Kultivonin kanabis në zona të thella të Kukësit, në pranga 34 dhe 63-vjeçari

Kultivonin kanabis në zona të thella të Kukësit, në pranga 34 dhe 63-vjeçari

10:38, 21/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Dy persona kanë rënë në prangat e policisë në Kukës, pas dy operacioneve të zhvilluara kundër kultivimit të bimëve narkotike.

Një 34-vjeçar është arrestuar në fshatin Kalimash, pasi u kap duke u kujdesur për 60 bimë kanabisi të kultivuara në zonë. Policia bëri të ditur se bimët u gjetën në një parcelë të hapur dhe një pjesë e tyre u sekuestrua si provë materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua.

Ndërkohë, një tjetër person i shpallur në kërkim është kapur gjatë vijimit të operacionit “Zabeli”. Bëhet fjalë për një 63-vjeçar nga fshati Gështenjë, i cili dyshohet se në bashkëpunim me djalin e tij ka kultivuar 215 bimë narkotike Cannabis Sativa. Gjatë kontrolleve në banesën e tyre, uniformat blu gjetën edhe rreth 3 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike.

Për këtë rast, policia ka nisur procedim edhe ndaj bashkëshortes së 63-vjeçarit dhe kryetarit të fshatit Gështenjë, ndërsa vijon puna për kapjen e djalit të tij, i cili rezulton ende në kërkim.

Njoftimi i policisë:

Finalizohen në 24 orë, 2 operacione për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike dhe për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim për raste në këtë fushë.

✅Kapet duke u kujdesur për bimët narkotike që kishte kultivuar në fshatin Kalimash, dhe vihet në pranga 34-vjeçari.

✅Kapet njëri nga shtetasit e shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Zabeli”, për kultivimin e 215 bimëve Cannabis dhe prodhimin e 3 kg të kësaj lënde.

Si rezultat i kontrolleve dhe punës operative, me qëllim goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, si dhe për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të tyre, në 24 orët e fundit, struktura në varësi të Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës finalizuan 2 operacione. Konkretisht:

-shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës finalizuan operacionin e koduar “Kalimashi”, në kuadër të të cilit u arrestua shtetasi F. L., 34 vjeç, banues në Kukës, i cili u kap në flagrancë duke u kujdesur për 60 bimët e dyshuara narkotike Cannabis Sativa që kishte kultivuar në territorin e fshatit Kalimash. Një pjesë e vogël e bimëve u sekuestrua me cilësinë e provës materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua nëpërmjet djegies;

-gjatë kësaj faze të operacionit të koduar “Zabeli“ të zhvilluar më datë 11.07.2026, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit Operacional, me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”,  dhe Komisariatin e Policisë Kukës, lokalizuan, kapën dhe ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim F. R., 63 vjeç, banues në fshatin Gështenjë. Për të, Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike” , pasi dyshohet se në bashkëpunim me djalin e tij, shtetasin M. R., ka kultivuar 215 bimë narkotike, në territorin e fshatit ku banonin. Më tej, në banesën e tyre, Policia gjeti 3 kg lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa. Për rastin, u proceduan penalisht bashkëshortja e të ndaluarit dhe kryetari i fshatit Gështenjë. Vijon puna për kapjen e shtetasit M. R..

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco