Sa kushton 1 m2 ‘shpirt’...?

Sa kushton 1 m2 ‘shpirt’...?

Nga Gent Strazimiri - 28/07/2018

Sepse përfundimisht e fatkeqësisht, kjo shoqëri gjithçka e mat me ‘euro/m2’, edhe trashëgiminë shpirtërore e identitetin!

Mjerisht aty reduktohet edhe çdo debat që nis si elitar, intelektual, artistik, kulturor, estetik, parimor, moral, emocional, pasionant... shpirtëror...!!!

Nuk është e bukur, është e shëmtuar të shohësh njerëz të artit dhe të kulturës që firmosin për ‘të shembur pa humbur kohë’ e jo ‘për të ruajtur me çdo kusht e çmim’ një objekt unik të kulturës, arkitekturës e urbanistikës së celebrimit të Tiranës si kryeqyteti vendit. Për më tepër godinën e parë, të teatrit të parë kombëtar.

Fakti që ‘nuk humbasim asnjë m2’, nuk e zhbën shëmtinë e rreshtimit në krah të shembjes, shkatërrimit e rrafshimit të një monumenti kulture, xhevahirit të ‘Qendrës monumentale të Tiranës’. As nevoja sado urgjente për një teatër me kushte moderne pune, as projekti ‘thagmë’ i një teatri të ri, nuk është justifikim për shëmtinë e rreshtimit në krah të pluhurëzimit të trashëgimisë shpirtërore.

E rëndësishme është ‘të mos humbasim asnjë m2’, sepse çmimi për ‘m2’ është drejtuesi real i kësaj shoqërie, është bursa morale, intelektuale e shpirtërore e saj!

Në fakt jo vetëm sot, mjerisht!

Kjo shoqëri ka pranuar të vriten si tradhtarë, apo nëse nuk ishin gjallë tu ç’varrosen eshtrat, firmëtarëve të parë, të aktit të parë të pavarësisë së këtij vendi, firmëtarëve të aktit të parë që përcaktonte alfabetin e këtij populli, intelektualë, juristë, ekonomistë, diplomatë, klerikë e poetë që materializuan shpirtin e shqiptarit e ëndrrën e tij.

Koha tregoi se i vetmi ‘faj’ që patën, ishte se vinin nga familje të pasura e me influencë, që kishin në pronësi pafund... ‘m2’...

Ata sot janë ‘të falur’, të nderuar, të rivarrosur, të dekoruar por ende të... shpronësuar në ‘m2’, sepse kjo shoqëri vetëm në ‘m2’ nuk të fal...

Xhamia e parë në Tiranë, 2 katëshe, me afreske dhe ambiente mbështetëse që e bënin në fakt një qendër kulturore të mirëfilltë, u shemb sepse ishte në mes të Tiranës dhe ato ‘m2’ duheshin për të ndërtuar ... nevojtoret publike socialiste dhe bustin ‘modern’ të ‘partizanit të panjohur’!

Kisha e parë ortodokse kishte po ashtu jo pak ‘m2’, që duheshin për të ndërtuar ‘15 katshin’, si dëshmi e Tiranës socialiste. Po kështu u rrafshuan teqetë, pazari, kafenetë e ndërtuara sipas modeleve dhe shijeve më të mira të Evropës së fillimshekullit XX, sepse duheshin ‘m2’ për të ndërtuar Tiranën sovjetike.

Kjo shoqëri ka shembur vendin ku është luajtur opera e parë shqiptare, drama e parë shqiptare, studioja e parë fotografike shqiptare etj., sepse ‘m2’ mbi të cilat qenë vendosur, i përkisnin x apo y pasunari të Shkodrës apo të Korçës. Ato ‘m2’ duheshin për të ndërtuar Komitetin e Partisë, Komitetin Ekzekutiv, zyrat e Bashkimeve Profesionale, klubin e oficerëve, etj., me ‘një projekt të paparë të një arkitekti sovjetik’....

Sot në këtë shoqëri, mjerisht askujt nuk i mungojnë këto objekte që do të duhet të ishin dëshmi e shpirtit, e kulturës dhe përpjekjeve tona të hershme apo të vona e që barbarët i rrafshuan, i shkatërruan e i pluhurëzuan, madje jo rrallë me ‘peticione’ e ‘letra të hapura’ që i kërkonin ‘Partisë’ të nxitonte t'i rrafshonte, sepse ekzistenca e tyre ishte kthyer në një hall të madh herë për ‘rininë socialiste’, herë ‘për gratë socialiste’, herë për ‘klasën punëtore’, por gjithsesi në çdo rast për ‘njeriun e ri, të brumosur me mësimet e Partisë’...

Dhe ‘Partia’ kurrë nuk ua bëri fjalën 2!!!

Fotot bardhë e zi të atyre objekteve që ‘shembi Partia’, për të ndërtuar ‘modernen, sovjetiken, të përparuarën’, sot dekorojnë muret e çdo kafeneje ‘chic’ të Tiranës, Shkodrës, Durrësit, Korçës, Vlorës, madje edhe të Fierit dhe Lushnjës që i dinim qytete ‘koti’, ‘pa histori’...

Këtu jemi edhe sot! Në të njëjtën dëshirë anti-natyrore për të shkatërruar, pluhurëzuar, shembur, për të humbur një llokmë të trashëgimisë sonë kulturore e shpirtërore, madje ‘pa humbur kohë’...(!?)

Mjafton të mos humbasim asnjë... ‘m2’...!!!

Në këtë shoqëri pa rregulla, pa faqe e fytyrë, ku e vetmja gjë e qëndrueshme duket të jetë çmimi i ‘m2’, dikush të më thotë sa kushton një ‘m2’ shpirt, zotnillëk, integritet?

Apo matet me kg?!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

skrapari28/07/2018 20:31

Turp i tiranes dhe qytetareve te saj qe per kryebashkiak zgjodhen njd njeri te peshtire pa shkolle nje pleh qe gjithe diten vetem ben monolog. Krejt i pa afte. I peshtirosur edhe si paraqitje. Te njejtin surat kane gjithe komunistat

Rabbi Ibn Ezra28/07/2018 20:25

Histeria ndertuese e kullave eshte thjesht babezia e mafies shqiptare te pastroje parate ne menyre sa me produktive.
Them produktive sepse kembengulin qe cdo ndertim ta bejne ne zonat e shtrenjta.
Pse nuk bejne ato kulla ne Kamez ne Laprake nga Tegu ku askush nuk i ndalon.
Ne itali cdo qytet ka gati dy zona. Vecchio Borgo ku shtepite nuk preken edhe pse jane ibret nga ndertimi dhe zona moderne.
Po ata pse nuk e shembin pjesen e vjeter te qytetit?

Tiranasi28/07/2018 18:51

Ke sh te drejte strazimir.po tregu i fiqve te velise eshte shndruar ne turpin e historise se kombit.ju kujtoj qe godina e radio tiranes ne ruge te kavajes esht shndruar ne banjo publike germadh .muzeu i shkencave te natyres kulle e kryehajdutit dhe e kryebashkiakut fiqshites injorant megaloman tuuurppp.

Shto koment

Denonco