Qyteti i Shkodrës mbeti për më shumë se 20 orë pa ujë të pijshëm gjatë së martës, duke shkaktuar shqetësim te banorët, veçanërisht në një periudhë kur temperaturat janë të larta dhe zona është e mbushur me turistë.
Ndërprerja e furnizimit me ujë nisi që në orët e para të mëngjesit, për shkak të punimeve për lidhjen e rrjetit të ri me stacionin kryesor në Dobraç. Ndërmarrja Ujësjellës-Kanalizime Shkodër njoftoi se furnizimi do të rikthehej rreth orës 17:00, por rikthimi i ujit u bë vetëm gjatë mesnatës.
Mungesa e ujit për një periudhë kaq të gjatë solli reagime nga qytetarët, të cilët kërkuan që ndërhyrje të tilla infrastrukturore të planifikohen në periudha të tjera dhe jo në kulmin e sezonit veror.
Ujësjellës-Kanalizime Shkodër ka bërë me dije se etapa e parë e punimeve ka përfunduar, ndërsa ndërhyrjet do të vijojnë më tej me qëllim përfundimin e plotë të projektit dhe përmirësimin e furnizimit me ujë për qytetin.
© SYRI.net