Të votosh sot është të legjitimosh autokracinë

Të votosh sot është të legjitimosh autokracinë

Nga Altin Gjeta - 30/06/2019

Isaiah Berlin, një ndër filozofët më në zë të shekullit XX, shprehej se ‘pa demokracinë nuk mund të bëjmë’.

Me ketë ai kishte parasysh atë sistem politik (demokracinë liberlare) që garanton liritë dhe të drejtat e individit nga autoritarizmi apo diktatura, të cilën e ka elaboruar gjatë në esetë e tij ‘Mbi Lirinë’ (On Liberty).

Në këto ese, Berlin parashtron konceptin e tij mbi lirinë negative, e cila në thelb ka të drejtën e individit për të organizuar jetën në shoqëri sipas vlerave që ai/ajo çmon se e udhëheqin drejt një jete të mirë. Në këtë kuptim, si parakusht për një jetë të mirë, ai thekson se njeriu duhet të jetë i lirë nga shtypja, dhuna, apo çdo formë tjetër opresioni e cila e dërgon një shoqëri në autoritarizëm.

Mirëpo, vlerat që individët ndajnë, qofshin këto me natyrë fetare, etnike, raciale apo politike etj, janë të ndryshme dhe herë-herë kontradiktore - çka i bën ato burim të pashmangshëm konflikti. Mbi këtë bazë, John Gray, një tjetër teoricien i demokracisë, konkludon se pluralizmi krijon tension mes liberalizmit dhe demokracisë pasi kjo e fundit kërkon akomodimin e të pares, mbi renditjen e vlerave të të cilave ne nuk biem dakord.

Megjithëse, kritika e Gray-t ka njëfarë baze filozofike ajo është disfatiste përballë një fakti të kryer, siç shprehet Chantal Mouffe, se pluralizmi nuk është thjesht një fakt por është pjesë përberëse konceptuale e natyrës së demokracisë moderne, e cila jo vetëm duhet pranuar por duhet celebruar dhe përmirësuar.

Në këtë kuptim, në vazhdim të frymës konceptuale të Mouffe, pluralizmi është burimi nga ku lind përfaqësimi dhe pjesmarrja në një shoqëri demokratike - pasi njerëzit si një vark në detin e madh të vlerave të cilat ne i konsiderojmë si identifikuese të asaj çka mendojmë se është e mirë apo e vlefshme drejt një jete të lumtur, ankorohet në molin ku përfaqësohen këto vlera.

Për të bërë të mundur këtë, shoqëritë perëndimore kanë krijuar mekanizma institucional si e drejta universal e votës për të gjithë në një demokraci përfaqësuese, kufizmin e pushtetit përkundër voluntarizmit dashamirës të ‘mbretit’, deri tek format më të reja si demokracia pjesëmarrëse, e promovuar nga Jurgen Habermas ku njerëzit mblidhen dhe diskutojnë publikisht mbi baza racionale për të shkuar drejt një vendimmarrje konsensuale.

I gjithë investimi i shoqërisë euroiane nga iluminizmi e këtej është bërë pra për të shmangur shtypjen dhe ulur tensionet sociale nëpërmjet krijimit të hapsirave për përfaqësim sa më të gjerë të të gjithë segmenteve të shoqërisë. Dhe pika e parë e nisjes, ka qënë demokracia elektorale si forma më rudimentare e përfaqësimit dhe kontrollit të pushtetit.

Ajo çka po pretendohet të ndodhë sot në Shqipëri është surreale. Pas tre dekadash zgjedhjesh pluraliste, duhet ta pranojmë shumë problematike, shpesh jo plotësisht të lira dhe të drejta, por që në fund të fundit kanë realizuar rrotacione të pushtetit, po shkohet drejt votimeve monopartiake.

Argumenti se kjo është rrjedhojë e bojkotit të opozitës, (fronti i të keqes sipas kryeministrit dhe të keqes së njëllojtë sipas ‘intelektualëve’ të pavarur), është krejt sipërfaqësor dhe nuk merr në konsideratë kontekstin elektoral që ka ndërtuar kjo qeveri. Do të mjaftonin vetëm përgjimet që ka publikuar Zëri i Amerikës dhe Gazeta gjermane Bild për ta refuzuar këtë qasje. Në kushte të tilla, e kam thënë edhe më parë, se opozita vetëm do të behej fasadë e farsës elektorale dhe legjitimonte një sistem demokratik të rënë që nuk përmbush as kushtin themelor, atë të një demokracie elektorale ku mbahen zgjedhje të lira dhe të ndershme.

 

Në kondita të tilla, kur vota blihet, tjetërsohet apo dhunohet, nuk mund të flitet për akomodim të vlerave që qytetarët ndajnë. Pavarësisht se, çfarë konsiderojnë ata si të mirë apo të vlefshme për jetën e tyre, nëpërmjet forcës, intimidimit dhe parasë, përfundojnë dhe ankorohen në portin e gabuar ku nuk do të donin. Që në këtë moment, tensioni social është derivat i pashmangshëm pasi ajo çfarë prodhojnë zgjedhjet dhe ajo çfarë kanë dashur qytetarët nuk përputhet. Kështu, liria për të cilën flet Berlin, liria nga shtrëngimi dhe përndjekja bie, dhe si pasojë shoqëria zhytet në shtypje.

Pluralizmi, po sipas Mouffe, është kusht i panegociueshëm në një shoqëri demokratike pasi ai akomodon të ndryshmet duke krijar alternativa anti-hegjemonike. Ndërsa, zgjedhjet që pretendon të realizojë sot Edi Rama nuk janë gjë tjetër, vetëm së legjitimim i hegjemonisë së një partie të vetme e cila ka marrë në dorë pothuajse të gjitha pushtetet. Përpos kësaj, zgjedhjet në një shoqëri të lirë janë edhe mekanizëm kontrolli dhe llogaridhënie (accountability). Që në momentin kur zgjedhjet janë njëpartiake ky princip themelor ka rënë. Ditirambet e kryeministrit për ostrakizëm, izolim dhe hakmarrje ndaj atyre që nuk marrin pjesë në votime janë treguesi më i qartë i zhytjes në autokraci.

Ndërkohë që sot flitet për forma të tjera të demokracisë, si ajo pjesmarrëve (deliberation), e drejtpërdrejtë (mini-publics), votimet e së sotmes rrënojnë formën më bazike, demokracinë elektorale. Prandaj, pjesmarrja sot në votimet moniste heq gurin e fundit të sistemit akomodues (demokracisë elektorale, ndonëse minimaliste) të vlerave të ndryshme që qytetarët ndajnë, duke na dërguar zyrtarisht dhe faktikisht në shtypje.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco