Përse nuk e shpëton dot Edi Ramën, kurbani Agron-Geron Xhafaj

Përse nuk e shpëton dot Edi Ramën, kurbani Agron-Geron Xhafaj

Nga SYRI.net - 16/05/2018

Ministri i Brendshëm, nën presion apo me detyrim përcaktim pikërisht dy ditë pas prezantimit që Edi Rama i bëri librit të tij “Kurban” në Itali, i shtroi sot kurban Rilindjes, karriges së tij dhe veçanërisht vazhdimësisë së qeverisjes Rama, vetë vëllanë e vogël, Agron-Geronin.

Kjo lëvizje në dukje e papritur, tregon se deri në çfarë pike ka mbërritur sforcimi i një grupi ekonomiko-kriminal, që qeveris Shqipërinë, për të mbijetuar tani për tani, si dhe për ti shpëtuar ndëshkimit për zullumin e tej trashur nën tokë, që opinioni publik nuk e sheh ende qartë. Tregon gjithashtu, se Edi Rama përfundimisht është peng i kësaj organizate kriminale që ka uzurpuar qeverisjen e vendit në çdo qelizë.

Me këtë veprim ky sekt që ka kapur votën dhe pasuritë e shqiptarëve, tregoi se nuk ka ndërmend të tërhiqet dhe do të vazhdojë të sakrifikojë siç bëri me Saimir Tahirin, copa nga trupi i vet. E gjitha kjo përpëlitje tregon, se Rama dhe organizata ekonomiko-kriminale ka mbërritur në një fazë mbijetese, e aftë që të flijojë pjesë nga oktopodi në përpjekje për të shpëtuar qelizën komanduese. Dhe këtë e tregoi qartë i komanduari i tyre në krye të vendit, Edi Rama, i cili sot në fjalimin e gjatë përpara grupit parlamentar, shfrytëzoi “kurbanin Agron”, për të nisur një sulm të paprecedent denigrues, kërcënues dhe shantazhues ndaj opozitës.

Por në fakt, ky kurban i radhës, pavarësisht se është vetë vëllai i ministrit të Brendshëm, a mundet dot ta shpëtojë, Fatmir Xhfajan si ministër i Brendshëm në vazhdim, Edi Ramën dhe vetë ngrehinën?

Le të shtjellojmë, vetëm rastin konkret.

Deklarata e sotme e Agron-Geron Xhafajt tregoi, se për 16 vite rresht opozita ka pasur të drejtë për këtë çështje. Gjithashtu, mbrojtja shumëvjeçare dhe mohimi i veprimtarisë kriminale të Xhafajt të vogël, nga Rilindja në bllok dhe vetë kryeministri vërteton, se njësoj siç ka bërë me Prengën,  Frokun, Rroshin, Tahirin etj, Rama do të luftojë deri në fund. Ai në fakt nuk mbron as Fatmirin dhe as Agronin, por veten e tij dhe ata që qëndrojnë prapa perdeve pasi kanë instaluar skemën kriminale, që nga viti 2013 kur erdhën në pushtet.

Në fjalën përpara deputetëve, Rama, tha se një qeveri nuk matet me një apo disa individë që kanë bërë “gabime” apo krime dhe deklaroi se nuk e lëshon Fatmir Xhafaj, i cili sipas tij nuk ka as përgjegjësi penale dhe madje as morale në gjithë këtë histori, që të rikthen në Italinë e viteve 80-të, kur mafia me politikën ishin bërë njësh.

“Unë jam Agron Xhafaj.

Për shkak të gjithë akuzave që janë ngritur ndaj meje gjatë ditëve të fundit, por edhe si vëllai i Fatmir Xhafaj, sot Ministër i Brendshëm, ndihem i detyruar të bëj publike sa vijon: Kam vendosur që t’i drejtohem vetë autoriteteve italiane të drejtësisë për të ekzekutuar një vendim dënimi penal të tyre kundrejt meje. Kam vendosur ta bëj këtë duke u paraqitur sot në Itali tek autoritetet përkatëse. Edhe pse nuk ka patur asnjëherë (nuk ka akoma edhe sot) asnjë kërkesë dhe asnjë interes nga organet e drejtësisë italiane për të ekzektuar këtë vendim, edhe pse unë asnjëherë nuk kam qënë në kërkim për ekzekutimin e këtij vendimi, unë po e kryejë këtë akt”.

Pra vetë Agron-Geroni, pranon veprën kriminale, vendimin e drejtësisë italiane dhe dënimin, të cilin është nisur që ta kryejë duke u dorëzuar te autoritet e atij vendi.

Pavarësisht se vendimi i formës së prerë të  Gjykatës së Kasacionit në Itali mjaftonte, kjo deklaratë e vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i vë vulën nisjes urgjent të zbatimit të Ligjit të Antimafies ndaj tij. Dhe këtë detyrë ligjore e ka pikërisht Policia e Shtetit që drejtohet nga Xhafaj i madh dhe prokuroria shqiptare, që ka në krye Arta Markun.

Për ata që nuk e dinë, Ligji Antimafia që ka vendi ynë është një nga më të mirët dhe më të  qartët në botë, i bërë me asistencën e partnerëve ndërkombëtar si SHBA dhe vende të rëndësishme të BE. Sipas këtij ligji do të mjaftonin vetëm disa indicio, që çdo të dyshuari për pjesëmarrje në organizata kriminale këtu në Shqipëri dhe kudo në botë ti vendosej menjëherë sekuestrua konservative e pasurisë dhe bizneseve, duke përfshirë edhe atë të rrethit të ngushtë të familjarëve.

Në rastin konkret, pra të Agron Geron Xhafajt, nuk kemi vetëm indicio, por edhe një vendim të formës së prerë të drejtësisë italiane dhe mbi të gjitha pranimin e veprës penale dhe të dënimit nga vetë autori.

Pavarësisht se Agron Xhafaj është duke kryer një akt “vetëflijimi” (për të shpëtuar vëllanë dhe gjithë Rilindjen me në krye Edi Ramën), duke shkuar me këmbët e veta në burgjet italiane për të kryer dënimin prej 7.2 vitesh burg, kjo nuk do të thotë se historia mbyllet këtu.

Edi Rama sot ja kaloi topin opozitës duke e kërcënuar, edhe me burg. Por në fakt me “kurbanin” e radhës ka bërë një autogol ndaj qeverisë së tij, veçanërisht ndaj ministrit Xhafaj të cilin e mbrojti fortë, edhe nga përgjegjësia morale.

Me pak fjalë, në këtë fazë kemi një Fatmir Xhafaj të rikonfirmuar nga Edi Rama, si ministër i Brendshëm, vëllanë e tij që pranon vendimin dhe dënimin në Itali dhe një Ligj Antimafia, i cili pret që të zbatohet nga ministria e Brendshme dhe Prokuroria, siç ka ndodhur në dhjetëra raste të tjera, edhe më pak flagrante.

Të presim dhe të shohim; a do të sekuestrohen dhe do të çohen në gjykatë gjithë pasuritë dhe bizneset e familjes Xhafaj, ku barrën e provës se i kanë bërë në mënyrë të ligjshme e kanë vetë, sipas ndryshimeve që i ka bërë këtij ligji, po kjo mazhorancë në vitin 2014?!

 Apo do të vazhdojnë lojën e nisur dhe do të mjaftohen vetëm me kurbanin, Agron-Geron Xhafaj...

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco