Masturbimi i shtrenjtë dhe publik i Rilindjes

Masturbimi i shtrenjtë dhe publik i Rilindjes

Nga Gentian Gaba - 23/03/2019

Kongresi i Partisë Socialiste u shfaq në trajtat që të gjithë prisnin, ato të anti-mitgut, jo i pari për këtë sezon politik. Një shfaqje force, shtrëngim dhëmbësh dhe ekzorcizëm i frikës ndaj krizës që ka kapur vendin, dhe për të cilën përgjegjës të vetëm janë ata që sot farfuritën përballë lyshtrës të mbledhur në Sheshin ‘Nënë Tereza’.

Sigurisht, duhet të këtë pasur qytetarë të thjeshtë dhe socialistë të ndershëm, të cilët i janë i janë përgjigjur instinkteve atavike të përkatësisë partiake. Gjithsesi pjesën e luanit në atë koreografi karrigesh e kryen xhelepexhinjtë, tagrambledhësit, të punësuarit e administratës së zgjeruar të Rilindjes që i’u përgjigjën me vërtik viagrës së pushtetit. Në atë që, sot për sot, mund t’a cilësojmë si masturbimi i shtrenjtë dhe publik i një grupimi politik që kërkon mbijetesën e liderit dhe të privilegjeve që ai i’u siguron.

Një gjest masiv autoerotizmi që me fërkimin e ‘rilindësve’ të nginjur, të ardhur me autobuza nga gjithë Shqipëria, të frymëzuar nga imagjinata ndjellëse e kapjes absolute të çdo centimetri të jetës politike, kërkon të frenojë rrokopujën dyvjeçare të një mazhorance të bollshme në numra, por kurrsesi qeverisëse. Një shesh që kërkon të vetësugjestionohet, nëpërmjet diktaturës së fjalëve të atyre që nga aty deklaruan se janë në “krahun e duhur të historisë”.

Dokrra që kanë forcën për të përçarë dhe për të ngritur në oktavën më të lartë përplasjen politike. Sepse, ata që sot tundnin flamujt dhe më vonë, me urdhër të kryetarit të tyre, telefonat për të shpërndarë në ‘librin e faqeve” propagandën e tij, bien ndesh me një tjetër Shqipëri. Atë që është kthyer në një morg të madh prej vrasjeve të bujshme. Shqipërinë e shndërruar në një fjetore, në të cilën vdekjet kanë kaluar lindjet. Shqipërinë mpakur nga ata qindra mijëra njerëz që u endën këmbadorës larg saj gjatë qeverisjes së Ramës. Të varfëruar nga PPP-të korruptive dhe nga mungesa e investimeve të huaja.

Me Shqipërinë e indinjuar nga krimi i lidhur me pushtetin dhe nga pushteti që riciklohet me dhunën e krimit. Shqipërinë që mbron Teatrin Kombëtar nga shkatërrimi dhe vjedhja e tokës publike. Me Shqipërinë që mbron shtëpitë e rrezikuara nga krimi prej dyzet milion euro i Unazës. Dy vjedhje të qashtra për të cilat delfini i Ramës, Veliaj, deklaroi publikisht dhe paturpësisht se do t’i çojë deri në fund. Kundër kësaj Shqipërie Rama ngriti sot ‘Rilindjen”. E mobilizoi dhe e armatosi me gjepura për të shpërndarë ‘të vërtetën’ që zotohen të kenë nga krahu i tyre. Një gabim historik që i përket gjithë diktatorëve, edhe atyre në tentativë.

I mobilizoi për t’i çuar në luftë kundër bastionit të fundit që ende nuk ka kapur: Mediat e reja. Të cilat jo vetëm kanë hedhur tuç propagandën e Ramës, por pasqyrojnë në mënyrë besnike edhe zezonën që gazetarët e gjithë botës kanë ngritur mbi qeverinë, qysh prej ditës në të cilën opozita dogji mandatet. Ndoshta, përtej fjalimeve, kandidaturave dhe premtimeve, ky është lajmi më i rëndësishëm i ditës së sotme. Frika nga media. Nga mendimi i lirë; i lirë edhe për të gabuar. Frika nga ata që po e nxjerrin cullak. Që e pikturojnë me ‘penelat’ e tyre dhe, jo ato që ai do të donte. Një frikë legjitime pasi, më shumë se kushdo, ua njeh forcën sepse ka ditur t’i përdorë në dobi të pushtetit të tij.

Si për ironi, pikërisht ata që ka anatemuar, karakterizuar dhe përçmuar, do të jenë ndër autorët dhe rrëfyesit e rënies së tij.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco