A rrezikon që Lleshi i Ramës, të përfundojë në ‘preshi’ i Rilindjes?

A rrezikon që Lleshi i Ramës, të përfundojë në ‘preshi’ i Rilindjes?

Nga Poli Hoxha - 08/11/2018

 

Ministria e Brendshme (dikur e Rendit) në Republikën e Shqipërisë gjithmonë ka qenë institucion i një rëndësie të veçantë. Kjo për specifikën e tranzicionit të stërgjatë shqiptarë, i shoqëruar gjithmonë me një vërshim eksponential të krimit në përgjithësi dhe të atij të organizuar kohët e fundit.

Gjithashtu kjo ka qenë edhe arsyeja, që selitë diplomatike në Tiranë, veçanërisht ato të SHBA, BE dhe vendeve kryesore të Unionit i kanë kushtuar gjithmonë një rëndësi të veçantë, duke krijuar edhe marrëdhënie specifike me njeriun që e ka drejtuar.

Është kthyer tashmë në traditë përgjatë këtyre 28 vite pluralizëm, që çdo ministër i Rendit apo i Brendshëm, menjëherë pas emërimit është uruar dhe takuar nga ambasadorët kryesorë në vendin tonë. Kështu ka ndodhur edhe me emra të kontestuar fortë nga opozita apo një pjesë e opinionit publik, siç kanë qenë këto 5 vitet e fundit rastet e Saimir Tahirit dhe së fundmi të Fatmir Xhafajt.

E vërteta është se veçanërisht 2-3 vitet e fundit, ministria e Brendshme në Shqipëri është ‘katandisur’ nga Rilindja, në një ‘Ministri të Jashtme’.

Të gjithë raportet e Departamentit të Shtetit, BE-së, KE-së; deklaratat e parlamenteve, kryeministrave e qeverive të vendeve perëndimore më në zë, sa herë që përmendet Shqipëria fokusohen te lufta kundër krimit të organizuar, emigrimit të jashtëligjshëm, pastrimit të parave dhe veçanërisht trafikut të drogës etj, etj.

 Edhe rruga e vendit tonë drejt integrimit të plotë në BE kalon pikërisht nga këto ‘toka të minuara’, të cilat i ka për detyrë ti çminojë ministria e Brendshme.

Edi Rama e di mirë këtë gjë, prandaj pas dështimit për të vendosur në mënyrë arrogante dhe okulte këshilltarin e tij Sandër Lleshi në vend të ‘të lirit’ Fatmir Xhafaj, po përdor gjithfarë trukesh që një zv.ministër ta shesë si ‘ministër’.

Si fillim e gradoi me emërtesën që nuk figuron gjëkundi në organigramën e shtetit shqiptarë; Zëvendës ministër i Parë!

Pastaj organizoi një spektakël mediatik e televiziv, duke e shoqëruar personalisht Sandër Lleshin për në zyrën e Fatmir Xhafajt (nuk e kishte bërë këtë akt kurrë më parë, as për Gjiknurin, psh, që e ka rritur vetë) dhe si qershia mbi tortë; i stampoi fytyrën në të djathtë të vetes, në foto-strukturën e qeverisë.

Por duket se të gjitha këto truke, etiketa e ambalazhime që i veshi Rama, Lleshit, nuk kanë mjaftuar që partnerët ndërkombëtarë ‘ta hanë’ Lleshin, të paktën për Xhafë.

Kjo u duk në dy deklaratat e BE dhe SHBA, menjëherë pas përzgjedhjes arrogante të tij prej Ramës; ‘Ministria e Brendshme duhet të jetë plotësisht funksionale’!

Gjithashtu me këtë rast u thye edhe tradita e urimit, takimit e inkurajimit nominal. Madje as emri nuk i zihet në gojë ‘ministrit’ Lleshi, i cili aksionin e tij të parë e nisi me luftë pa kompromis kundër kafeve në institucion, ndërkohë që shumë mirë mund të kishte bërë një vizitë në drejtorinë e policisë në Durrës, ku u hap një fletë e librit të frikshëm të hesapeve mes grupeve kriminale më të egër në vend, e jo vetëm.

Është shpejt për të bërë qoftë edhe horoskopin e punës së ministrisë së Brendshme, nën drejtimin e Lleshit. Por një gjë është e sigurt; partnerët ndërkombëtarë duket se nuk mund të pranojnë, që ‘mistrinë e Jashtme’ të Shqipërisë ta drejtojë një njeri i pa dekretuar dhe i pa betuar në parlament. Kjo arrogancë e Ramës për të çuar deri në fund të vetën me të gjitha mënyrat, gjithashtu rrezikon që të na kthejë në qesharak dhe me autoritet nëpër këmbë, kur të vijë puna për takime ndërkombëtare të nivelit të lartë dhe me natyrë specifike, të cilat ja ofron puna e ‘ministrit’, zëvendës ministrit Lleshi.

Për imazhin, reputacionin e vendit dhe mbi të gjitha për vetë autoritetin e ministrisë së Brendshme, ky është një risk fare i panevojshëm dhe i sforcuar. Vetëm nëse Rama ka ndonjë merak të madh për këtë ministri, që akoma nuk e dimë...

Partia Socialiste, edhe pse lëngon nga mutacioni i Rilindjes, ende ka potencial që të nxjerrë një ministër të Brendshëm ‘pa cen’ dhe të gjithë pranuar.

Gjithsesi Rama si dikur Meta, i di vetë punët e veta. E futi dorën e nxori një Llesh, por siç duken bathët edhe ky rrezikon shumë të katandiset në një ‘presh’ të radhës; nga ata që Rilindja prodhon me shumicë.    

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Daj Jaku08/11/2018 16:03

Leshi (çorapkuq leshi sikurse dhe prokurorja e pakohëshme) e ka filluar si presh, besoj do mbarojë si burani me presh.

Shto koment

Denonco