'Bëhu gati për firmosje'/ Tenderi 700 mijë € i KESH! Zbardhen mesazhet që ‘fundosin’ Berberin, Rukon dhe Dakolin

'Bëhu gati për firmosje'/ Tenderi 700 mijë € i KESH! Zbardhen mesazhet që ‘fundosin’ Berberin, Rukon dhe Dakolin

12:54, 22/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Detaje të reja kanë dalë nga dosja hetimore e SPAK për tenderin rreth 700 mijë euro të Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare (KESH), ku sipas organit të akuzës, komunikimet e siguruara gjatë hetimeve hedhin dritë mbi koordinimin e ish-kreut të KESH-it Ervis Berberi, zyrtares Adela Ruko dhe biznesmenit Dritan Dakoli, me qëllim favorizimin e kompanisë së Ervis Myftarit në procedurën e prokurimit.

Sipas SPAK, Dritan Dakoli, aksioner i kompanisë “Euronet”, ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me Berberin gjatë zhvillimit të tenderit. Hetimet tregojnë se Dakoli dhe fituesi i procedurës, Ervis Myftari, kanë pasur marrëdhënie të hershme pune, ndërsa lidhjet mes tyre shtrihen edhe në aktivitetet e kompanive që ata përfaqësojnë.

Nga komunikimet e administruara në dosje rezulton se më 23 janar 2020, Adela Ruko ka njoftuar Ervis Berberin se atë ditë do të publikohej fituesi i tenderit, duke i kërkuar njëkohësisht që kompania fituese të përgatiste dokumentacionin dhe sigurimin e kontratës për nënshkrim. Pak minuta më vonë, Berberi ia ka përcjellë këtë informacion Dritan Dakolit, duke i kërkuar të bëhej gati për firmosjen e kontratës.

Pjesë nga dosja e SPAK:

Më datë 23.01.2020, në orën 08:27, shtetasja Adela Ruko i ka dërguar mesazh Ervis Berberit me përmbajtjen:

 

“Babe, sot del njoftimi i fituesit për Harvardin.”

Ervis Berberi i është përgjigjur: “OK.”

Më pas, Ruko i ka dërguar një tjetër mesazh, ku shkruante:

“Ju thuaj të bëjnë gjithë dokumentacionin e hedhur në sistem, bashkë me sigurimin e kontratës, që kur të të them të vijnë t’i sjellin që të lidhim kontratën.”

Ervis Berberi i është përgjigjur:

“Pa merak se i kanë.”

Më tej, Adela Ruko i ka kërkuar edhe numrin e llogarisë bankare dhe IBAN-in.

Në orën 13:05, Ervis Berberi i ka dërguar mesazh Dritan Dakolit me përmbajtjen:

“Del njoftimi i Harvardit sot. Bëj gati letrat që të firmosësh kontratën.”

Dakoli i është përgjigjur:

“OK vëllai. Nesër e pimë një kafe?”

Një ditë më pas, më 24.01.2020, në orën 08:49, Adela Ruko i ka dërguar mesazh Ervis Berberit:

“Thuaju pak të sjellin dokumentet dhe sigurimin e kontratës sot, ata të Harvardit.”

Berberi i është përgjigjur:

“OK, do vijnë.”

Në orën 08:50, këtë mesazh Ervis Berberi ia ka përcjellë Dritan Dakolit, i cili i është përgjigjur:

“Hahaha, ne çunat e Harvardit. OK, patjetër. Vëllai, më jep një numër kontakti.”

Më 25.01.2020, në orën 10:47, Dritan Dakoli i ka shkruar Ervis Berberit:

“Viso, mirë? Paradhënie do ketë me pyet Harvardi?”

Berberi i është përgjigjur:

“Se ka ndarë akoma.”

Më pas, Dakoli i ka shkruar:

“Se duan paratë ato me fillu punë. U mësuan dhe keq me atë kontratën e katundit. Aty paradhënie 50%.”

Ervis Berberi i është përgjigjur:

“Po aq s’bëhet fjalë.”

Më tej, Dakoli i ka shkruar:

“Sa të jetë, brenda ligjit.”

Në lidhje me operatorin ekonomik “Consulting & Management Albania” sh.p.k., i cili është shpallur fitues i procedurës së prokurimit, nga hetimi kanë rezultuar të dhëna me interes.

Shoqëria “Consulting & Management Albania” sh.p.k. është themeluar më datë 19.09.2008. Në kohën e zhvillimit të procedurës së prokurimit, aksionerë të saj kanë qenë shtetasit Ervis Myftari, me 66% të aksioneve, dhe Skënder Bedalli, me 34% të aksioneve.

Sipas të dhënave të hetimit, Ervis Myftari ka qenë i punësuar pranë shoqërisë “R&T” sh.p.k. për periudhën 14.07.2017–15.08.2022.

Ndërkohë, Dritan Dakoli rezulton të jetë punësuar pranë kësaj shoqërie që prej datës 01.11.2011.

Dakoli rezulton gjithashtu aksioner i shoqërisë “Euronet” sh.p.k. që prej datës 19.06.2019.

Kjo shoqëri ka deklaruar në sistemin e administratës tatimore C@TS adresën elektronike “e_myftari@yahoo.com”. E njëjta adresë email-i është deklaruar edhe nga shoqëria “Calypso Group Limited” sh.p.k., administrator dhe pronar i së cilës rezulton të jetë shtetasi Ervis Myftari. /Bold/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco