Mendimi politik-idiotik i Ivica Daçiçit

Mendimi politik-idiotik i Ivica Daçiçit

Nga Milazim Krasniqi - 03/03/2019

Të thëna në Delf, në vendin e famshëm të magjistarëve antikë, këto mendime jo vetëm që janë të mykura, po janë edhe të ndryshkura, rrjedhimisht helmuese.

Ministri i jashtëm i një vendi do të duhej ta kishte mendimin politik shumë të qartë për vendin e vet, realitetin në të cilin ai vend gjendet dhe për raportet me vendet me të cilat ka konteste. Kjo do të duhej të vlente edhe për ministrin e jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiçin.

Por, ministri serb i punëve të jashtme nuk ka mendim të qartë e aq më pak koherent politik as për vendime vet e as për kontestin që ka Serbia me Kosovën. Kjo u dëshmua edhe në fjalimin e tij të djeshëm në Forumin e Katërt në Delf.

E para, ai nuk ka paraqitur qëndrime të diplomacisë e të politikës shtetëror serbe,po është marrë me përshkrimin e zhvillimeve në Kosovë dhe te shqiptarët, duke dëshmuar se diplomacia dhe politika serbe janë reaktive, pra, vetëm reagojnë ndaj asaj që shohin, e nuk kanë asnjë plan të veprimit.

Kështu, ai flet i çuditur me faktin që në Prishtinë mund të shihen më shumë flamuj kombëtarë se sa shtetëror, me çka tregohet naivë, ngase identifikimi me kombin zakonisht është më i thekshëm se sa me shtetin, në rastet e mosfinalizimit të kombit-shtet. Kjo gjendje emocionale është edhe në Serbi, ku ideja kombëtare është më e fortë se sa ajo shtetërore. Bile në emër të asaj kauze kombëtare, Serbia ka shkaktuar edhe luftëra e gjenocide.

E dyta, krahasimi i kontestit ndërmjet Shkupit dhe Athinës me kontestin ndërmjet Serbisë e Kosovës,është krahasim naiv.

Maqedonia e Greqia nuk kanë pasur luftë mes vete, asnjë plumb nuk e kanë shkrepur. Prandaj nuk mundtë krahasohen me Serbinë e Kosovën, që kanë pasur një luftë të armatosur, e cila ka lënë prapa vetes edhe krimin e spastrimit etnik dhe të gjenocidit serb. Prandaj, Kosova e ka shpall pavarësinë në raport me një shtet gjeocidal, sigurisht jo në bashkëpunim me të. Por, GJND-ja ka konkluduar se pavarësia e Kosovës nuk është shpall në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Pse ky ministër nuk respekton as vendimin e GJND, kjo flet për krizën e shtetit serb në raport me të drejtën ndërkombëtare. E treta, leksionet e tij për historinë janë naive dhe paranojake. Fjala vjen, Patiarkana në Pejë ka qenë po aty edhe në kohën e Perandorisë Osmane, edhe në kohën e pushtimit fashist-nazist, edhe nën regjimin komunist.

Objekte e tilla nuk janë domosdomërisht brenda një shteti kombëtar.

Nga ana tjetër, askush nuk po kërkon që ajo të bëhet shqiptare, sikundër në mënyrë paranojake alarmon ministri serb. Vetë Patriarkana e Stambollit është një shembull, se si institucioni kryesor i ortodoksisë, tash sa shekuj e ka selinë në një shtet me shumicë muslimane, siçështë Stambolli. Edhe lidhur me Betejën e Kosovës Daçiçi tregon senuk ia ka haberin tëvërtetës historike, tek thotë se në atë kohë “Beogradi ishte periferi” e shtetit serb.

Në fakt, në atë kohë Beogradi nuk ka qenë fare qytet serb, po ka qenë hungarez. Patronët e Beogradit nëpër histori kanë qenë edhe bizantinët bullgarët, austriakët, etj. (Vetëm në vitin 1841 Beogradi është bërë kryeqytet serb.)

Prandaj, sipas skemës së të menduarit të Daçiçit, i bie që Beogradi duhet t’i kthehet Hungarisë dhe Patriarkana e Beogradit është ngritur në tokën hungareze. E pesta, krahasimi i Kosovës me Kataloninë është po ashtu shumë naiv.

A mund të tregojë Daçiçi, me një metodë krahasuese, se cilat krime të ngjashme me ato që ka bërë Serbia në Kosovë, të ketë bërë Spanja në Kataloni?

Nuk ka të krahasuar.

Prandaj edhe është e pamundshme të arrihet marrëveshje mes Kosovës e Serbisë, deri sa krerët e shtetit serb të kenë këso mendimesh të mykura. Të thëna në Delf, në vendin e famshëm të magjistarëve antikë, këto mendime jo vetëm që janë të mykura, po janë edhe të ndryshkura, rrjedhimisht helmuese.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco