Bojkotoni Sfakianakisin e Agimit të Artë, `Soma mu` është falas!

Bojkotoni Sfakianakisin e Agimit të Artë, `Soma mu` është falas!

Nga Poli Hoxha - 24/05/2018

Gjatë një turneu në SHBA në vitin 1999, këngëtari grek  Notis Sfakianakis, i cili do të ngjitet sot në skenën më prestigjioze që ka Shqipëria, Pallati i Kongreseve, në një koncert në Neë Jork pas një fushate bojkoti të gjerë të komunitetit greko-amerikan, rrezikoi të “hante dru”. Mes fishkëllimash të shumta nga edhe vetë patriotët e tij koncerti u bë, por Sfakianakis për 10 vite rresht nuk u ftua më të shkelte aty.

E gjitha kjo vinte nga qëndrimet dhe retorika publike neo-fashiste e këtij këngëtari dhe veçanërisht nga teksti i një kënge, e cila nxiste urrejtje ndaj presidentit Bush dhe Shtëpisë së Bardhë dhe çdo lloj kombi tjetër, që sipas tij nuk kishte “prejardhje alieno-hyjnore”, si ajo e grekëve. Amerika është vend i lirive deri në ekstrem madje, por kur vjen puna te dinjiteti kombëtar dhe parimet themelore të të drejtave të njeriut, aty dinë të ndajnë shapin nga sheqeri, artin nga individi që përçon ide antihumane, nazisto-fashiste. Ezra Pound ishte poeti më i madh i kombit të tyre në shekullin e 20-ë, por vetëm sepse si njeri politik (aspak si artist) ju bashkua kauzës naziste të Hitlerit e dënuan dhe e përçmuan, deri duke e linçuar publikisht.

Të krahasosh Sfakianakis me Ezra Pound, në çdo këndvështrim është një idiotësi e qëllimshme, por duhet bërë për të kthjelluar ata që nuk dinë të ndajnë “soma mu” nga kafshët antishqiptare të Agimit të Artë dhe adhuruesit e ndjekësit e tyre.

Edhe në atë kohë, njësoj siç po bën tani në Tiranë, por veçanërisht kur u rikthye në SHBA në vitin 2009 , Sfakianakis deklaroi se “ e kishin keqkuptuar” dhe nuk ka pasur kurrë synim të denigrojë në mënyrë raciste, kombet e tjerë.

Këto spërdredhje janë normale për një këngëtar lokal, i cili e ka kthyer muzikën në një industri fitimi, aq më shumë kur bëhet fjalë për bileta nga 150-200 euro, si ato që do të paguajnë shqiptarët, të cilët do të zgjedhin të shkojnë sot në Pallatin e Kongreseve.

Ndoshta Notis Sfakianakis siç deklaroi te Top Chanel nuk ka thënë tekstualisht asnjëherë, se “shqiptarët janë plehra dhe racë inferiore”, por qëndrimet e tij publike neo-fashiste, koncertet për “Agimin e Artë” ku turma thërriste, “vdekje të huajve, shporrini shqiptarët”, etj, nuk i mohon dot.

Kur të dalë sot në mbrëmje përpara publikut shqiptarë është e sigurt, që nuk do të bëjë politikë; do të këndojë vetëm “tallavatë” e tij romantike dhe i përvuajtur do të drithërojë telat e atyre, që kanë paguar sa një pension maksimal i një shqiptari, kur të psherëtij; “soma mu-soma mu”.

Por ata që do të jenë live aty, kur të shohin ngashërimet dashurore të Sfakianiakis, duhet që edhe ta përfytyrojnë atë të veshur me të zeza kokë e këmbë dhe me dorën lart në stilin e përshëndetjes nazi-fashiste, të cilën ka adoptuar organizata “Agimi i Artë”.

Të risjellin në mendje edhe skenat e ndodhura shpesh, kur idhujt e tij me flamuj me kryq të thyer, me shkopinj bejsbolli dhe me leva hekuri, masakrojnë nëpër rrugë emigrantët e shkretë shqiptarë apo edhe vetë avokatët grekë, që i mbrojnë ata.

Ashtu siç e thamë edhe më lartë, Sfakianakis është në biznesin e tij dhe kur gjen, mirë bën që jo 150, por edhe 1500 euro le ta çojë çmimin e biletës. Çështja qëndron në radhë të parë tek organizatorët dhe ata, që do të shkojnë sot ta dëgjojnë dhe shohin.

Në debatin që është hapur këto ditë në Shqipëri për këtë çështje ka nga ata që thonë se, “Sfakanakis nuk ka ardhur këtu për politikë, por për art”.

Në rastin më të mirë, kjo alibi është naivitet. Në atë më të keqin, ata që kanë zgjedhur të shkojnë në koncertin e tij, do të vërtetojnë se ka plot shqiptarë që vërtet janë inferior. Edhe nëse i përbuz, edhe nëse je me racistët që i keqtrajtojnë dhe kanë program të vetëm të bandës së tyre politike, përzënien me kuç e maç nga Greqia, ata sërish jo vetëm që vijnë të të shohin, dëgjojnë, duartrokasin,  por edhe paguajnë një çmim të padëgjuar për këtë.

Ato buzë, ato korda, ajo mendje nga do dalë sot, “soma mu”, e cila me shumë gjasa do tu këpusë shpirtin atyre që do jenë aty, janë të njëjtat nga ka dalë thirrja: “ Greqia është vetëm e grekëve, rroftë Agimi i Artë!”.

Askush nuk guxon të pengojë askënd, që të dëgjojë çfarëdo lloj muzike që të dojë. Aq më shumë hitet e një këngëtari grek me të cilat shqiptarët, ca nga qejfi e më shumë nga “halli” janë edukuar, që ti pëlqejnë. Por këtë mund ta bëjnë fare mirë në makinat, telefonat dhe shtëpitë e tyre dhe jo në skenën më të rëndësishme kombëtare të artit.

Të gjithë ata shqiptarë, që do të shkojnë sot në atë koncert, duhet ta dinë se dinjitetin kombëtar të çuar në fund të këmbëve, si ato brekët e prostitutave të lira buzë rrugës, nuk ka “soma mu” dhe çmim që e justifikon.

Për ta kuptuar më thjeshtë dhe për tu menduar edhe njëherë se dinjiteti e tejkalon “muzikën për muzikë” dhe se përse duhet ta bojkotoni sot, jo këngën e tij, por njeriun politik ultra-nacionalist dhe ksenofob, Nikos Sfakanakis, po ju tregojmë rastin e një artisti nga Prizereni, i cili po pushton botën.

Shqiptari Petrit Ceku është aktualisht një yll i kitarës në Kroaci dhe një nga instrumentistët, më të kërkuar në botë. E kanë ftuar disa herë që të japë koncert edhe në Beograd, por e dini se si u është përgjigjur ai?

“Kur Serbia të kërkojë zyrtarisht falje për krimet monstruoze shtetërore ndaj shqiptarëve, do të vij në Beograd me shumë dëshirë dhe do të jap koncerte sa të doni, madje  falas!”.

Për këtë dinjitet, bëhet fjalë!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Arber24/05/2018 18:27

Po ky eshte edhe jevgjit mo c'ne racist. Ky do ishte ne kamp perqendrimi po te ishte Hitleri gjalle.Epo kur ka njerez ne Shqiperi qe "kernaqen" me avazet e ketij plehre, kemi prekur fundin.

Loran shehu24/05/2018 18:26

Shum shkrum i drejt po autori mos ngatroj nazistet me nje gabel Greqie se jan shum larg njeri tjetrit

Shto koment

Denonco