Lajmi i fundit

LIVE/ Protesta para bashkisë së Tiranës, qytetarët kërkojnë largimin e Veliajt

Ervin Bushati, bedeli që shpall marrinë ‘Për opozitën që duam’

Ervin Bushati, bedeli që shpall marrinë ‘Për opozitën që duam’

Nga Ilir Nikolla - 29/09/2018

Qëndrimet e Ervin Bushatit pas denoncimeve të Partisë Demokratike lidhur me një numër pasurish të padeklaruara prej tij në ILDKP bëjnë përshtypje për anadollakllëkun e tyre.

Duke i trajtuar pasuritë si pasuri të Zotit që i qenkan taksur atij me frymën e shenjtë e që s’ka nevojë të deklarohen, pasi janë të farefisnisë e të krushqisë, kanakari i Ramës për punë vjedhjesh ekonomike jep leksione bolshevizmi.

Mos m’i shihni pasuritë thotë, se më takojnë, paçka se i quaj si dhurata nga baçja e Zotit prandaj nuk i kam deklaruar, por kush m’i përmend s’është i denjë, duhet linçuar si armik, duhet hequr qafe edhe nga fusha e kundërshtarëve.

Ëndrra për të emëruar edhe opozitën përkundet në oborrin e qeverisë sa herë ata janë me të vërtetë në hall dhe bash më hallexhinjtë e Edi Ramës ngarkohen të thonë atë të pamundshmen: Lulzim Basha nuk na pëlqen si kryetar i opozitës pasi po na godet aty ku na dhemb.

Ai po i kalon kufijtë, po na prish qetësinë. Këtë bedelizëm e ka marrë përsipër hallexhiu i vogël, Ervin Bushati, të cilin veç ndonjë ndërhyrje hyjnore mund ta zhveshë nga përgjegjësia penale për mosdeklarimet e një dyzine pronash, sipas ligjit.

Merret me mend se sa zero gjasa ka që kjo politikë e re e mazhorancës për ta mbrojtur korrupsionin, duke e shpallur opozitën si komuniste e bolshevike të ketë sukses.

Edi Rama e bëri sot zbythjen e parë dhe merret vesh se liria e të birit të deputetit i ka orët e numëruara. Edhe Taulant Balla, një përfaqësues tjetër spikatës i këtij bedelizmi në politikë foli pas zbythjes së Ramës duke thënë se drejtësia duhet të veprojë por opozita po ndjek një ‘politikë të ulët’.

Me fjalë të tjera, ata që rrahin, përdhunojnë dhe kontrollojnë policinë e prokurorinë të mos jepet drejtësi kanë njëfarë faji, por fajin kryesor e ka opozita që po na shqetëson me ‘politikën e ulët’ të denoncimeve.

Me publikimin e listës së oligarkëve të Ramës, perspektiva e një marrëveshjeje për tavanin e denoncimeve as që duhet çuar nëpërmend.

Marrëveshje të tilla janë si të negociosh me terroristët. Edi Rama besoj se e di këtë dhe po mundohet që ‘exit-strategy’-në ta detajojë përmes zbythjeve politike dhe shitjes së bashkëpunëtorëve. Për bedelët që janë ngarkuar të shpallin lëvizjen avokatore ‘për opozitën që duam’ e vetmja shpresë mbetet veç marrja e statusit të të penduarit të opinionit publik.

Ndoshta kështu mund të qetësojnë plagët e largimit të afërt nga politika dhe njëkohësisht mund t’i japin një goditje poshtë brezit shefit të madh që po i keqpërdor dhe përdhos në muzgun e politikës së vet.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco