Diplomaci agresive apo Rend i Ri botëror?

Diplomaci agresive apo Rend i Ri botëror?

Nga Bled Komini - 14/07/2018

Zakonisht jemi mësuar që etapat e zhvillimit të shoqërisë ashtu si dhe ato të ndryshimeve të mëdha t’i shohim si rezultat i ngjarjeve me sfond nisje apo mbarimi lufte, rrëzimi sistemesh politik, por edhe si rrjedhojë e ndryshimeve të mëdha ekonomike dhe zbulimeve industriale e teknologjike.

Mbase është herët që të pohojmë se globalisht diçka e madhe po ngjet. Apo se ShBA-të po përpiqen të ndryshojnë mënyrën e të bërit politikë dhe diplomaci. Por nga ana tjetër është fare e qartë, se këto ndryshime që duken në horizont, po përvijojnë një etapë të re në rendin ndërkombëtar. Një etapë e cila po nxjerr mbi sipërfaqe një problematikë të fshehur në mënyrë shumë të sofistikuar për shumë vite me radhë.

Për cilën problematikë bëhet fjalë? dhe: a ka një ndryshim drastik në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës karshi aleatëve dhe vendeve të tjera?

Duke dashur t’i trajtojë dhe të japë një përgjigje serioze ndaj të dyja pyetjeve, “Foreign Affairs” në shkurt të këtij viti (13 shkurt 2018), organizoi një anketim (të cilin edhe e publikoi me titull: A ka ndryshuar në mënyrë dramatike politika e jashtme e ShBA-ve?), pyetjet e të cilit ja drejtonte njohësve dhe studiuesve më të shquar të diplomacisë dhe politikës së jashtme amerikane. Pas komenteve të tyre, një sistem pikësimi i’u dha secilit nga ata, në mënyrë që të krijohej një matës i lëvizjes së politikës së jashtme amerikane sipas gjendjeve: 1) Pranoj fuqishëm që ka ndryshim; 2) Ka ndryshim; 3) Neutral; 4) Nuk pranoj që ka ndryshim; 5) Nuk pranoj fuqishëm që ka ndryshim.

Bazuar në përgjigjet e mbledhura, bashkë me komentet përkatëse, u vu re se pjesa më e madhe e studiuesve dhe personaliteteve të mirënjohur mendonin se ShBA-të po ndiqnin një ndryshim drastik në politikën e jashtme karshi vendeve aleate dhe shteteve të tjera.

Sipas Richard Fontaine (President i Qendrës për një Sistem të Ri të Sigurisë Amerikane):

“Nëntëdhjetë e pesë përqind e politikës së jashtme (amerikane) tregon një vijueshmëri domethënëse në administrimin e çështjeve, duke përfshirë edhe linjën e politikës së jashtme.

Por, pjesa e 5% të mbetur, përfaqëson çështjet më të rëndësishme. Administrata Trump ka bërë ndryshime në trajtimin e çështjeve të tilla si marrëdhëniet me Rusinë, Korenë e Veriut, Iranin, Afganistanin, tregtinë, klimën, angazhimet shumëpalëshe, ku, tonaliteti, stili dhe angazhimi kanë qenë evident.”

Ndërkohë, sipas Philip Gordon (specialist në politikën e jashtme të ShBA, dhe anëtar i Këshillit mbi Marrëdhëniet me Jashtë): “Politikat mbi një numër çështjesh kryesore, duke përfshirë ISIS, Rusinë, NATO, Korenë e Veriut, Sirinë, Afganistanin dhe madje Iranin, tregojnë më shumë vazhdimësi sesa ndryshimi. Por tërheqja e lidershipit global të SHBA-së në tregti, klimë dhe megrim; fanepsja e Departamentit të Shtetit dhe shpërthimi i çoroditur dhe i paparashikueshëm që rrjedh nga Shtëpia e Bardhë, duke prishur kredibilitetin dhe reputacionin e Amerikës në botë, e bëjnë të pamundur përfundimin se nuk ka ndryshim dramatik.”

Në të dyja këto këndvështrime, shihet qartë se ekstremet e vlerësimit mbi ndryshimin e politikës së jashtme të ShBA-ve variojnë prej atyre që shohin shumëçka pozitive te ndryshimet, deri te ata që këtyre ndryshimeve u japin nota negative.

Në fakt, duke tronditur aleancat tradicionale ose duke zënë kundërshtarët në befasi me veprime ushtarake, Trump jo vetëm ka ndryshuar rrjedhën e politikës së jashtme të ShBA-së, por ka shkaktuar një tërmet mbi rendin botëror. E gjitha kjo i ngjan një operacion “blic”, i cili nuk të lë mundësi të mendohesh, organizohesh dhe kundërpërgjigjesh. Një politikë kaq e shpejtë ndryshimesh nuk është ndjekur prej asnjërit prej presidentëve amerikanë gjatë shekullit të kaluar. Fuqinë e saj më të madhe politika “blic” e ka pasur sidomos tek vendimet që ai ka marrë si dhe retorika që ai ka përdorur gjatë kësaj periudhe pothuajse dy vjeçare në krye të Shtëpisë së Bardhë. Kjo tregon se ai pohon, e ka të qartë çfarë do të bëjë, dhe menjëherë bën lëvizjen e tij, duke pritur kundërshtarin e hutuar se çfarë mund të bëjë i zënë ngushtë në shance dhe mjete të pakta për të mbrojtur veten.

Të gjitha këto elemente mund të renditen si më poshtë, sipas veprimeve të ndërmarra prej administrates Trump në harkun e këtyre dy viteve:

1. Deklarata për një partneritet më të madh mes Rusisë dhe ShBA-ve;

2. Dërgimi i flotës amerikane në detin e Koresë Jugut e gatshme për të goditur bazat luftarake të Koresë së Veriut.

3. Nënshkrimi i marrëveshjes së “bashkëpunimit” me liderin koreanoverior Kim Jong-un i cili u angazhua në shkatërrimin e arsenalit atomik;

4. Goditja e bazave të ushtrisë së Presidentit Bashar al-Assad pas përdorimit prej tij të armëve kimike mbi popullsinë siriane;

5. Çlirimi i qytetit të Mosulit, që mbahej prej ISIS-it, në bashkëpunim me trupat irakiene;

6. Kërkesa për rritjen e buxhetit të vendeve anëtarë të NATO-s në nivelin mbi 2% të GDP, me një progres për të shkuar në 4%;

7. Përdorimi i “nënës së bombave” (mother of all bombs), me një superfuqi shkatërruese të paprecedentë, mbi objektivat e ISIS në Afganistan;

8. Largimi nga marrëveshja bërthamore me Iranin;

9. Njohja e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit;

10. Vendosja e barrierave (tarifave) ekonomike ndaj importeve të çelikut dhe aluminit;

11. Vendosja e disa tarifave për mallrat kinez që futen në ShBA;

12. Mbështetja tek lëvizjet konservatore brenda vendit, e cila ngjashëm me valet, ka nisur të

përhapet edhe jashtë Amerikës.

Nisur prej parimit të diplomacisë pro-aktive, koncepteve proteksioniste në tregti, bërjen e Amerikës sërish lider botëror, vendosjen e baraspeshave mes ShBA-së dhe aleatëve brenda NATO-s, si dhe dhënien fund të regjimeve të vogla autoritare në botë, mund të themi se Trump me të vërtet është një president ndryshe. Gjithashtu mund të themi se politika e jashtme, ashtu si dhe politika e tij brenda vendit, kanë prodhuar një numër të konsiderueshëm situatash, të cilat dukshëm ndjekin “teorinë e kaosit”.

Sigurisht që kaos nuk do të thotë vetëm anarki. Sipas shumë politologëve, kjo teori është parë si e pamundur të aplikohet në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare sepse studimi i sjelljeve jostabile, joperiodike, në sisteme aktive deterministike jolineare dhe aq më tepër sociale është shumë i vështirë. Mirëpo, me ç’duket, qasjet e ofruara prej politikës së jashtme të Presidentit Trump ngjajnë me një kaos, që në realitet fsheh një model pas tij.

Stephen G. Brooks, profesor në Dartmouth College, i cili është specialist i njohur mbi qeverisjen dhe sistemet e qeverisjes, thotë se Trump ka vënë në pikëpyetje ndjekjen e vazhdueshme të tri objektivave që shtrihen në thelbin e strategjisë së madhe të SHBA: një prani amerikane jashtë shtetit për të reduktuar rivalitetin e madh të fuqisë dhe konkurrencën e sigurisë në Evropë dhe Azinë Lindore; promovimi i një rendi ekonomik liberal për të zgjeruar ekonominë globale dhe për të maksimizuar prosperitetin e SHBA; dhe krijimin, mbajtjen dhe rishikimin e rendit institucional global për të siguruar bashkëpunimin e nevojshëm ndërshtetëror. Por, pavarësisht vënies në pikëpyetje të këtyre objektivave (që çdo president amerikan për 70 vitet e fundit i ka mbështetur), është shumë herët për të treguar nëse Trump po ofron një sfidë retorike, apo një ndryshim thelbësor.

Përplasjet në dukje të rastësishme që krijohen prej politikave dhe deklaratave të bëra prej Shtëpisë së Bardhë, shëmbëllejnë me përplasjen e krahëve të fluturës (njohur si “efekti flutur”), e cila mund të shkaktoj ndryshime të mëdha në pjesën tjetër të vendit. Kjo nënkupton se incidentet e vogla kanë impakt në një shkallë të lartë në anën tjetër. Këto elemente të vogla mund të kenë një impakt disproporcional ndaj tërë sistemit në përgjithësi, por që nëse kontrollohen, ato mund të krijojnë atë që prej studiuesve njihet si “modeli dominues i teorisë së kaosit”.

Një përcaktim me pak fjalë i teorisë së kaosit, që do të na afrojë më shumë me përshkrimin e politikave të ndërmarra prej administratës Trump, është dhënë prej profesorit Edward Lorenz, i cili është dhe studiuesi më i njohur i kësaj teorie. Sipas tij kaosi deterministik apo thjesht kaosi, ngjet: “Kur e tashmja përcakton të ardhmen, por e tashmja e përafërt nuk e përcakton të ardhmen e përafërt.”

Gjer më tash kemi parë sesi një seri ngjarjesh në dukje të politikës së jashtme amerikane kanë çekuilibruar sistemin dinamik të marrëdhënieve ndërkombëtare, ndërsa tani përmes një optike tjetër, kuptojmë se këto ngjarje në dukje të rastësishme mund të jenë ndërkaq një “summa summarum”, shuma e tërë veprimeve të një politike të ndjekur mirë dhe aspak të rastësishme.

Sipas profesorit të shquar dhe pionerit të matematikës financiare Nassim Nicholas Taleb (tek “Mjelma e Zezë - Impakti i lartë i të pamundshmes”), janë ngjarjet e veçanta e të rralla ato që përcaktojnë fatet e njerëzve, politikanëve, shteteve apo botës. Gjasat që një ngjarje e përsëritur të sjell ndryshime rrënjësore janë shumë të pakta, ndërkohë që premisat që një ngjarje e veçantë dhe e pakontrolluar prej sistemit të sjell vetë ndryshimin e sistemit, janë shumë të mëdha. Sipas tij, ishte 11 shtatori 2001 ai që ndryshoi politikën botërore dhe i dha një vëmëndje më të madhe luftës ndaj terrorizmit. Por, kjo gjë mund të ndodh vetëm një herë, njerëzimi nuk mund t’ja lejojë vetes që këto ngjarje të përsëriten sërish e në një infinit ngjarjesh të njëjta.

Pikërisht është ky moment, ku merr kuptim edhe politika “blic” që kërkon të zhvillojë Shtëpia e Bardhë. Veprimet e shpejta prej saj, e të pakontrolluara prej pjesës tjetër, i japin mundësinë dhe avantazhin e drejtpërdrejt për të drejtuar politikën e jashtme si dhe për të kontrolluar sjelljet e liderëve dhe vendeve të ndryshme.

Në mbështetje të këtyre politikave është prezantuar edhe Peter Navaro, Drejtori i Këshillit Kombëtar të Tregtisë apo këshilltari më i ngushtë i presidentit për çështjet ekonomike e tregtare. Ai është quajtur prej kundërshtarëve të presidentit si “cari i tregtisë” ose mbështetësi dhe ideologu i luftës tregtare me Evropën dhe Kinën. Në librin e tij “Vdekja nga Kina” aiparashikon se Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këtë mijëvjeçar të ri nuk do përballen me armiqtë klasikë e të njohur siç mund të renditet Rusia, apo terrorizmi, por me luftën tregtare ku kryesisht përfshihen produktet kineze. Në këtë luftë tregtare nëse nuk merren masat e duhura, një ditë ajo mund të sjelli edhe rrënimin e Amerikës.

Kështu që, në një analizë përfundimtare mund të thuhet së politika e jashtme amerikane po përjeton njëkohësisht një ndryshim drastik të saj, ashtu siç ky ndryshim drastik e i menjëhershëm po riformëson edhe rendin botëror. Nëse ky ndryshim do sjell gjëra pozitive apo negative, këto nuk mund të parashikohen e verifikohen paraprakisht, por do i mbesi brezave në vazhdim për të vërtetuar se çfarë ishte e drejtë dhe ku u gabua.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco