Heroi!

Heroi!

Nga Bledian Koka - 30/01/2019

Çfarë e bën një njeri hero?

Betejat e mëdha?

Triumfi në sytë e mijërave apo milionave?

Po aftësia për t’iu nënshtruar fatit të vet, përpjekja për ta bërë jetën e vet dhe të familjes së tij më të mirë, aftësia për të edukuar fëmijët, për ti shkolluar ata ndërsa i mëkon me kulturën gjithë e në zhdukje të ndershmërisë?

Po ky lloj njeriu çfarë vendi meriton?

A mjafton vetëm dashuria e njerëzve përreth? 

A mjafton vetëm admirimi i pakufishëm i atyre që për aq sa ka patur mundësinë, ai i ka dhënë një dorë?

Qoftë me një fjalë, apo me një recetë? Po vendi të cilit u shërbejnë më së pari si bindje se ia vlen ta bësh këtë shërbim e më pastaj si detyrë për të cilën paguhesh, a ua di atyre?

A e ndjen vendi mungesën e një modeli intelektuali më pak, a ndjen kombi mungesën e një qytetari të saj model? A është kapërcimi i pavullnetshëm në jetën atje tej dënim apo pushimi i merituar për përpjekjen e pakufishme të njeriut për të qenë human?

Këto përgjigje nuk vlejnë për udhëtarin që bën kapërcimin pa kthim mes dy botëve, por për pasagjerët që presin. Na ndodh rrallë herë që në jetët tona të shohim njerëz heronj, por që për shkak të madhësisë së fjalës ne druhemi t’ua njohim si meritë atyre që e meritojnë në të vërtetë.

Nuk se ka të bëjë me nevojën që atyre u duhet tu vihet në pah, por ka të bëjë me faktin se ty të shqetëson sesi ata e pësojnë. Ti mund të jesh për vite të tëra zyrtar në një ministri shëndetësie, mund të kesh punuar me netë të tëra për të prodhuar ligje që do ta bëjnë shëndetësinë e vendit tënd një sektor më të mirë, ke shkruar me mijëra amendamente, memo, akte nënligjore që ilaçet që merr populli yt të jenë shëronjëse.

Ke bërë me sa e sa kilometra rrugë, ke lexuar me mijëra e mijëra faqe librash shkencor për të kuptuar se çfarë është e më e mira për shëndetësinë dhe të gjithë këtë ia ke vënë në dispozicion vendit tënd për vite me radhë vetëm për 500 e ca mijë lek pa tentuar të bësh karrierën e pranuar.

Madje akoma më shumë se kaq. Edhe kur të propozojnë që të bëhesh aksh drejtor, apo aksh shef njësie ti refuzon se stomaku nuk ta tret pisllëku ‘aty lart’ dhe vazhdon të bësh punën deri ditën e pensionit.

Sepse ti je një hero për moralin tënd, për familjen tënde, për fëmijët e tu, për shokët e kolegët  tu dhe ti mjaftohesh me kaq. Modestia është virtyt i njerëzve të mëdhenj, vaniteti është mëkati i preferuar i djallit thonë. E gjithë përpjekja jote, ndodh që të shkrihet edhe në një ironi therëse.

Ja psh., një ditë ti zbulon se trupi yt i kuruar deri në detaj me respekt dhe kurrë njëherë të vetme pa asnjë ekses ka diçka që nuk shkon. Diku aty në organet që prodhojnë lëngun e jetës, diçka nuk funksionon siç duhet, dhe ti duhet të marrësh ‘via Dolorosan’ e mjekimit në Shqipëri.

E liga brenda teje është e egër, por ka edhe medikamente që mund ta përballojnë.

Në një vend si ky i yni ndodh që edhe për atë që ka punuar në ministri, madje në sektorin e barnave për vite të tëra për të bërë sektorin sa më funksional, të përballet me ironinë e ‘ilaçi mungon’, ‘ilaçi vonon’, ‘ilaçi ndoshta vjen këto ditë’, ‘duhet me kap ndonjë aty lart për atë ilaçin’, ‘me shpresë të Zotit mund të vijë nesër’.

Çfarë bën heroi në këto kushte?

Proteston?

Acarohet?

Dëshpërohet?

Mallkon veten që vendosi të jetojë përjetë i ndershëm?

Jo, ai buzëqesh. I buzëqesh fatit që e la të jetonte disa kohë, por jo dhe për disa vite më shumë. Aq sa pleqëria të marrë kohën e saj, ashtu si fëmijëria ishte mundimshme, aq sa rinia u shpenzua e gjithë në një investim pa kufij për të qenë një burrë i ndershëm, e aq sa burri punëmadh e fjalëpakë të pushojë në një pleqëri.

Ndonjëherë jeta mund të jetë më e rrejshme se kaq, por gjithmonë kur sahati vjen diçka nuk shkon. Diçka ka ngelur mangët. Njeriu hero pyet veten se mos ka gabuar. Se mos nuk ishte në lartësinë e duhur të  detyrës si fëmijë, të betejës si i ri, të përpjekjes për të qenë burrë, apo e meritës për të qenë i moshuar me nder.

Heroi nuk e dëgjon kurrë këngën e tij, por ai mund të jetë i sigurtë se e meriton gjithë hidhërimin e zinë e atyre që ia njohin meritën e të qenit i tillë.

Kjo është garancia, shpërblimi është kujtimi më i dashur që njerëzit që e njohën do të mbajnë për të. Shqipëria e humbi të dielën që shkoi një hero, fat për të ishte që e pati…

In memoriam R. GJ

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Adi30/01/2019 13:33

Cili ishte ky Person?! E mbulofte meshira e Zotit!

Shto koment

Denonco