Dekoratat e Ramës për Diasporën si tableta infektuese

Dekoratat e Ramës për Diasporën si tableta infektuese

Nga Arben Vata - 07/03/2019

Këto ditë ka pasur shumë diskutime rreth ‘Samitit të Diasporës’ dhe show-t të qeverisë nëpërmjet shpalljes së Ambasadorëve të Kombit.

Pavarësisht respektit personal ndaj disa prej personazheve që u nderuan me këtë titull, (shumë të tjerë nuk i njoh), dhe kontributit të tyre në shërbim të komunitetit apo kombit, nuk mund të rri pa thënë se me të nderu sot Edi Rama është njësoj si me të prek sëmundja e verdhëzës (sarillëkut i kemi pas thënë dikur).

Këtë krahasim e kam për ata që janë dyshues në atë që nëse bënë mirë apo keq që pranuan një vlerësim të tillë. Kurse atyre që janë të lumtur për titullin dhe nuk kanë asnjë dilemë, e gëzofshin dhe suksese më tej në punën e misionin e tyre.

Pse është ‘virus ‘ dekorata e Ramës?

E para, nuk është parë apo dëgjuar që tituj të tillë vlerësimi ti japë qeveria. Zakonisht vlerësime të tilla i bëjnë Presidenti i Republikës apo shoqata të ndryshme. Nëse kryeministri ka menduar ti marrë kompetencat Presidentit, pa dashje është kthyer në qesharak duke u shndërruar në profilin e një shoqate.

E dyta, takimin me shqiptarët që jetojnë e punojnë jashtë, kryeministri u përpoq ta kthejë në një akt mbështetje ndaj tij dhe qeverisë. Një përpjekje kjo e dështuar për shkak se narkoqeveria nuk mund të mbulohet me ‘gjethen e ambasadorëve të Kombit ‘. Rrallëkush mund të pranojë të bëhet pis apo të marrë virusin ‘e verdhëzës ‘. Dhe sado u përpoq qeveria duke nderuar shqiptarë nëpër botë, e gjithë bota po sheh dhe lexon përditë në mediat e vendeve respektive se cilët janë ata që qeverisin sot Tiranën. Një grumbull dekorimesh nuk e përmirëson dot imazhin e qeverisë as në Shqipëri, as në Europë, SHBA apo Kanada.

E treta, e kundërta është e vërtetë. Shpenzimet marramendëse për këtë takim, vetëm sa bindin edhe skeptikët se ‘vendi digjet e qeveria krihet ‘.

E katërta, qeveria e Tiranës shfaqet sërish si një klikë përçarëse e kombit dhe e shqiptarëve kudo ku janë. Si mund të përcaktojë ambasadorë të Kombit, vetëm njëra pjesë e tij, vetëm Tirana? Pse nuk qëndron emri i zyrtarëve të Prishtinës në këto vlerësime? Kush i përcaktoi emrat që u nderuan dhe a ka persona të tjerë që me të vërtetë nderojnë shqiptarët me emrin, punën dhe kontributin e tyre? Sigurisht që ka shumë por zakonisht nuk trokasin në dyer ambasadash. Ata i gjen përditë mes njerëzve, mes halleve e problemeve të tyre. Një FALEMINDERIT prej tyre është vlerësimi më i madh sesa çdo letër e firmosur nga cilado qeveri.

E pesta, herë tjetër kurseni shfaqje të tilla megallomanie dhe turpi. Takoni ambasadorët e vërtetë të Kombit, ata që nderojnë vlerat tona dhe jo që u bëjnë fresk qeverive të radhës. (Për ata që kanë pasur durim te lexojnë deri në këto rreshta, dua të sqaroj se nuk kam as kontribut dhe as konflikt interesi në lidhje me këtë vlerësim. Vetëm se e quaj detyrim moral, shoqëror dhe profesional të shpreh mendimin tim.

Dhe e fundit; kur ta bëni herë tjetër, ju lutem mos e quani SAMIT. Ju që merrni pjesë në këto takime, gjeni guximin e shpjegoni qeverisë se çfarë do të thotë kjo fjalë. Po patët edhe më shumë guxim, pyesni qeveritë në Tiranë e Prishtinë se pse shqiptarët nuk kthehen në vendlindje? Pse nuk votojnë dot? Pse...? Po pyetët shumë do ju marrin dekoratat. Më mirë mos pyesni.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco