Diktatori i vetmuar

Diktatori i vetmuar

Nga SYRI.net - 26/12/2018

Presidenti nuk arriti ta fshehë vetminë që po e mundon, gjatë fjalimit vjetor në Kuvendin e Republikës së Kosovës. U mundua ta kamuflojë me zvarritjen e themelimit të Ushtrisë, por në fakt e vërteta është më therëse.

Edhe pse ka mbledhur rreth vetes një shpurë të bindurish për aventurën e tij territoriale, shumicën e ka kundër. Jo vetëm të politikës, por edhe të popullit.

Në një sallë parlamentare më të përçarë se kurrë, Hashim Thaçi, u mundua të ishte i kujdesshëm në rrëfimin e fundvitit.

Pa kufinj. Pa korrigjim. Pa Luginën e Preshevës. U betua se nuk do të ketë kurrë Asociacion Komunash të serbëve, me kompetenca ekzekutivive, duke i hedhur hi syve opinionit të gjerë publik. A nuk është vetë ai, përgjegjësi kryesor për Zajednicën?! Dhe jo vetëm.

Fjalimi i Presidentit, dukej se ishte shkruar për një kohë tjetër dhe jo për vitin 2018. Në dhjetëra konferenca e ka bombarduar qytetarin kosovar herë me idenë e bashkimit të Kosovës me Luginën e Preshevës, herë me korrigjimin e kufijve.

“ Ui are not problematik gajs”, ishte ankuar në një rast, me partnerin e tij sekret dhe publik, Aleksandër Vuçiqin.

Në fakt, problematiku është pikërisht kreu i Republikës sonë,që ka nxjerë në pazar shtetin dhe sovranitetin, territorin dhe integritetin. “Gjarpri”, vazhdon të sillet si një monark, që i di vetë të gjitha, bën çka të dojë, ndërsa institucionet i konsideron si shërbëtore të devotshme.

Përreth i vërtiten gjithfarë mercenarësh, medialë, biznesorë, politikë, të cilët i ushqen herëpashere, që të lehin me kujdes. Presidenti ynë është një hipokrit i madh. Ai është përgjegjësi kryesor për shuarjen e shpresës së kosovarëve, të mbetur në izolim e varfëri.

I frikësuar për vdekje nga Gjykata Speciale, Presidenti, tashmë në heshtje, vrapon në marrëzinë e tij, me pasoja të jashtëzakonshme për Kosovën.

Ai nuk e përmend më kufirin, sepse në aktin e fundit të kësaj tragjedie, nuk ka më fjalë. Pritet vetëm nënshkrimi.

Thaçi është i gatshëm ta bëjë, pavarësisht çmimit që do ta paguajë Republika. Vetmia po e lodh, por jo aq sa për të hequr dorë!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shqiptare26/12/2018 19:30

Si ka mundesi ta lene kosovaret dhe gjithe shqiptaret kur cmendet nje njeri dhe pse nuk dalin ne protesta ta rezojne kete njeri I cili ne bashkepunim me edi ramen po e cojne vendin drejt nje lufte ballkanike ku te gjithe do shkatrohemi duke u vrare edhe femijet e pafajshem atehere cfare presim mbasi te filloje lufte dhe nuk ndalet pastaj atehere nuk ka asnje vlere .NQS nuk reagojme jemi te gjithe si hashim thaqi dhe Edi Rama.

Shto koment

Denonco