin e Brigadave bëri - pak ditë para se Emanuel Macron të vizitonte Beogradin, - disa deklarata mjaft të forta lidhur me aktualitetin politik në Shqipëri. Duke u ndalur te zgjedhjet vendore, Vasak citoi politikanin francez Justin Godard, i cili në librin e tij ‘Shqipëria në vitin 1921’ shkruante se pavarësia dhe e ardhmja e shqiptarëve varej në radhë të parë nga zgjuarsia e tyre. Ambasadorja Vasak vlerëson se këto fjalë të Godard mbeteshin ende aktuale.

Mesazhet e shkurtra por kuptimplota që nxirren prej dy ngjarjeve të larpërmendura, janë barometër i ndryshimeve që pritet të ndodhin dhe të zgjerohen edhe më tej në rajonin e Ballkanit. Në fillim zgjedhjet evropiane treguan se lëvizjet e djathta kanë dalë nga gjumi letargjik dhe tashmë kanë zënë shumicën e ulëseve në Parlamentin Evropian; ndërkaq, nga ana tjetër, një fitore e së djathtës së qendrës në Greqi ndaj të majtës ekstreme, sjell impulse të forta për vendet fqinje me të. Po ashtu për mbështetësit e ndryshimit të kufijve në rajon, vizita e presidentit Macron në Serbi vulos njëherë e mirë shpresën e gabuar se, tek Franca mund të gjenin aleatin që do mund të vendosej kundruall Gjermanisë, për të rihapur temat e vjetra të shkëmbimeve territoriale apo të ndryshimit të tyre.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Tags

Komentet

Shto koment

Denonco