Prapaskenat e një interviste me pistoletë në bark

Prapaskenat e një interviste me pistoletë në bark

Nga Bledian Koka - 02/10/2018

Dy muaj më parë kur u njoha për herë të parë me rastin e Xhisiela Malokut, skena që më përshkruan ishte traumatike.

Xhisiela Maloku kishte guxuar të denonconte ish-të dashurin e saj që e kishte masakruar në dru në hotele, në rrugë, në shkollë e në mes të fshatit.

Që në atë moment ajo e kishte firmosur fatin e saj si armike e fasadës së Rilindjes.

Publikimi i rastit nga ish-Kryeministri Sali Berisha i prishi të gjithë tentativat e Rilindjes për ta mbyllur kapakun e një meseleje të qelbur, që i shtohej palmarësit të saj të ndyrësive.

Që në këtë moment çunat e Rrajave e kanë peng Xhisielën dhe e kanë përdorur fillimisht sipas nevojave të veta, dhe që pas denoncimit të Emiljano Nuhut në kuadër të nevojave të Edi Ramës, nën regjinë e Endri Fugës.

Herën e parë që Xhisiela ka folur për mediat (në 28 korrik 2018), çunat e Rrajave, zërat thonë se i kanë shkuar Xhisielës në banesën e saj në Zezë dhe pasi kanë lënë takëmet e tyre në tavolinë, si pistoletat, paketat dhe celularët, e kanë urdhëruar që të bëjë një bisedë telefonike me redaksinë e këtij televizioni.

Biseda me redaksinë e televizionit është kryer me formatin e zakonshëm të komunikimit të Rrajave (pistoleta në bark) dhe me mesazhin e vetëm ‘Sali Berisha gënjen, nuk më ka përdhunuar askush’. Me kaq u duk sikur Rrajat e mbyllën hesapin me bezdisjen që u kishte shkaktuar denoncimi i Xhisielës.

Rexhepi do të ishte i lirë, Xhisiela do të vazhdonte të mbante pistoletën në bark sipas humorit të djalit të deputetit socialist, ndërsa Taulant Balla do të vazhdonte peshkimin. Por, denoncimi publik i Emiljano Nuhut e prishi qetësinë e Rilindjes dhe sidomos atë të kryerilindasit.

Në ditët e veta më të gëzuara, kur Policia e Xhafajt po kryente operacione deri diku të suksesshme për rendin, deri në arrestimin e Bandës së Bajrave, rezulton se e njëjta polici kishte dështuar të mbronte një vajzë që dhunohej sistematikisht nga ish-i dashuri i saj, djalë deputeti rilindas.

Ironi e madhe, por siklet për t'u hequr.

Që nga ajo ditë, Rilindja është fokusuar në dy operacione:

1. Emiljano Nuhu, ish-oficeri i infiltruar që ka kërkuar 6 operacione të suksesshme për shkatërrimin e bandave të drogës, gënjen;

2. Xhisiela Maloku, u trajnua mbi një javë që të dilte tek Eni Vasili dhe të thotë që përgënjeshtronte çdo deklaratë kundër Rexhep Rrajës. Momenti që e ka djegur skenarin Rama-Fuga-Rraja në Top Channel ka qenë shpërthimi i gazetares Anila Hoxha e cila ka qenë e pranishme gjatë intervistës në Durrës.

E pyetur për perceptimin e saj mbi vërtetësinë e rrëfimit të Xhisielës, gazetarja Hoxha ka rrëfyer një prapaskenë qe me shumë gjasë moderatorja e emisionit jo vetëm që nuk e do ta kishte thënë kurrë dhe do kishte dashur të mos thuhej.

‘Xhisiela gënjeu kur tha që erdha me taksi, sepse ne të dyja e pamë që ajo zbriti nga një makinë e shoqëruar nga disa djem’- i është drejtuar Anila Hoxha moderatores ndërsa shtoi se ‘disa gjëra është mirë t'i themi ashtu siç janë’.

Paralelisht në studion e TV Klan, gazetarja Klodiana Lala ka rrëfyer një skenë tjetër që përgënjeshtronte versionin që Xhisiela ka servirur në media me urdhër të Rama-Fuga-Rrajas. Prokuroria i ka lënë për një moment vetëm Rexhepin dhe Xhisielën, dhe nga përgjimi ambiental rezulton se djali i deputetit e ka kërcënuar aty për aty ish-të dashurën e tij që të tërhiqte deponimin.

U zhgënjyet nga intervistat e Xhisielës? Më fal po çfarë prisnit, që vajza t'i bashkohej lëvizjes ‘ME TOO’ dhe të thoshte: ‘Po njerëz, Rexhep Rraja ma ka nxirë jetën dhe përdhunimi është gjëja më e vogël që ka ndodhur’.

Në vetëm dy muaj, Xhisiela Maloku ka humbur shumë.

Jo vetëm 12 kilogramë siç e tha vetë, jo vetëm lirinë e saj, jo vetëm vajzërinë e saj, por me daljet e sotme në media shpresojmë që ajo të ketë blerë të paktën jetën e saj.

Atë më minimalen, ku njeriu thjeshtë merr frymë.

Pas gjithë kësaj panorame, shpresoj që ajo ta ketë blerë jetën e saj dhe të jetojë e qetë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco