Nga Elton Qyno - Syri.net/
Të dënuarit me burgim të përjetshëm, Laert Haxhiu, që ndodhet në burgun e Drenovës në Korçë i është gjetur një tjetër telefon në ambientet e qelisë së tij.
Aparati celular është konstatuar teksa ai ndodhej në dhomë dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve, ia ka kapur telefonin në dorë.
Ndryshe nga herët e tjera ku Haxhiu e hidhte nga dritarja telefonin, këtë herë policia ia ka kapur në dorë dhe brenda qelisë së tij.
Pas kryerjes së veprimeve proceduriale, aparati i telefonit i është dërguar për ekspertizë kompjuterike në laboratorin kibernetik që ndodhet pranë prokurorisë së Posaçme SPAK.
Ndërkohë një tjetër praktikë ligjore është dërguar në prokurorinë e Korçës, për nisjen e hetimeve lidhur me veprën penale të Futjes së sendeve të palejuara në ambientet e burgut.
Sipas informacioneve të siguruara nga gazetari Elton Qyno, ka qenë ora 6 e mëngjesit të kësaj të mërkure, kur forcat operacionale të burgjeve, kanë hyrë në qelinë e tij, në kuadër të një kontrolli të ushtruar pas një vlerësimi në bazë rrisku.
Kujtojmë se Laert Haxhiu, është shpallur fajtor dhe dënuar me burgim të përjetshëm për “Masakrën e Lushnjes”, ngjarjen e rëndë të ndodhur në vitin 2017, ku mbetën të vrarë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, ndërsa u plagosën edhe Bujar Turku dhe Marius Xhepexhiu.
Për të njëjtën çështje janë dënuar me burgim të përjetshëm edhe Orgest Bilbili dhe Anterio Kaloshi.
Të dënuarit akuzohen për veprat penale “Vrasje në rrethana cilësuese të një ose më shumë personave”, “Kryerja e veprave penale në kuadër të grupit kriminal”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, si dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Ndërkohë ndaj Haxhiut janë të hapura dhe dy procese të tjera gjyqësore në gjykatën e Posaçme, ku ai akuzohet për vrasje dhe krijim të grupit të strukturuar kriminal.
© SYRI.net