Gjashtë zyrtarë të bashkisë së Divjakës janë shpallur fajtorë për shkelje të barazisë në tendera me vlerë 1 mln euro, ndërsa dënimi i dhënë GJKKO për zyrtarët që manipuluan tenderin nuk do të kryhet në qeli por në liri.
Gjykata ka vendosur tua konvertojë dënimet ‘bashkëpunëtorëve’ të ish kryebashkiakut socialist, Fredi Kokoneshi, në orë pune në ndihmë të komunitetit ose në shërbim prove për 16 muaj.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë vendosi sot (më 28 korrik) të dënojë të pandehurit Dorjan Spaho, Roklejd Malko, Sara Xhepa, Fatos Veliu, Elbareta Nishica dhe Vojsava Leçini me nga 1 vit burgim dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar, dënimin përfundimtar me 8 muaj heqje lirie.
Trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Erjon Bani, Bib Ndreca dhe Paulin Çera, vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimeve për gjashtë të gjykuarit.
Dënimet për të pandehurit Dorjan Spaho, Roklejd Malko, Sara Xhepa u zevendësuan me 120 orë punë me interes publik që duhet të kryhen brenda gjashtë muajve, ndërsa tre të tjerët u vendosën në shërbim prove për 16 muaj. Për Veliun, Nishicën dhe Leçinin u zaktua dhe dënimi plotësues, që iu heq të drejtën të ushtrojnë funksione publike për pesë vjet.
Procedimi penal ndaj gjashtë zyrtarëve të Bashkisë Divjakë filloi nga të dhënat e siguruara gjatë hetimit të një çështjeje tjetër. Ata akuzohen se shkelën barazinë në tre tendera me vlerë totale të fondeve limit, afro 1 milion euro.
Dosja shkoi nga SPAK për gjykim në GJKKO në prill ndërsa vendimi u dha sot në 28 korrik.
Fajtorë për Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”
Dorjan Spaho dënohet me 120 orë shërbim prove
Sara Xhepa dënohet me 120 orë punë në interes publik dhe të mbajë kontakte me shërbimin e provës
Roklejd Malko dënohet me 120 orë punë në interes publik dhe të mbajë kontakte me shërbimin e provës
Fatos Veliu liri me kusht për 16 muaj, i hiqet për 5 vjet e drejta e ushtrimit të funksioneve publike
Elbareta Nishica liri me kusht për 16 muaj, i hiqet për 5 vjet e drejta e ushtrimit të funksioneve publike
Vojsava Leçini liri me kusht për 16 muaj, i hiqet për 5 vjet e drejta e ushtrimit të funksioneve publike
Edhe Fredi Kokoneshi në GJKKO
Ndërkohë më 14 korrik të këtij viti SPAK ka dërguar në GJKKO dhe dosjen ndaj ish kryebashkiakut të Divjakës, Fredi Kokoneshin, për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”. Për të njëjtën akuzë, në bashkëpunim me ish kryebashkiakun të pandehur u morën edhe 3 persona të tjerë, Dorjan Spaho, Andi Bullari dhe Ledio Xharo. SPAK thotë se hetimet kanë treguar se Bashkia e Divjakës ka lidhur 2 kontrata qiraje për ndërtimin e impianteve diellore me afat 10 vite në qershor të 2021-it.
© SYRI.net