Konkluzionet jepen në shtator/ I pandehur për korrupsion në zgjedhje, kryebashkiaku i Vaut të Dejës: S’kam blerë vota

Konkluzionet jepen në shtator/ I pandehur për korrupsion në zgjedhje, kryebashkiaku i Vaut të Dejës: S’kam blerë vota

15:25, 28/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I pandehur nga SPAK për korrupsion në zgjedhje, por i pyetur si dëshmitar në procesin gjyqësor ndaj tij, kryebashkiaku i Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, mohoi të ketë ofruar përfitime në këmbim të votës.

Kristian Shkreli: Nuk kam ofruar dhe nuk kam premtuar asgjë në këmbim të votës. Fshati Stajkë kishte problematika me energjinë elektrike që nga viti 2019. Unë çdo ditë bëj telefonata për problemet e banorëve. Edhe sot mund të jem në përgjim; dje kam marrë një drejtor tjetër, sepse kishte problem me dritat në një fshat tjetër. Marr edhe drejtorin e spitalit kur ka problematika dhe më vijnë ankesa. Mesazhi që prokuroria thotë ‘jepi zjarr’ i referohet faktit që kam kërkuar që në takimin elektoral, i cili ishte planifikuar, të kishte brohoritje dhe ovacione, jo që të kërkoheshin vota apo të ofroheshin të mira materiale ose vende pune.

Shkreli tha se kishte kërkuar pjesëmarrje sa më të madhe në mitingjet elektorale, si të Partisë Socialiste ashtu edhe të PSD-së, duke theksuar se situata ishte e tensionuar.

Kristian Shkreli: Kam kërkuar të vijnë sa më shumë njerëz në miting. Ka qenë një situatë e tensionuar. Telefoni nuk më pushonte nga ankesat e banorëve. Banorët kishin dy javë pa energji elektrike. Një frazë që prokuroria thotë se ua kam thënë banorëve, ‘ua kam dhënë unë lekët’, lidhej me përpjekjen time për t’i bindur qytetarët se defekti në linjë do të rregullohej. Unë nuk i kam dhënë asnjë lek OSHEE-së.

Duke folur për kontrollin e ushtruar nga autoritetet, Shkreli tha se agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit shkuan në banesën dhe lokalin e tij.

Kristian Shkreli: Agjentët e BKH-së erdhën te banesa dhe lokali im. Ishin shumë forca policie. Më kontrolluan dhe më morën telefonin që kisha në dorë. I pyeta çfarë u duhej. Më thanë të jepja fjalëkalimin e telefonit. U thashë ‘patjetër’, e hapa telefonin dhe ua dorëzova.

Nga ana tjetër, prokurori i SPAK-ut, Dritan Prençi, lexoi në seancë një nga bisedat e përgjuara.

Prokurori Dritan Prençi: I pandehur, në një bisedë telefonike ju thoni: ‘Të martën e ke të kryme, veç shife mos po na vonon. Veç për Tomën, zjarr. Si me qenë për mua, jua di për nder.’ Për çfarë bëhet fjalë në përmbajtjen e kësaj bisede?

Prokurori i SPAK-ut, Dritan Prençi: Në një bisedë telefonike ju i thoni: ‘Nuk e presim dot shtetin, se shteti e ke nterezi’. Çfarë keni dashur të thoni me këtë? Gjithashtu i thoni: ‘Sot ma sollën preventivin’. Për cilën punë bëhej fjalë dhe çfarë ishte kryer?

Kristian Shkreli: E kam thënë si batutë, për ta bindur se këtë problem po e zgjidhja unë. Fjala ‘zjarr’ i referohej mitingut të Tom Doshit, në kuptimin që të vinin sa më shumë njerëz.

Sot, njoton gazetari i Syri tv, Fatjojn Gjinaj, është mbyll shqyrtimi gjyqësor dhe konkluzionet përfundimtare pritet të jepen në seancën e radhës me 17 shtator ora 10.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco