Tre pamje kontradiktore të Ministrit të Diasporës

Tre pamje kontradiktore të Ministrit të Diasporës

Nga Taulant Dedja - 01/05/2018

Që prej 18 prillit 2018, Shqipëria ka një ligj për Diasporën. Sipas këtij ligji, janë mbi 9 organe përgjegjëse për marrëdhëniet me Diasporën, mes të cilave edhe një Ministër Shteti i posaçëm, aktualisht Pandeli Majko. Përmbajtja e ligjit dhe vetë nocioni diasporë, meritojnë një analizë të veçantë, çka e tejkalon synimin dhe objektin e reagimit tim.

Këto radhë fokusohen vetëm tek titullari i ngarkuar me misionin e institucionalizimit të marrëdhënieve me Diasporën, të cilin e kemi parë kohët e fundit të udhëtojë andej-këtej oqeanit në eksplorim të Diasporës dhe në takime me Diasporën. Shumë mirë ka vepruar Ministri sepse kjo është një nga detyrat e tij. 

Zhvendosja masive e grupeve me origjine etnike të njejtë, është tendencë e vjetër dhe aktualisht më shumë se 3% e popullsisë në botë, jeton larg vendeve të origjinës. Nga kjo tendencë nuk kane bërë dhe nuk bëjnë përjashtim as shqiptarët, të cilët, nga dita në ditë, po shtojnë shifrat a përqindjet e asaj që quhet Diasporë.  Arsyet e krijimeve të diasporave kanë qenë kryesisht ekonomike e politike. Më vonë edhe psikologjike e sociale për ata që janë ndjerë të alienuar apo të pavlerësuar në vendin e tyre dhe e kanë braktisur atë për një fillim të ri.

Tashmë, nga politika u mendua që përmes një ligji, Diaspora shqiptare të llogaritet jo vetëm për aktivitete kulturore e artistike apo mediatike, por edhe për qëllime bashkëpunimi ekonomik apo më tej, elektorale. Madje-madje, dje u fol nga Ministri i Diasporës edhe për shtetasit shqiptarë të dënuar jashtë atdheut, në Tryezën e rrumbullakët me temë, “Mbi të drejtat dhe liritë e shtetasve shqiptarë të privuar nga liria jashtë vendit”. Ky debat u organizua më nismë të Ministrit Majko në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, nën kujdesin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, në mos gaboj edhe me mbështetjen e OSBE.

Një parantezë. Kjo temë është shumë e rëndësishme dhe shume e ndjeshme për ata qe e vuajnë drejtpërdrejtë. Ajo duhet trajtuar me shumë përkushtim nga institucionet përgjegjëse, sepse shteti duhet t’i mbrojë të drejtat e qytetarëve të vet në çdo cep të globit, edhe në kushtet e privimit të lirisë. 

Por, duke lexuar me kujdes fjalimin e djeshëm të z. Majko, mu krijua përshtypja që Ministri i Diasporës u shfaq në disa pamje të ndryshme, kontradiktore për mendimin tim. Një herë u shpreh sikur të ishte Kryeministri Rama, duke vënë në shënjestër administratën me deklarimin se ajo: “është ende e përgjumur ne marrëdhënie me Diasporen. Nje pjese e saj vepron mbi parimin se detyrimet e saj te sherbimeve me qytetaret, kufizohen mbi taksapaguesit qe jetojne ne territorin e vendit". Po nga i merr direktivat kjo administratë lind pyetja? Përgjigjen duhet ta dijë më mirë Ministri.

Më tej, Ministri i Diasporës veshi kostumin e Ministrit të Drejtësisë kur dha informacionin se: “shtetasit shqiptarë të privuar nga liria jashtë vendit nuk janë pak, veçanërisht në vendet fqinjë ku edhe përqëndrohen komunitetet më të mëdha shqiptare. Mendohet se më shumë të dënuar apo të paraburgosur shqiptare ka jashtë vendit, se sa brenda tij. Sipas statistikave, në Greqi janë rreth 1655 shtetas shqiptare të dënuar apo paraburgosur, në Itali rreth 1600 shtetas shqiptare të burgosur, nga të cilët 100 në paraburgim. Në Gjermani janë 768 shtetas shqiptare të burgosur, në Britani 750 vete, në Holandë 92 vete, ndërsa në Austri rezultojnë 52 shtetas shqiptare të burgosur ose në paraburgim. Keto statistika i perkasin llogaritjeve deri në shtator 2017.” 

Në pamjen e tretë, z. Majko u shfaq si Ministër i Jashtëm kur deklaroi se: “krijimi i “liaison officer” per kete qellim, është gjithashtu një faktor i rëndësishëm që do te shërbeje si pikë kontakti për personat e privuar nga liria jashtë vendit. Vendosja e tyre, fillimisht ne Itali dhe Greqi, do te jete nje model fillestar per te verifikuar funksionimin e tyre. Aktualisht, e gjithe ngarkesa aktuale e kesaj çështjeje e zhvendos të gjithë barrën e saj tek ambasadat tona jashte vendit. Kam pasur ne nje rast nje perceptim te gabuar per profesionalizmin e drejtueses se nje konsullate shqiptare ne nje vend fqinj. M'u desh ta rishikoja opinionin tim per te, qe ne momentin qe ajo me tregoi se ne çantën e saj te punes kishte lista te sakta te te burgosurve shqiptare te cilat i rifreskonte rregullisht. Jashte perceptimit tim per te, kjo grua shkonte rregullisht e vizitonte burgjet qe mbulonte sektori i saj i përgjegjësisë. Ajo bente çfare kishte mundesi duke ofruar ndihme, e sidomos seriozitetin e pranise se shtetit shqiptar ne trajtimin e shtetasve tane jashte vendit.  Duhet pranuar, se ne psiqiken tone administrative per diplomatet e afte, eshte fiksuar formati i diplomatit te “luftes se ftohte”. Si mund te jete nje diplomat "i afte" per forcimin e marredhenieve ne nje shtet kur eshte i "pamundur” te vendose marrëdhënie me komunitetin e shqiptarëve qe jeton aty”

Ja pra një diplomate jo e përgjumur, e cila paska ndikuar në ndryshimin e opinionit të Ministrit … Personalisht njoh diplomatë shqiptarë brilantë e të përkushtuar, që nuk kanë asnjë lidhje me formatin e diplomatit te “luftës së ftohtë”. Ambasadori shqiptar në Kanada, në këndvështrimin tim është model në marrëdhëniet me komunitetin shqiptaro-kanadez. Nuk e di nga e ka krijuar këtë bindje Ministri në lidhje me psiqiken tonë administrative për diplomatët e afte. Kam punuar dikur pranë ish-Kryeministrt sot Ministër i Diasporës, kam përfaqësuar Shqipërinë për rreth 12 vjet në Keshillin e Europës apo OSBE, por sinqerisht nuk kam në kujtesë një shije të tillë të ngjashme më atë të Ministrit …

Konkluzioni? Shumë pak si Ministër Diaspore u shfaq dje Pandeli Majko. Kjo ndoshta për shumë arsye. Ndoshta sepse tek një ish-Kryeministër, natyrshëm shfaqen reminishencat e pozicionit te dikurshëm. Ndoshta sepse organet përbërëse në funksion të pozicionit të tij nuk janë krijuar ende. Ndoshta sepse ai është në pritje të zbatimit të kërkesës së ngutshme pa arsye nga ana e tij, drejtuar ambasadave për të përzgjedhur me urgjencë dhe pa shumë transparencë anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës me 13 vetë. Ndofta sepse ende nuk ka asnjë akt nen-ligjor për detajimin e procedurave të bashkëpunimit mes shtetit dhe organizmave ekzistuese të Diasporës anë e mbanë botës dhe qëndrave kulturore me drejtues diplomatë që mendohet të krijohen. Ndofta sepse ende është në dilemën që përfshirja e supozuar e Diasporës në zgjedhje mund të krijojë një sherrnajë e përçarje të panevojshme. Te paktën kam parasysh Kanadanë, i cili është ndofta i vetmi vend ku nuk ka organizime të shqiptarëvë sipas përkatësive politike apo degë të partive politike …

Gjithsesi përpjekjet e Ministrit për të bërë diçka për Diasporën janë të lavdërueshme. Por në rastin konkret, para se të deklarojë shifra në tryeza, ai duhet të qartësojë mirë nëse këta të dënuar janë apo jo të gjithë pjesë e Diasporës. Dihet që ka edhe anëtarë të Diasporës që vuajnë dënimin në vendet ku jetojnë. Ata janë me dokumente të rregullta, shumica me dy shtetësi, dhe si të tillë, gëzojnë të drejtat si gjithë qytetarët e tjerë në atë vend. Këta syresh, për shkak të marrëdhënieve të rregullta ligjore me shtetin ku paguajnë taksa, e kanë më të lehtë të gjejnë ndihmë në vendin pritës, se sa nga vendi i origjinës dhe madje as nuk e kërkojnë fare këtë ndihmë.

Por edhe sikur të duan ti drejtohen shtetit të origjinës, ata do kontaktojnë ambasadën, e cila është nën varësinë e Ministrisë së Jashtme dhe ka eksperiencën e mjaftueshme për t’i dhënë drejtim çështjeve ligjore. Dhe jo vetëm eksperiencën, por edhe tagrin ligjor, pasi neni 6, pika 2/ç i Ligjit 23/2015 “Për Shërbimin e Jashtëm Diplomatik të Republikës së Shqipërisë” parashikon se: “Shërbimi i Jashtëm, nëpërmjet veprimtarisë së tij mbron të drejtat dhe interesat e shtetasve shqiptarë, si dhe të drejtat kombëtare të popullsisë shqiptare që jeton jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë”.

Pra ligjërisht, Ministri i Diasporës duket se iu mbivendos pa qenë nevoja dhe pa ia kërkuar askush, Ministrisë së Jashtme dhe më pas asaj të Drejtësisë kur doli publikisht e mbajti fjalim për mbrojtjen e të drejtave të shtetasve shqiptarë të privuar nga liria jashtë atdheut (se shqiptarëve që kanë vetëm shtetësinë e vendit ku jetojnë, psh në Gjermani apo Austri, nuk ka asnjë shans tu afrohet Ministri i Diasporës për mbrojtje).

Ky veprim madje mund të krijojë dhe pritshmëri të gabuara nga ana e familjarëve apo hallexhinjve, të afërmit e të cilëve vuajnë veçanërisht në burgjet e Greqisë, të njohura për keqtrajtim të shqiptarëve. Në vend të adresohen atje ku duhet që në fillim, ata mund të humbin kohë duke menduar gabimisht se për këtë problem ka tagër ligjor edhe Ministri i Diasporës.

Nuk është keq të mbrosh e të flasësh për të drejtat, por kjo të mos bëhet në hava. Për mendimin tim, Ministri Majko duhet ti përmbahet objektit të ligjit mbi Diasporën sipas të cilit në nenin 1 thuhet se: “Ky ligj ka për objekt përcaktimin e rregullave për: a) kompetencat e autoriteteve shtetërore përgjegjëse për marrëdhëniet me diasporën; b) mënyrën e mbajtjes, të forcimit dhe realizimit të lidhjeve të diasporës me vendin e origjinës; c) krijimin e Këshillit Koordinues të Diasporës; ç) dhënien e çmimeve kombëtare në fushën e marrëdhënieve ndërmjet vendit të origjinës dhe diasporës; d) ruajtjen dhe kultivimin e identitetit kombëtar, gjuhësor, kulturor e arsimor të pjesëtarëve të diasporës dhe lidhshmërinë e tyre me institucionet shtetërore në vendin e origjinës”.

Deri tani nuk është krijuar Agjencia Kombëtare e Diasporës, nuk është krijuar as Këshilli Koordinativ për Diasporën, as qendrat kulturore si e parashikon ligji. Dhe kuptohet ky është vetëm fillimi. Gjërat duan kohën përkatëse dhe buxhetin përkatës. Pra mbetet që Ministri i Diasporës, deri sa të krijojë organet përgjegjëse për përmbushjen e këtyre rregullave, më mirë të mendohet se sa të deklarohet, më mirë të fillojë të hartojë strategjitë e praktikat më të mira të bashkëpunimit me Diasporën me dobi të ndërsjellta si për vendin ashtu edhe për komunitetin, se sa të bëjë deklarata patetike të panevojshme apo të nënshkruajë memorandume me OJQ pa histori veprimtarie konkrete ... Diaspora nuk ka nevojë për PPP...

Këtë i kërkon edhe ligji 16/2018 neni 5, kur e vesh Ministrin me kompetencat përkatëse, specifikisht: a) i propozon Këshillit të Ministrave nxjerrjen e akteve rregulluese dhe marrjen e masave të tjera të nevojshme për realizimin e politikës shtetërore për marrëdhëniet me diasporën; b) mbikëqyr dhe koordinon zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Marrëdhëniet me Diasporën; c) mban dhe monitoron marrëdhëniet me diasporën; ç) krijon dhe përditëson në mënyrë sistematike të dhëna për organizimin e saj në forume; d) bashkëpunon me ministritë përgjegjëse, sipas fushave të veprimtarisë, për themelimin e qendrave kulturore dhe informative në vendet ku jeton diaspora; dh) i propozon Kryeministrit dhënien e çmimeve për kontribute të veçanta në ruajtjen e forcimin e lidhjeve ndërmjet vendit të origjinës dhe diasporës, si dhe për kontribute të veçanta në promovimin e Shqipërisë në botë; e) krijon marrëdhënie dhe promovon aktivitete përafruese e lidhëse me ambasadat përkatëse në shtete ku jeton diaspora”.

Deri tani, kabineti i Ministrit të Diasporës, jo për mungesë vullneti nga ana e titullarit, duke mos ushtruar këto kompetenca, në variantin më të mire, ngjan si një drejtori e Ministrisë së Jashtme që i "gëzohet" udhëtimeve jashtë shtetit dhe mbushjes së sallave të projekteve që u kanë mbetur stok organizatave ndërkombëtare apo në disa raste takimeve me individë që nuk jetojnë dot pa koleksionuar e publikuar në rrjete sociale fotografi me ministra e deputetë.

Me dashamirësi i kujtoj Ministrit që shumica dërrmuese e Diasporës, të paktën ajo pjesë që njoh unë, modestisht është e heshtur dhe shkëlqen shpesh me punë pa patur nevojë për reklamë apo dekorata e çmime. Madje shumica dërrmuese e saj ende ka alergji nga organizimet që shpesh vuajnë nga reminishencat e kohës së komunizmit.

Pra si konkluzion i parë, pas një analize të shpejtë të shfaqjes 3 mujore të Ministrit në rolin e tij, unë personalisht mendoj që me këtë profil publik apo me shfaqje deklarative dhe patetike (nuk dua të besoj me qëllime elektorale) nuk fitohet besimi i Diasporës dhe as krijohet autoriteteti i duhur për të patur peshë në vende ku jetojnë e punojnë qindra mijëra shqiptarë, në shumë raste me dy shtetësi.

Prandaj që të duket sa më i suksesshëm ky institucion, Ministri duhet të ushtrojë kompetencat që ia ka atribuar ligji, pa shkelur në territore që nuk i zotëron si për nga kapacitetet institucionale e buxhetore, ashtu edhe nga kompetencat.

Territori i Ministrit të Diasporës në radhë të parë është identiteti ynë kulturor dhe gjuhësor dhe ndërtimi i urave të besimit të ndërsjelltë. Ministri nuk duhet të harrojë kurre një gjë shumë esenciale: Ngjyra e vetme e diasporës është ngjyra e flamurit dhe e kombit shqiptar!

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Kantautori ...03/05/2018 08:33

Nje analize e iimet dhe korekte.
I njohim mire qendrimet e zyrtareve te ambasadave lidhur me kultures (veças) qe shumuca e derrmojne origjinalitetin dhe vleren estetike te artit tone. Apo me mire talljen me te.
E turpshme situata e aktivitetit te OJQ dhe e dhimbeshme tentativa e ndokujt qe ofrohet per kontribute apo b/p serioze.

Krist01/05/2018 14:02

Shkurt,ky minister -turist,apo turisti,me parat e ministrit (pra te popullit),qenka kot.Qe eshte kot,Taulanti e njeh shume mire,bile po aq mire njeh edhe kryeministrin,me te cilin kane bashkepunuar (bashke-mashtruar ,lexojeni),njeri prefekt dhe tjetri kryetar bashkije,te Tiranes.Kete bashkepunim,e dine shume me mire,banoret e nje zone ,karshi kinemase se re,ne Tirane,sepse pikerisht ne sallen e kesaj kinemaje,u be nje mbledhje,per hallet e banoreve,por ne vend te zgjidhjes se ketyre halleve,ata,pra banoret,u "tallen",nga keto dy "personalitete",u mashtruan,dhe -rezultati,u be ashtu sic ishte nisur,jo vetem pa u zgjidh asnje kerkese e tyre,perkundrazi,ndertimi,i filluar me lejen e Rames,vijoi,megjithese ishte neproces gjyqsor (i cili nuk perfundoi kurre),por ama pallati,u "perfundua me sukses te plote".

krasasi tp01/05/2018 11:50

Ja ke ngri buzeqeshjen ministrit.

Shto koment

Denonco