Një ‘Natë e Bardhë’ për demokracinë

Një ‘Natë e Bardhë’ për demokracinë

Nga Gentian Gaba - 13/04/2019

Nga Gentian Gaba

Nëpër botë, ‘Nata e Bardhë’, është një mbrëmje kulturore. Një festival i qytetarisë që, në muzg, vërshon nëpër rrugë, muze dhe koncerte. Një moment socializimi që ka hyrë edhe në traditën shqiptare, por, që me përthyerjet e këtushme, është kthyer në një takim për turmat e frustruara të Tiranës, të cilat ngarendin në kërkim të shfrenimit të pafundmë në lokalet e natës.

Për herë të parë, këtë traditë të ahengut, do ta përmbysë opozita shqiptare; e cila, sot në muzg, ka thirrur protestën e radhës. Jo një risi totale, pasi në të këtillë orë u protestua përpara disa javësh, kur Parlamenti u thirr në terr për t’i bishtnuar presionit opozitar. Megjithatë, një formë e re që i jep ‘Natës së Bardhë’ dimensionin kulturor, sigurisht i një kulture të veçantë. Atë të protestës.

Një kulturë që opozita e ka kthyer në kredo, me të cilën nuk sfidon vetëm pushtetin absolut të kryeministrit, por edhe flegmatizmin dhe indiferencën, tashmë të rrënjosura në kulturën tonë politike.

Protestat e deritanishme e kanë kryer funksionin sensibilizues, pasi numrat e atyre që zbresin në shesh dhe sondazhet që konfirmojnë epërsinë e opozitës së bashkuar, tregojnë një ndërgjegjësim rritës ndaj kauzës opozitare. Sidoqoftë, sot do të shënohet një tjetër etapë të këtij procesi, i cili me gjasë, do të ngushtojë edhe më shumë numrin e atyre që janë ‘pa diferencë’. Atyre që ndjekin me apati rrokopujën e gjësë publike, nën refrenin e dyshimit: ‘Janë të gjithë njësoj’. Të pavetëdijshëm për ‘rreziqet e indiferencës’. Për këtë të fundit, Elie Ëiesel, dokumentues i tmerreve të Holokaustit, ka thënë se është një ‘gjendje e çuditshme dhe e panatyrshme, në të cilën mjegullohet kufiri midis dritës dhe territ, midis muzgut dhe agimit, midis krimit dhe ndëshkimit, midis mizorisë dhe mëshirës e midis të mirës dhe të keqes’. Në historinë e njerëzimit, edhe atë të diktaturës sonë apo kthesave të papritura të tranzicionit shqiptar, kjo gjendje shpërfillëse, nuk ka ndihmuar asnjëherë viktimat, apo pësuesit të keqqeverisjes, por agresorët dhe abuzuesit.

Gjithsesi, kjo ‘Natë e Bardhë’ nuk do të jetë vetëm e shqiptarëve. Protesta të tjera do të ketë sot në Beograd dhe Podgoricë. Sigurisht të ndryshme nga njëra-tjetra, në Serbi prej muajsh protestojnë çdo të shtunë, ato bashkohen në shënjestrën e tyre: Korrupsioni dhe autokracia qeveritare që pengon jetën demokratike. Kërcënuesit e së cilës, të kapur me kthetra pas pushtetit absolut, fshihen ndaj sokëllimës së vjetër të ‘rrezikut të jashtëm’. Një rrezik që ekziston vetëm në retorikën e atyre që ofrojnë stabilitet dhe, në këmbim, marrin aprovimin ndërkombëtar për fasadën demokratike me të cilin veshin autoritarizmin.

Sigurisht, përtej stinës, kjo nuk është një ‘Pranverë Arabe’, sikurse po përshkruhet në mediat e huaja. Protestat nuk janë as të dhunshme (kur ka dhunë nuk është asfare e afërt me atë që shohim në Francë apo Greqi, ose ajo që përfshiu botën arabe), nuk kanë as trajtat e grushtit të shtetit, por janë britma qytetare që kërkojnë forma qeverisëse më pranë modeleve europiane.

Pra kambana të forta alarmi për perëndimin se, për të perifrazuar Hamletin, ‘njeriun që përbuzi botën e bërë pis nga vesi dhe shëmtia e sjelljeve njerëzore’: “Diçka është e kalbur në Ballkan”.

Dhe në gjirin e kësaj ‘Nate të Bardhë’ të demokracisë, edhe një herë, do të lindin pyetjet të shumta në kancelaritë perëndimore mbi modelet që po mbështesin në rajon. Ndonëse prej shumë kohe e kanë ‘humbur pafajësinë’ me qëndrimet e tyre; kur sot të shohin qytetarët të ngrihen për më shumë Europë, le ‘të mos të pyesin për kë bien kambanat; sepse ato bien edhe për ata’.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Askushi13/04/2019 15:26

Nje nate e bardhe per demokracin, per lirin, per popullin, dhe nje nje fite e zeze, per banden-shtet, per mafjen shtetrore

Shto koment

Denonco