Për Kosovën, flasin 3 presidentë e 1 kryeministër

Për Kosovën, flasin 3 presidentë e 1 kryeministër

Nga Andy Gray - 24/02/2019

Lajmi i mirë është që ata u përballën vërtet keq.

Kjo është e vetmja gjë mbi të cilën presidentët e Serbisë dhe Kosovës ranë dakord pas një debati të ashpër publik në fundjavë që tregoi qartë se sa e vështirë do të jetë për ta të arrijnë një marrëveshje paqeje, edhe dy dekada pas përfundimit të luftës midis vendeve të tyre.

Si Hashim Thaçi i Kosovës edhe Aleksandër Vuçiç i Serbisë thanë se komunikimi me nerva ishte i dobishëm pasi varrosi çdo shpresë të rremë se mund të arrihet një marrëveshje e shpejtë. Megjithatë, ata përballen me presion të fortë nga Perëndimi për të ecur përpara.

Në diskutimin e tyre në Konferencën e Sigurisë në Munih, një takim i përvitshëm i liderëve, ligjvënësve dhe ekspertëve të politikës nga e gjithë bota në një hotel luksoz, Vuçiç e Thaçi bënë akuza të ndërsjella për luftën dhe debatuan se kush e ka fajin për ndërprerjen aktuale të dialogut të përkrahur nga BE që ka si synim sheshimin e diferencave.

Por BE dhe SHBA po i nxitin liderët që të kthehen në linjë. Donald Trump iu ka shkruar letra që i inkurajon të arrijnë një marrëveshje e cila do të mbyllte kapitullin e luftës së fundit nga një seri luftërash në ish-Jugosllavi në vitet ‘90.

Për BE, akordi do të ulte ndjeshëm shanset që lufta e ftohtë midis Serbisë e Kosovës të rimerrte zjarr. BE dhe SHBA janë të prirura ta afrojnë më tepër me Perëndimin Ballkanin Perëndimor, duke reduktuar në këtë mënyrë influencën e Rusisë, Turqisë dhe fuqive të tjera rivale në rajon.

Në qendër të konfliktit qëndron statusi i Kosovës.

Territori, popullsia e të cilit është kryesisht shqiptarë etnikë, deklaroi pavarësinë nga Serbia 11 vjet më parë dhe është njohur nga më tepër se 100 vende. Por Serbia e konsideron atë si një provincë të shkëputur dhe kjo pikëpamje përkrahet nga vende si Rusia, Kina dhe pesë anëtarë të Bashkimit Evropian.

Liderët perëndimorë shpresojnë se fundi i konfliktit të gjatë midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut do të nxitë Kosovën e Serbinë të ecin në këtë rrugë.

Në Munih, Johannes Hahn, komisioneri i BE për marrëdhëniet me fqinjët, ftoi Vuçiç dhe Thaçin të arrinin marrëveshjen para përfundimit të mandatit të Komisionit aktual në vjeshtë.

Por debati i së shtunës tregoi se sa e vështirë është për t’u arritur.

Gjatë fundjavës në Munih, POLITICO foli me tre burrat që do të vendosin se si do të shkojnë gjërat — Vuçiç, Thaçi dhe Ramush Haradinaj— si dhe me Presidentin e Malit të Zi Milo Xhukanoviç, vendi i të cilit kufizohet me Serbinë e Kovosën bashkë.

Kritikët e të katër këtyre liderëve thonë se ata drejtojnë ‘stabilitokraci’ — qeveri që pretendojnë se përkrahin vlerat perëndimore por janë autoritare dhe të korruptuara. Vuçiç e Xhukanoviç po përballen me protesta në rrugë ndërsa Kosova është goditur nga grevat. Por asnjëri prej tyre nuk duket se ka ndërmend të dalë së shpejti nga skena politike.

Ja një përmbledhje e asaj çka kishin për të thënë.

Aleksandar Vuçiç: Në kërkim të një trashëgimie

Në një dhomë hoteli të shtunën në mbrëmje, zëri i Vuçiçit kumbonte plot nerv në disa momente, ndërsa në momente të tjera fliste pothuajse me pëshpërimë.

Ai e bëri të qartë se nuk do të riniste bisedimet për sa kohë që Kosova nuk hiqte tarifën 100% të vendosur mbi produktet serbe në nëntor si kundërpërgjigje e përpjekjeve të Beogradit për të bllokuar anëtarësinë  e Kosovës në Interpol. Ai tha se do të kthehej menjëherë në Bruksel për të rinisur dialogun nëse tarifat hiqen.

I informuar se Haradinaj, ideatori i vendosjes së tarifave, kishte thënë se ato do të hiqeshin sapo të arrihej një marrëveshje finale, Vuçiç u përgjigj: ‘E dija që ishte i papërgjegjshëm, por jo kaq shumë’.

Ai u bëri thirrje fuqive të jashtme të ushtronin ‘presion pozitiv’ mbi të gjitha anët, duke e bërë të qartë se dëshirojnë të shohin një marrëveshje dhe duke ofruar nxitës për të ndihmuar arritjen e saj. Por tha: ‘Bëhet fjalë për më tepër se sa ne, serbët e shqiptarët, të themi të vërtetën’.

Ai tha se dy palët duhet të jenë të lira të diskutojnë se ku duhet vendosur kufiri i përbashkët, megjithëse bisedat për një shkëmbim të mundshëm territoresh ngjalli kritika në rajon dhe ndau fuqitë ndërkombëtare.

Vuçiç e ftohu entuziazmin e BE për idenë se marrëveshja për emrin e Maqedonisë së Veriut mund të sillte një moment të ngjashëm për marrëveshjen midis Serbisë e Kosovës.

‘Kjo tregon se Evropa kishte nevojë për lajme të mira, por nuk ka lidhje me situatën midis Beogradit e Prishtinës. Nuk mund të krahasohet, është 100 herë më e vështirë’.

Por, theksoi se marrëveshja duhet arritur: ‘Ndryshe, do të përballemi me një katastrofë’.

Vuçiç tha se ai motivohet nga një qëllim më i madh se politika e përditshme në arritjen e marrëveshjes me Kosovën, çka mund të jetë jopopullore në vendin e tij.

‘Unë besoj në trashëgimin e dikujt, kjo është ajo çka dua të shoh’.

Hashim Thaçi: Njeriu në mes

Ish-lideri i UÇK-së e sheh veten në pozitë të vështirë. Vitin e kaluar ai ngriti idenë e korrigjimit të kufijve, sipas së cilës mund të falen territore të Kosovës me qëllim arritjen e një marrëveshjeje. Por marrëveshja nuk është arritur dhe rivali i tij, Haradinaj, ish-komandant në UÇK, ka fituar mbështetje popullore me imponimin e tarifave dhe kundërshtimin e çdo ndryshimi kufijsh.

Duke folur me një grup të vogël reporterësh në korridorin e hotelit në Munih, Thaçi e bëri të qartë se ai preferon një linjë më të butë se Haradinaj për çështjen e tarifave. Ai sugjeron se për to mund të diskutohet në një proces paralel ndërsa zhvillohen edhe bisedimet për marrëveshjen e paqes.

‘Të bësh politikë do të thotë të jesh kreativ’, tha ai.

I pyetur nëse Kosova tani flet me dy zëra, ai e ktheu nga shqipja në anglisht për t’u përgjigjur: ‘Ne kemi një zë — të gjithë jemi për dialog, bisedime, për marrëveshje’.

Për marrëdhënien me Haradinajn, ai tha: ‘Edhe brenda familjes njerëzit kanë diferenca... Kemi qenë bashkëluftëtarë dhe fituam luftën e kemi punuar për pavarësinë së bashku dhe tani po punojmë për marrëveshjen përfundimtare’.

Ndonëse parlamenti i Kosovës ka vendosur tashmë një platformë bisedimesh që i përjashton ndryshimet e kufijve, Thaçi refuzoi të thoshte se ideja është jashtë tavoline.

‘Ne duhet të arrijmë një marrëveshje që përcakton ku është kufiri dhe që duhet të njohim kufijtë e njëri-tjetrit’, tha.

Për sa i përket retorikës së ashpër të Vuçiçit, Thaçi tha se nuk i bën përshtypje. ‘Jam mësuar me dramat dhe aktrimin e tij’, u përgjigj.

Thaçi duket se do të shfrytëzojë presionin ndërkombëtar për të bindur Haradinajn të heqë tarifat dhe për t’u siguruar se do të mbetet faktor me peshë në çdo bisedim me Beogradin.

‘Ne duhet ta dëgjojmë këshillën e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian’, tha.

Ramush Haradinaj: Linja e ashpër

Beteja midis Haradinajt dhe Thaçit i ka komplikuar përpjekjet për të arritur marrëveshje. Të dy lobojnë fuqishëm për përkrahje nga politikanë evropianë dhe amerikanë, duke marrë si këshilltarë kompani të marrëdhënieve publike ndërkombëtare.

Në një intervistë të shtunën, Haradinaj nuk u frenua. Shënjestroi shefen e politikës së jashtme në BE, Federica Mogherini, për mospërjashtimin e ndryshimit të kufijve dhe tha se Thaçi nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të heqë dorë nga ideja. Ai tha se Serbia duhet ta shohë njohjen e Kosovës si një detyrim moral për të kompensuar për vrasjet dhe krimet e tjera të luftës nga forcat serbe.

‘Njohja duhet të vijë si ndjesë për tragjeditë e shkaktuara vendit tonë, popullit tonë’, tha ai.

Haradinaj tha se do të ishte ‘e paligjshme dhe jokushtetuese’ për Thaçin të vazhdonte me ndryshimin e kufijve tani që parlamenti e ka thënë fjalën e tij.

‘Ai nuk ka shumë hapësirë për të manovruar’, tha për presidentin. ‘Do ta gjejë një rrugë për të vepruar’.

Haradinaj tha se qëndrimi i Mogherinit për ndryshimin e kufirit është ‘gabim i madh’.

‘Ajo dëmtoi jo vetëm rajonin tonë, por edhe Evropën’, tha ai, duke sugjeruar se ideja mund të merrej nga presidenti rus Vladimir Putin për të rivizatuar kufijtë në territorin e Bashkimit Sovjetik të dikurshëm.

Pavarësisht retorikës së ashpër, Haradinaj tha se ‘me vullnet politik, marrëveshja është e mundur këtë vit’.

Milo Xhukanoviç: Fqinji i shqetësuar

Xhukanoviç ka pasur pushtet shumë më gjatë se liderët e tjerë rajonalë si Vuçiç e Thaçi. Partia e tij ka qenë vazhdimisht në qeveri që më 1990.

Ai sugjeron që komuniteti ndërkombëtar duhet të qëndrojë me idenë se ndryshimet e kufijve janë tabù. Disa vende, si Gjermania, ende mbajnë këtë qëndrim, por SHBA dhe BE i kanë dhënë Beogradit e Prishtinës dritën e gjelbër për ta marrë në konsideratë ndryshimin.

‘Të gjithë duhet të jenë shumë, shumë të kujdesshëm kur paraqesin zgjidhje që përfshijnë ndryshime kufijsh në rajonin tonë’, tha Xhukanoviç.

Marrë nga Politico.eu-Përgatiti: SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco